Prof. Dr. Lush Susaj: Qeveria klanore dhe nepotike e Njëshit !

1421
Sigal

Kriza shqiptare dhe një përkufizim i Marksit mbi kapitalizmin

Qeverisja klanore e nepotike

Kakistokratët dhe krizat e tjera në energjetikë, diplomaci etj

Revolucioni i dhunshëm, sistemi i centralizuar i njëshit

“sundimi kaotik”“centralizmi socialist” dhe “partia mbi të gjitha”

 (Prof. Dr. Lush SUSAJ)

Karl Marksi (1818-1883) është filozofi gjerman që është marrë më studimin dhe analizën e ekonomisë dhe të marrëdhënieve shoqërore, përkundrejt Zigmund Frojdit (1873-1939) që kryesisht është marrë me individin dhe psikologjinë e tij. Për të kuptuar më mirë burimin e krizës së gjithanshme dhe të sherrnajës politike në Shqipëri, mjafton të kujtojmë përkufizimin e Marksit mbi kapitalizmin ku thuhet që: “Kapitalizmi është anarki e drejtuar me ligje njerëzore”. Ndërsa Frojdi (themeluesi i psikanalizës apo psikologjisë së thelluar) është shprehur se: “Tek çdo individ ekzistojnë e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja. E vetëdijshmja janë forma të censurës që ushtrojnë ndikim për të ndaluar disa veprime dhe për të mposhtur disa instinkte, ndërsa e pavetëdijshmja është pjesa e nëndheshme e psikikës ku instinktet shfaqën në mënyrën më të plotë”. Nisur nga përfundimet e këtyre filozofëve, mund ta kuptojmë edhe më mirë burimin e vërtetë të varfërisë dhe krizave të thella e të njëpasnjëshme që kanë pllakosur shoqërinë dhe shtetin shqiptarë të këtyre 107 viteve.

Qeverisja klanore e nepotike

Thelbi i prapambetjes, përçarjes, varfërisë dhe gjithë të zezave që na kanë shoqëruar në këto 107 vite qëndron tek zëvendësimi i qeverisjes së duhur demokratike e gjithëpërfshirëse me qeverisjen klanore, hajdutërore e nepotike. Qëndron tek zëvendësimi i doktrinave dhe ideologjive zhvillimore e progresiste me doktrinën marksiste të kaosit dhe të degradimit “me ligje e dëshirave njerëzore”. Qëndron tek mënjanimi dhe zëvendësimi i qëllimshëm i dijes dhe menaxhmentit krijues e të moralshëm me kakistokratë e klane të ngushta nepotike që udhëhiqen sipas parimit të njohur marksist“partia mbi të gjitha”. Kriza qëndron edhe tek zëvendësimi i misionarëve dhe shtetarëve me vetëdije, moral të pastër e të qëndrueshëm me përbindësha e derra të pangopur e të dominuar nga instinkte e sjellje të urryera e të neveritshme. Në këtë kontekst, vlen të sjellim ndërmend dy shprehje të Viktor Hygosë, ku shkruan se: Papunësia është shtypja më e madhe” dhe “Kur Zoti dëshiron ta shkatërrojë një gjë, ai ia beson shkatërrimin e saj vetë gjësë”. Në këtë kontekst do t’i lutemi Zotit që shqiptarët të reagojnë sa më shpejtë ndajë burimit të krizave e të mos meritojnë të quhen e të trajtohen si shkatërruesit e Shqipërisë dhe të shtetit të tyre.

Revolucioni i dhunshëm, sistemi i centralizuar i njëshit

Në doktrinën e Marksit thuhet që: “Revolucioni i dhunshëm është vendim njerëzor dhe domosdoshmëri historike”, përkundrejt Emanuel Kantit dhe filozofëve të tjerë që argumentojnë dhe këshillojnë rrugën e dialogut, të kompromisit dhe bashkëpunimit demokratik për reformat zhvillimore dhe rritjen e kohezionin shoqëror e politik të shoqërisë dhe institucioneve ligjore. Në këtë kontekst, mjafton të sjellim ndërmend shkaktarët e vërtetë të krizave dhe të qeverisjeve klanore që ditën bëjnë demagogji mbi paqen shoqërore, dialogun e bashkëpunimin, ndërsa natën nxisin konfliktet dhe përpiqen të shkatërrojnë çdo përpjekje dhe elementë progresiv e shtet-formues. Shqipëria është dëmtuar shumë e për një kohë të gjatë nga anarkia marksiste dhe gollofët e rritur në bollëkun e hajnisë dhe korrupsionit, e që akoma vazhdojnë të zbatojnë qeverisjen klanore, centralizmin, komandimin nga lartë (kaosin me ligje njerëzore) dhe sundimin e partisë apo klanit të tyre mbi çdo gjë. Kudo dhe kurdoherë, sistemi i centralizuar ka prodhuar dhe do të prodhojë sundimin e njëshit, imponimin e dëshirave dhe instiktive të njëshit, nënshtrimin dhe duartrokitjet për njëshin që qëndron në krye të sistemit e që vendos për çdo gjë. Në një sistem të tillë askush nuk guxon të kundërshtojë, as të japë ndonjë mendim dhe as të bëjë ndonjë analizë të pavarur. Në anarkinë marksiste që të gjithë janë servile dhe skllevër të njëshit, që të gjithë bëhen imituesit më idiotë të njëshit, bëhen shkatërruesit më të zellshëm të imazhit dhe të projekteve integruese e politike të vendit. Modeli i politikës anarkiste është konspiracioni, bunkerizimi dhe përçarja klanore e krahinore, përkundrejt modelit euroatlantik të debatit, dialogut të hapur dhe gjithëpërfshirës e përfaqësimit real në qeverisje dhe në institucione.

Specifika e krizës ciklike të këtyre 30 viteve

Kriza shqiptare e këtyre 30 viteve ka një specifikë edhe më të dallueshme e që buron nga sjellja shtetërore e politike që ka për bazë disa nga parimet e marksizmit kaotik të përmbledhura në shprehjet e njohura si“sundimi kaotik”“centralizmi socialist” dhe “partia mbi të gjitha”. Për ta bërë edhe më të dallueshëm burimin dhe mënyrën e përditshme të krijimit dhe ushqimit të krizave në Shqipëri, po sjell ndërmend mënyrën se si u përgatitën dhe u implementuan nga lartë poshtë të gjitha krizat që po rrënojnë ekonominë, politikën, demografinë, mjedisin, kulturën, diplomacinë dhe të gjitha fushat dhe arritjet tona shtetërore e politike të këtyre 107 viteve. E para dhe më e rënda është kriza e arsimit që është shkaktuar nga ligje e rregullore të hartuara nga lartë e pa asnjë përvojë dhe as bazë shkencore e shoqërore. Themi se është kriza më e rëndë dhe më e madhe për faktin që, arsimi është vetë çështja kombëtare dhe anasjelltas, dhe se pasojat e sundimit politik e militanteske të arsimit do të ndihen edhe për një kohë shumë të gjatë. Disa nga treguesit më të dukshëm të krizës së arsimit janë mungesa totale e integrimit të programeve mësimore me tregjet e punës, mungesa e debatit shkencore dhe e reagimit akademik, niveli më i ulët (krahasuar me vendet e tjera) i nxënësve dhe studentëve, niveli më i ulët i kërkimit shkencor, i numrit të markave dhe patentave në tregjet e dijes dhe krijimtarisë, etj. Në krizë të thellë është edhe bujqësia shqiptare që është baza dhe burimi më i madh i ekonomisë dhe punësimit të shqiptarëve. Edhe kriza e bujqësisë ka për bazë qeverisjen klanore nga ku burojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret korruptive e hajdutërore që shkatërruan tokën bujqësore, veprat kulluese e ujitëse. Tjetërsuan dhe shkatërruan edhe pyjet, kullotat dhe zonat turistike, etj. Me ligje dhe rregullore të diktuara e të hartuara nga lartë janë shkatërruar edhe rajonizimet, aklimatizimet dhe të gjitha strukturat varietore. Në këtë mënyrë është shkatërruar baza e eksportit dhe e gjithë baza ligjore e integruese e bujqësisë sonë në tregjet rajonale dhe evropiane. Me ligje dhe rregullore nga lartë janë deformuar e shpërdoruar që të gjitha investimet me paratë e buxhetit të shtetit dhe ato të Bashkimit Evropian. Është fjala për fonde e projekte që përfunduan në xhepat e pak njerëzve që punojnë sipas parimit“partia mbi të gjitha”, fonde dhe investime pa asnjë produkt. Me ligje nga lartë e pa asnjë konsultim nga baza janë tjetërsuar e shkatërruar edhe tokat e lira bujqësore, edhe parqet tona natyrore, edhe ujërat në rrjedhën e tyre natyrale, edhe grumbullim-përpunimi i mbetjeve urbane, edhe pasuritë minerale, etj. Që të gjitha këto shkelje janë bërë për të kënaqur interesat e ngushta të një grushti njerëzish, përkundrejt masës së madhe të shqiptarëve të lënë pa punë dhe pa mjete jetese, e që detyrohen të ikin me zëmër të plasur nga toka dhe atdheu i tyre.

Kakistokratët dhe krizat e tjera në energjetikë, diplomaci, etj

Me ligje e rregullore abuziviste e të imponuara nga lartë (për interesa të një grupi të ngushtë kakistokratësh), është shkaktuar edhe kriza e pashembullt energjetike. Vjedhja është aq e madhe sa KESH-i, në vend që kjo kompani të menaxhohej mirë e të ishte me fitime të konsiderueshme, sot na rezulton me mbi 64 milionë euro humbje. Si gjithmonë, për të tilla vjedhje e humbje 64 milionëshe, apo 150 milionëshe, apo 5 milionëshe, etj, gjithnjë të shkaktuara përmes pagave të larta, fryrjes së administratës, hyrje daljeve fiktive të bazës materiale, apo me anë të preventivave për punë të pakryera, etj, nuk mban askush përgjegjësi. Si gjithmonë pasojat i paguan konsumatori i pambrojtur e i keqshërbyer. Edhe kriza në diplomaci është shkaktuar nga oreksi dhe nga interesat e ngushta të një grupi njerëzish që janë rritur e janë mësuar me modelin e qeverisjes klanore e abuziviste. Kriza është aq e thellë sa që në vend të dialogut dhe të bashkëpunimit me Kosovën, u krijuan përplasje dhe akuza fyese e irituese të bëra pa nevojë dhe pa asnjë lloj diplomacie. Duket që atë që nuk e arriti dot Aleksandër Xhorxheviçi në vitin 1913, as Vasa Çubriloviçi dhe Cvijiçi në vitet 1918-1937, as Rankoviçi në vitet 1944-1946, etj, për dominimin e tregut, të ekonomisë, të porteve, për blerjen e pronave dhe zhvlerësimin e punës dhe ekonomisë sonë kombëtare, po arrihet përmes të ashtuquajturit “MiniShengen Ballkanik”, pa pjesëmarrjen e Kosovës dhe pa ekzistencën reale të integrimit ndërshqiptar dhe as të kapaciteteve tona minimale konkurruese. Me ligje dhe abuzime njerëzore janë shkaktuar edhe krizat tek shëndetësia, edhe kriza denatyruese e sistemit të drejtësisë, edhe kriza urbane, edhe kriza demografike dhe më e madhja që është kriza e zgjedhjeve dhe përfaqësimit demokratik. Në lidhje me fenomenin e sotëm të shpopullimit, vlen të kujtojmë faktin që në vitin 1945, Rankoviçi porosiste: “Egërsia e një shteti të mirë organizuar është mjeti më i mirë për të shkombëtarizuar Kosovën”. Ndërsa Tito në vitin 1972 porosiste “Të hapët universiteti në Prishtinë, le të jepen ligjërata, por jo dije as profesione”Shqiptarëve nuk ju intereson fiktiviteti dhe as shkatërrimi i arsimit, as i shkencës, as i mjedisit, as i bujqësisë, as i shëndetësisë, as i minierave, as i energjetikës, as i turizmit, as i ndërtimtarisë, as i bankave dhe as i kapaciteteve tona politike, administrative, menaxheriale e prodhuese, Kriza shqiptare buron nga qeverisja klanore dhe sjellja marksiste ndajë natyrës, shoqërisë dhe mendimit njerëzor. Ky model i qeverisjes duhet të marrë fund sa më parë.