Prof. Dr. Qemal Lame: SHBA dhe Irani nuk përshkallëzuan konfliktin

664
Sigal

ShBA dhe Irani nuk përshkallëzuan konfliktin

 Prof.Dr.Qemal Lame

Aksioni rrufe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që realizojë, më 3 janar 2020, vrasjen e gjeneral Soleimanit, u shoqëruan me kundërgoditjen e Irakut ndaj bazave amerikane në Irak. U ndje rreziku i një konflikti që mund të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore. Në mbështetje të sulmit amerikan u deklaruan menjëherë Shqipëria dhe Britania. Shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO u treguan të rezervuara. Aleatët e Iranit Turqia, Rusia, Kina etj., dënuan aksionin e SHBA. Kongresi Amerikan e vlerësoi të nxituar vendimin e Presidentit Trump. Reagimet ndikuan për qetësimin e situatës dhe vënien në lëvizje të diplomacisë.

Republika Islamike përjetoi manifestimet më të mëdha në historinë e saj 40-vjeçare. SHBA konfirmuan imazhin e armikut e agresorit, që ishte kultivuar nga udhëheqja në Teheran. Për sa kohë që Soleimani ishte në aksion kundër IS, shumica e iranianëve e konsideronin atë si mbrojtës të kombit, sepse IS (sunit) është një armik i shpallur i Iranit shiit. Tani demonstruesit akuzojnë qeverinë për 176 të vrarët në bordin e avionit ukrainas të transportit ajror të qëlluar nga raketat e Gardës Revolucionare, shumica e tyre iranianë ose me nënshtetësi të dyfishtë iraniane, fajësojnë politikanët për fshehjen e së vërtetës për faktin se Teherani fillimisht tha se ishte një defekt teknik dhe u përpoq ta mbulonte shkakun e vërtetë të aksidentit. Opinioni publik kërkon sqarim të plotë të proceseve dhe marrjen e masave kundër përgjegjësve.

Irani ndodhet në një situatë politike shpërthyese. Në nëntor të vitit të kaluar, qindra mijëra vetë dolën në rrugë në të gjithë vendin për të protestuar ndaj rritjes së çmimit të benzinës, kundër situatës ekonomike në përgjithësi dhe korrupsionit në radhët e udhëheqjes politike në veçanti. Demonstratat u shtypën nga regjimi me ashpërsinë më të madhe, qindra vetë u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan. Por mangësitë e kritikuara mbetën. Protestat vërtet qenë më të dhunshmet. Por shkaku kryesor mbetet gjendja e rëndë politike e ekonomike, mungesa e të drejtave e lirive. Policia iraniane ndaloi për disa orë ambasadorin britanik për nxitje e pjesëmarrje në demonstratë, por iranianët nuk gënjehen nga propaganda zyrtare. Protestuesit nuk pranojnë të djegin apo të shkelin mbi flamurin amerikan.

Revolucioni iranian dhe premtimet e liderëve shpirtërorë nuk sollën mirëqenien e zhvillimin e idealizuar. Demonstratat mund të zgjerohen me çdo indicie. Donald Trumpi u ofron mbrojtje dhe mbështetje demonstruesve. Por ata nuk kanë nevojë dhe nuk i duan ato. Ata janë të preokupuar që 4 dekada pas revolucionit në Iran të vendoset më në fund ligji dhe rendi, liria e vërtetë fetare e ajo qytetare, barazia që mbron popullin dhe garanton zhvillimin e mirëqenien.

Popujt kuptuan se arsyeja dominon mbi emocionet, gjeopolitika frenohet nga interesat kombëtare, lufta nuk vlerësohet si zgjidhje, bisedimet mbeten rruga për sigurinë e paqen.

Nuk do të ketë luftë të re botërore. Nuk ka shans për një konflikt të armatosur midis SHBA dhe Iranit dhe përfshirje nga palë të treta si Rusia apo Kina. Irani është në pozitë të tërhequr.

Është e domosdoshme që Irani të heqë dorë nga plani për prodhimin e armëve bërthamore. Në vitin 2015 u nënshkrua Marrëveshja Bërthamore me Iranin. Por është e sigurt se Irani ka tejkaluar rezervat e lejuara me ujë të rëndë dhe uranium të pasuruar që mund të përdoret si karburant për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

SHBA janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, në vitin 2018. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë, se marrëveshja bërthamore me Iranin ka “të meta fatale”, pasi nuk e kufizon programin e raketave balistike të Iranit dhe nuk e adreson mbështetjen që u jep Teherani grupeve terroriste në Lindjen e Mesme. Trump u ka kërkuar vendeve evropiane që edhe ato të heqin dorë nga marrëveshja. Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania konfirmuan të martën, më 14.01.2020, se e kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes në lidhje me traktatin bërthamor me Iranin për shkak të shkeljeve të vazhdueshme që republika islamike i ka bërë kësaj marrëveshjeje. “Ne nuk e pranojmë argumentin se Irani është detyruar t’i zvogëlojë veprimet në pajtim me marrëveshjen bërthamore”, theksuan përmes një deklarate të përbashkët Gjermania, Britania dhe Franca. Mekanizmi i mosmarrëveshjes mund të çojë tani në sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.

Partnerët perëndimorë kërkojnë që Rusia të luajë rolin e nevojshëm për mosshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes në Lindjen e Mesme. Moska ka mundimtë reale të përdorë lidhjet e mira shtetërore të saj me Teheranin, që Irani të mos përshkallëzojë konfliktin me SHBA dhe të heqë dorë nga programi për armët bërthamore. Takimi i Kancelares Merkel me Presidentin Putin në Moskë, më 11.01.2020, evidentoi qëllimet e përbashkëta për qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme me Iranin dhe gjetjen e një zgjidhje për konfliktin në Libi. Nëse bëhet fjalë për Lindjen e Afërt, Libinë, konfliktin në Ukrainën Lindore, është e qartë se të gjitha këto janë tema, ku Presidenti Putin ka një ndikim të madh.

Kina është një faktor me rëndësi edhe për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme për sigurinë e paqen, ruajtjen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare të ekonomisë globale. Në ndryshim nga Uashingtoni, me politikën e njohur për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ose këmbënguljen ndaj masave shtrënguese të stilit të FMN, Kina vepron sidomos në marrëdhëniet ekonomike e tregtare për zgjidhje me barazi dhe me përfitime nga të dy palët. Kjo e ka bërë atë një partner tërheqës për vendet autokratike, si dhe vendet e zhvilluara perëndimore.

Shqipëria nuk u përmend, por u nënkuptua nga reagimi i padrejtë i Kohmeinit, udhëheqësit shpirtëror iranian, i cili e vuri në dukje si një vend i vogël i lig evropian në shërbim të Amerikës. Në opinionin publik dhe në median u diskutua rreziku i një sulmi të mundshëm me raketa me rreze të gjata veprimi nga Irani, në kundërpërgjigje ndaj amerikanëve dhe mbështetësve të tyre, si dhe të strehimit të dhënë në Durrës të kundërshtarëve të regjimit të Teheranit. Këto janë shqetësime emocionale, pasi në të vërtetë nuk ka rrezik për një sulm të mundshëm nga Irani. Udhëheqësit iranianë e dinë mirë, se Shqipëria është aleate e SHBA dhe natyrshëm mbështet qëndrimet politike e ushtarake amerikane. Opozita iraniane e vendosur në Maminas, në Durrës, në bazë të marrëveshjes me OKB-në, për arsye humanitare dhe si detyrim ndaj kërkesave të partnerëve strategjikë. Bazat ushtarake janë vendosur me marrëveshje shtetërore.

Krahas këtyre argumenteve, është e domosdoshme të reflektohet edhe në disa masave shtetërore. Shqipëria, sipas kritereve të Aleancës Atlantike, është e domosdoshme të forcojë mbrojtjen e saj dhe të mos mbështetet vetën tek SHBA dhe NATO. Siguria e emigrantëve iranianë është e garantuar nga forcat tona dhe sidomos nga partnerët. Do të ishte mirë që të mos shtohet numri i opozitës iraniane dhe të respektohet marrëveshja që ata të mos zhvillojnë haptazi propagandë politike. Me qetësimin e situatës, do të ishte me vend edhe studimi i mundësive që ata të mos jenë të izoluar, por të integrohen në shoqëri duke u shpërndarë në rrethe të ndryshme, si veprohet edhe në shtetet partnere perëndimore. Në diskutimet në median u dalluan mendime në mbështetje të udhëheqjes iraniane, u kundërshtua ideja e mbështetjes së terrorizmit nga Irani etj. Por nga opinioni publik u vërejt se u shpërdorua fjala e lirë dhe kufijtë e saj nga një analist që nuk linte radhë për të folur studiuesit, u imponohej atyre me pretendimin se njihet ndërkombëtarisht, vlerësohet nga Kongresi Amerikan, BBC etj., akuzoi me pasion Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Trump si terroristët më të mëdhenj dhe shkaktarë të gjendjes në Lindjen e Mesme. Këto reagime të përsëritura në disa raste nuk e nderojnë fjalën e lirë. Opinioni publik meriton të informohet e të mësojë të vërtetën nga studiues, analistë e specialistë me njohuritë e aftësitë profesionale, me bindje e gjykime objektive, komentues e interpretues të ideve, fakteve, ngjarjeve, dokumenteve me objektivitet, me etikë e gjykim të besueshëm. Kemi besim se gjeopolitika do të vazhdojë përpjekjet për ruajtjen e sigurisë e paqes në Lindjen e Mesme dhe zgjidhjen në kohë konfliktet politike rajonale e më të gjera.