1500 euro për një diplomë fallco

827
Sigal

Në bashkëpunim, me njëri-tjetrin jepnin diploma false në vlerë 1000-1500 euro për person

Një drejtor shkolle dhe tre zyrtarë të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Fier janë vënë në pranga nga policia e këtij qyteti nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe korrupsionit pasiv.

“Me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Policia e këtij qyteti ka arrestuar katër persona, drejtorin e një shkolle të mesme dhe 3 zyrtarë të Drejtorisë Arsimore Rajonale, të akuzuar për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikim të dokumenteve shkollorë”. Këta persona, dyshohet se në bashkëpunim, kanë siguruar diploma false në vlerë 1000-1500 euro për person.”- bëhet me dije nga policia e Fierit.  Më tej theksohet se nga hetimi i Prokurorisë së Fierit, rezulton se: “Është regjistruar procedimi penal për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” , “Falsifikim i dokumenteve shkollore” parashikuar përkatësisht nga nenet 259 dhe 187/2 te K. Penal. Ky regjistrim i referohet faktit te dyshuar paraprakisht se shtetasi F. Beqaj, drejtor në shkollën e mesme Roskovec, kundrejt marrjes se shumes 1000 apo 1500 eurove, lëshon vërtetime shkollore të falsifikuara për persona të ndryshëm, të cilët nuk janë nxënës të shkollave përkatëse. Bazuar në përdorimin e metodave special të hetimit, konfirmohet fakti se, shtetasi F. Beqaj është i angazhuar në një veprimtari të tillë kriminale, ku në bashkëpunim edhe me specialistë të Drejtorisë Arsimore Fier, u siguron personave të ndryshëm vërtetime të shkollës së mesme, të falsifikuara. Dyshohet që këto dëftesa të falsifikuara u dorëzohen të interesuarve kundrejt pagimit nga ana e tyre të shumave të konsiderueshme nga 1000 -1500 euro”- sqarohet nga policia. Sipas të njëjtit burim nga hetimi ka rezultuar se një vërtetim i tillë (i falsifikuar), është lëshuar për të paktën 4 shtetas. “Nga kontrollet e banesave, sekuestrot e kryera pranë Shkollës së Mesme Roskovec dhe Drejtorisë Arsimore Fier, rezulton e qartë se shtetasi F.Beqaj, në detyrën e Drejtorit të Shkollës së Mesme të Bashkuar Roskovec, ka përpiluar disa vetëtime notash ose dëftesa pjekurie të falsifikuara, pasi personat përkatës nuk kanë qenë nxënës të asaj shkolle dhe se këtë e ka realizuar duke ndërhyre (me heqje dhe ngjitje fletësh ) në regjistrin e nxënësve që kanë përfunduar shkollën. Rezulton gjithashtu që, veç 4 rasteve që janë evidentuar nga hetimi i deritanishëm (dhe që janë cituar me sipër), në këtë regjistër ka disa fletë të tjera të ngjitura, që do të thotë të tjera dëftesa të falsifikuara, të cilat do të jenë objekt i hetimit të mëtejshëm, sikundër do të jetë objekt hetimi edhe marrja e ryshfetit, kundrejt këtyre veprimeve. Po kështu rezulton, që vërtetimet dhe dëftesat e falsifikuara nga drejtori i shkollës, duhen verifikuar nga komisioni me 3 specialistë, i ngritur për këtë qëllim në Drejtorinë Arsimore Fier dhe mandej firmosen nga Titullari i Drejtorisë Arsimore. Nga këqyrja që i është bërë ciklimit të diplomave në Drejtorinë Arsimore, Fier, rezulton që rastet e dërguara nga drejtori i shkollës F. Beqaj, të mos jenë verifikuar në shkollën përkatëse nga specialistet e Drejtorisë Arsimore, Fier duke i konsideruar se të dhënat e pasqyruara nga Drejtori i shkollës, F. Beqaj përputhen me të dhënat që shkolla disponon. Në këtë mënyrë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dëftesa të shkollës së mesme, persona që realisht nuk e kanë kryer këtë shkollë. Këto veprime të specialisteve të DAR, Fier bien në kundërshtim me ligjin nr 69/2012 “Për sistemin arsimor Para universitar në Republikën e Shqipërisë” dhe Urdhrin nr. 76 datë 19.02.2013 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për legalizimin e dokumenteve zyrtare të arsimit para universitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, sqarohet nga policia.

DETAJ

Të arrestuarit

F. Beqaj (Drejtor i shkollës ) për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shkollore” nga personi që e ka për detyrë, më shumë së njëherë (neni 187/2 i K.P)

V. Mitro, specialistë kurrikulës në Drejtorinë Arsimore, Fier

M. Emiri, specialistë kurrikulës në Drejtorinë Arsimore, Fier