Qemal Lamaj: Marrëveshje Kosovë-Serbi me vullnetin e dy shteteve

595
Sigal

Bisedime e marrëveshje Kosovë-Serbi me vullnetin e të dy shteteve

Dr. Qemal Lamaj

Mirëkuptimi i idealizuar dhe marrëveshja e domosdoshme midis Kosovës e Serbisë pengohet nga qëndrimet politike diametralisht të kundërta për shkak të vazhdimit të politikës së vjetër shoviniste të Beogradit për rikthimin dhe ndarjen e Kosovës, si dhe interesat jo të harmonizuara të gjeopolitikës, të SHBA e BE nga njëra anë e të Rusisë nga ana tjetër.  Bisedimet pa rezultate prej më shumë se shtatë vjetëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe veprimtaria intensive jo zyrtare e Fondacionit Soros, pritej të jepnin rezultatin në pranverën që sapo kaloi ose brenda vitit 2019. Por dëshirat politike nuk bazoheshin në realitetin politik. Analiza e zhvillimeve politike evidenton përfundimin se marrëveshja do të kërkojë edhe më shumë kohë. Së pari, Serbia tregon vullnetin për integrimin evropian, por nuk tërhiqet nga ndarja e Kosovës. Dështimi i këtij projektit ishte një fitore për Kosovën. U mbështetëm që në fillim nga Gjermania e Britania e Madhe dhe së fundi nga Franca. Takimi i Berlinit në fillim të muajit prill 2019, sqaroi dhe mënjanoi projektin e ndarjes. Në Takimin, më 1 korrik 2019, në Paris, është tema e zhvillimit ekonomik dhe ndihmës së Francës. Megjithatë, kërkohet të tregohet kujdes nga të papriturat që mund të dalin nga mbështetësit e pretendimeve të Serbisë, sidomos nga “sorosianët”.

Së dyti, politika amerikane nuk ka në fokus prioritetin për Ballkanin. Vëmendja dëshmohet në vënien në plan të parë të Amerikës dhe aleancat globale. Në këto kushte, politika amerikane për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë orientohet në krijimin e bindjes së ndërgjegjshme politike midis të dy shteteve sovrane.

Ulja në tryezën e bisedimeve nuk është e lehtë për Vuçiçn e Thaçin, për Bërnadiç e Haradinaj. Politikanët serbë kërkohet të ndryshojnë, të mos vazhdojnë politikat antishqiptare, të kenë guximin për t’u ballafaquar me reagimet e ultra-nacionalistëve në Kuvend, në median dhe në opinionin publik. Nuk mund të vazhdohet më tej me pretendimin se politikanët shqiptarë janë fajtorë, me ofendimet publike me tone primitive shoviniste etj. Po të ketë një gjest sado të vogël për ndryshim e reflektim, padyshim edhe Qeveria e Kosovës, do të heqë pengesën e taksës, në vartësi me qëndrimet e politikanë serbë në pushtet. Vullneti i lirë për marrëveshje midis të dy shteteve, mënjanon edhe vijat e kuqe si dhe presionet apo ndikimet e njëanshme të jashtme që nuk janë në interesin e tyre. SHBA e kanë bërë të qartë këtë qëndrim. Edhe nga Rusia është dëshmuar po e njejta politikë. Ato do të jenë të gatshme të pranojnë marrëveshjen që do të arrihet midis të dy palëve. Politikanët shqiptarë dhe ata serbë kanë mundësitë të gjykojnë me kuraje e përgjegjësi kombëtare. Serbët janë në të drejtën e tyre për të ruajtur marrëdhëniet e mira me vëllezërit rusë, ashtu si edhe shqiptarët me vëllezërit e tyre të ndarë padrejtësisht në shtatë shtete. Shqiptarët e serbët i bashkon miqësia, e ardhmja e përbashkët evropiane, jo ndarja territoriale e Kosovës. Politikanët në Beograd, të jenë më realistë në strategjisë së integrimit evropian dhe mënjanimin nga luhatjet sa nga Moska aq edhe nga Brukseli sipas konjukturave dhe presionit të ultranacionalistëve e klerit ortodoks.

Kërkohet objektivitet dhe të mënjanohen presionet për zgjidhje duke sakrifikuar secila palë. Kjo shprehje që përdoret shpesh nga Vuçiç, e mbështetur edhe nga Mogherini, ka pasur për qëllim justifikimin për ndarjen e Kosovës. Ky problem nuk mund të shtrohet përsëri si zgjidhje.

Vlen të ritheksohet se zgjidhja më e pranueshme mbetet pranimi i realitetit politik të këtyre afro 20 vjetëve pas Luftës së Kosovës. Në luftën me NATO-n, Serbia e humbi Kosovën. Një luftë e dytë, do të jetë humbje e vetë Serbisë. Këtë e pranojnë vetë politikanët liberalë serbë. Maxhoranca serbe në pushtet ka mundësi të mbështetet në vullnetin e serbëve për integrimin evropian dhe paqen me shqiptarët, duke u distancuar më qartë nga ultranacionalistët. Politikanët serbë është e nevojshme të referohen dhe të interpretojnë drejtë Historinë e Serbisë të krijuar në tokat shqiptare, nga familja mbretërore me prejardhje shqiptare dhe me përqindje të ndjeshme të popullsisë ortodokse me origjinë shqiptare të asimiluar me shkombëtarizim, gjenocid, imponimin me dhunë të ndryshimit të identitetit kombëtar duke i cilësuar serbë.

Ndryshimet diametralisht të kundërta të Presidentit Thaçi, tregojnë për përgjegjësinë e tij,por ato nënkuptojnë edhe ndikimet e ndryshimet e politikës së partnerëve ndërkombëtarë. Pas dështimit të planit për ndarjen e Kosovës, si dhe të projektit të njëjtë të maskuar me korrigjimin e kufijve, Thaçi mbrojti idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën  e tani së fundi të bashkimit të Kosovës me Shqipërisë.

Këto ide në fakt të drejta, shkaktojnë reagime me pasoja të rënda për marrëveshjen me Serbinë. Serbia kërkon Veriun e Kosovës dhe rivendosjen në Kosovë me Asociacionin e Komunave Serbe me pushtet territorial. Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën jo vetëm që nuk pranohet për tu diskutuar, por përmban edhe rrezikun e acarimit pa vend të marrëdhënieve ndërshtetërore.

E para, nuk mund të kërkojmë ndryshime të kufijve kur ato nuk njohim zyrtarisht nga Serbia dhe nuk pranohen nga shqiptarët. Me të drejtë nuk pranojmë dhe refuzojmë ndryshimin e kufijve dhe të territoreve shqiptare me territore shqiptare, të Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.

E dyta, është vendosur një realitet që nuk mund ta ndryshojmë në mënyrë të njëanshme. Lugina e Preshevës është aneksuar nga Serbia me ndarjen administrative që në vitin 1945. Prandaj edhe në Luftën e Kosovës, NATO nuk zgjeroi veprimtarinë në atë rajon të banuar nga shqiptarët, megjithëse e meritonte çlirimin nga pushtuesit serbë. Së treti, nuk mund të ngremë kërkesën për Luginën e Preshevës, pa mbështetjen ndërkombëtare. Shtetet etnonacionale nuk mbështeten ndërkombëtarisht. Lugina e Preshevës ka të drejtën të kërkojë liri e të drejta dhe zhvillim, me të njëjtat standarde që u janë dhënë serbëve në Kosovë. Si rajon me popullsi shqiptare e në trojet e saj historike, të veprohet konkretisht për të fituar autonominë territoriale, ashtu si po veprohet edhe nga shqiptarët në Sanxhak.

Shqiptarët e meritojnë bashkimin e tyre të natyrshëm në shtetin mëmë. Por bashkimi nuk mund të arrihet pa mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare. Kërkesat e drejta të shqiptarëve do të gjejnë zgjidhje bashkë me proceset demokratike integruese evropiane. Në platformat për marrëveshjen me Serbinë nuk është efektive në kushtet e sotme të diskutohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si dhe të Luginës së Preshevës me Kosovën. Nuk është as gabim që ti rikujtohet politikanëve serbë antishqiptarë dhe kundër marrëveshjes se kjo është një alternativë e mundshme, në rast të një rreziku potencial të Serbisë.  Në mbrojtje të interesave të ligjshme të shqiptarëve të gjenociduar në Kosovë, është detyrë e Qeverisë së Kosovës për të realizuar Rezolutën e Kuvendit për Gjenocidin e Serbisë, Viktimat e Dhunës Seksuale nga Ushtarët Serbë, kërkesën për dëmshpërblime, etj. Nuk mjafton vetëm thirrja e sinqertë që Qeveria e Serbisë të kërkojë falje publikisht. Edhe dënimet e deritanishme nga Gjykata e Hagës, nuk janë ndjerë sa kërkohet. Rasti i kriminelit Seshel ka demaskuar drejtësinë ndërkombëtare. Kërkesat për përgjegjësinë e UÇK-së për krime lufte, është në kundërshtim me vlerat e saj dhe të vetë pavarësisë së Kosovës.

Problem tjetër është mos ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës, mbështetja ose më saktë mbajtja me mjete financiare e strukturave paralele në Veriun e Mitrovicës, ndërprerjen e politikës së kolonizimit me serbë të Veriut të Kosovës, ndërtimit të shtëpive dhe mbajtjes së tyre me pensione nga Serbia për të imponuar aneksimin e rajonit. Shqiptarët e dëbuar nga ky rajon, kanë të drejtën të kthehen në shtëpitë e tokat e tyre dhe të mos pengohen.

Serbia kërkohet të kuptojë rëndësinë e arritjes sa më shpejt që të jetë e mundur të marrëveshjes me Kosovën. Çdo vonesë do të ketë pasoja politike dhe ekonomike, në radhë të parë, për Qeverinë, Kuvendin dhe popullin serb.