Tatimet mbledhin 7.6 miliardë lekë borxhe të bizneseve në 4 muaj

645
Sigal

Administrata Tatimore ka mbledhur 7.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura të biznesit në 4 muajt e parë të vitit 2019. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve bizneset janë njoftuar më parë dhe më pas si rezultat i mbledhjes me forcë të borxheve, në vitin 2019  janë rritur  arkëtimet me 10% për të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Gjatë periudhës janar-prill 2019 rezulton se janë arkëtuar 7,6 miliardë lekë borxh tatimor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, ku u arkëtuan 5,4 miliardë lekë. Ndërkohë për të përmirësuar gjendjen Administrata Tatimore ka rritur shkallën e informimit ndaj tatimpaguesve, nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, në lidhje me afatet, mënyrat e pagesës së borxhit dhe ndërgjegjësimit të tyre për masat shtrënguese. Nga të dhënat rezulton se vetëm gjatë prillit janë mbledhur 39 % më shumë detyrime të papaguara . E shprehur në shifra, gjatë muajit prill 2019 janë mbledhur 2.6 miliardë lekë borxh tatimor. Në total borxhi që bizneset i kanë tatimeve rezulton të jetë 107 miliardë lekë  gjatë 2018-s. Ndërkohë që pjesa më e madhe e borxhit ka një vjetërsi mbi 2 vite. Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbledhja e detyrimeve nga tatimet mbetet problem edhe për faktin se shumica e bizneseve tashmë kanë kaluar në status pasiv.