Prof. Dr. Alqi Naqellari: Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në tregun e valutës, pasi me ligj është përgjegjëse për stabilitetin e kursit

766
Sigal

Banka e Shqipërisë të ndërhyjë agresivisht në tregun e valutës

 

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

 

Sot Banka Qendrore e Shqipërisë theksoi se kursi i këmbimit të lekut me euron është 122.32 me +0.01 pikë, ndërsa kursi këmbimit të lekut me dollarin është 109.33 me -0.53 pikë. Siç shihet Leku Shqiptar, ALL po vazhdon të mbiçmohet në krahasim me euron. Disa individë, duke përfshirë edhe ish ministra krenohen dhe thonë se është gjë e mirë që leku shqiptar po forcohet dhe se kjo ndikon pozitivisht në rritjen e ekonomisë. Ata që komentojnë nëpër emisione të ndryshme këtë zhvlerësim të euros e argumentojnë me rritjen e eksporteve, rritjen e remitancave, rritjen e IHD-ve, ardhjen e sezonit të verës etj. Nuk di a ka paraqitur ndokush ndonjë arsye tjetër formale, sepse për arsye apo shkaqe informale kanë folur pak njerëz dhe më së shumti kanë folur me zë të lartë të huajt evropianë apo amerikanë. Që të thuash se hyrjet e valutës janë më të mëdha se daljet duhet të japësh shifra dhe tu referohesh fakteve, sepse të flasësh teorikisht dhe ti referohesh gjendjes realisht janë dy gjëra krejt të ndryshme. Nëse ju referohemi hyrjeve dhe daljeve të valutës lehtë fare shihet se daljet janë më të larta nga hyrjet, atëherë pyetja është e thjeshtë, nga buron kjo sasi valute e cila një ditë do shterojë sepse do shterojë edhe burimi i paligjshëm i saj? Shterimi i saj do çojë në kursin normal të euros. Këtë e tregojnë shifrat kur në Shqipëri nuk bëhej fjalë për kanabis apo për burime të tjera të dyshimta të hyrjes së valutës.

Unë në analizën e fundit provova me shifra se çfarë pasojash negative në ekonomi ka mbivlerësimi lekut, se ai ndikon në frenimin e rritjes së prodhimit vendas dhe stimulimin e prodhimit të huaj. Këtë që theksova për vite të tëra të argumentuara dhe me kursin e këmbimit të euros e provon edhe kursi këmbimit dhe Bilanci Tregtar i 4 mujorit të parë të vitit 2019. Edhe në këtë vit, Tregtia e Jashtme ka ndikuar negativisht në rritjen e ekonomisë shqiptare, Bilanci Tregtar është thelluar më tej, është rritur, pavarësisht nga rritja në shifra absolute e vëllimit të eksporteve. Rritja e importeve ka qenë në një vëllim shumë më të lartë duke sjellë rritje të Deficitit Tregtar. Kjo rritje, ashtu si edhe vitin e kaluar edhe këtë vit do ndikojë negativisht, jo vetëm në treguesin e PBB-së reale, me të cilin matet rritja ekonomike e një vendi por edhe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Kjo sepse ndikon në uljen e interesit të biznesit vendas për rritjen e prodhimit të tij në raport me biznesin e huaj, çmimet e të cilit janë më të ulëta në raport me të.

Sipas INSTAT-it “Në Prill 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4,1 %, në krahasim me Mars 2019. Importet e mallrave arritën vlerën 57 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,6 %, në krahasim me Mars 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 17,4 %, krahasuar me Prill 2018 dhe me 7,3 %, në krahasim me Mars 2019”. E njëjta tendencë ekziston edhe për katër mujorin… Në katër-mujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 99 mld lekë, duke u ulur me 2,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 205 mld lekë, duke u rritur me 3,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 106 mld lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me 2018”. Deficiti Tregtar është thelluar dhe kjo ndikon negativisht në rritjen e ekonomisë shqiptare.

Banka e Shqipërisë nuk ka bërë ndonjë reagim lidhur me këtë lidhje, me dinamikën e Kurseve të këmbimit, normës së Inflacionit dhe Bilancit Tregtar. Ajo e ka për detyrë të analizojë këto lidhje dhe të reagojë pozitivisht nëpërmjet veprimeve të saj, aq sa ja lejon ligji.

Në faqen e Bankës së Shqipërisë thuhet: Banka e Shqipërisë mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë. Me rezervë valutore të Republikës së Shqipërisë do të kuptojmë të gjitha ato aktive të shprehura në monedhë të huaj, që i janë vënë ose do t’i vihen në administrim Bankës së Shqipërisë, mbi bazën e marrëveshjeve të nënshkruara për këtë qëllim, me synim mbajtjen dhe administrimin e tyre.

Rezerva valutore shërben për të:

  • Përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm;
  • Mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit;
  • Mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.

Pra e thënë ndryshe, rezerva valutore shërben për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit”.

Atëherë Banka e Shqipërisë ka për synim jo vetëm të sigurojë valutë për mbulimin e importeve por edhe për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit.

Në këto kushte a duhet Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në tregun monetar duke blerë euro

Për mendimin tim Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë agresivisht duke rritur dukshëm rezervat e saj valutore, sepse është moment i duhur për të stabilizuar tregun e valutës. Këtë rezervë valutore fare mirë mund ta përdori edhe qeveria për shlyerjen e borxheve të jashtme të saj. Këtë ndërhyrje Banka e Shqipërisë e ka të mbështetur edhe në detyrimin që ajo ka në llogaridhënie para Kuvendit të Shqipërisë. Nga 4 pika përgjegjësi 3 janë vetëm për politikat e kredisë dhe të kurseve të këmbimit.

Konkretisht:

Banka e Shqipërisë objektivin e saj kryesor e ka të përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit NR.8269, DATË 23.12.1997 PËR BANKËN E SHQIPËRISË si dhe në Nenin 4 të Statutit të vet Bankës. Në Nenin 2 të ligjit thuhet:

  1. Banka e Shqipërisë përgjigjet para Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.
  2. Jo më vonë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në interval gjashtëmujore pas kësaj, Banka e Shqipërisë i dorëzon Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë një deklaratë, e cila përmban:
  3. a) Vlerësimin mbi arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve për periudhën e mëparshme gjashtëmujore, si dhe parashikimin për gjashtë muajt e ardhshëm;
  4. b) Vlerësimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore të zbatuar nga Banka e Shqipërisë për periudhën e mëparshme gjashtëmujore;
  5. c) Përshkrimin dhe vlerësimin e politikave monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore që do të ndiqen nga Banka e Shqipërisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm;

ç) Përshkrimin e parimeve që do të ndiqen nga Banka e Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore gjatë dy viteve të ardhshëm ose për një periudhë kohe që e cakton Banka e Shqipërisë.

Sipas këtij ligji Banka e Shqipërisë i dorëzon Kuvendit një Deklaratë me 4 Kërkesa. Në kërkesën e parë kërkohet vlerësimi për realizimin e objektivit kryesor “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve” për 6 mujorin e kaluar dhe parashikimet për 6 mujorin e ardhshëm. Në të tre kërkesat e tjera kërkohet vlerësimi politikave monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore, për 6 mujorin e kaluar, 6 mujorin e ardhshëm dhe përshkrimin e parimeve për dy vitet e ardhshme.

Banka e Shqipërisë në mënyrë të vazhdueshme, në Kuvend, në Mbledhjet e Këshillit të Mbikëqyrjes etj., ka dhënë llogari për realizimin e objektivit kryesor. Objektivi kryesor ka qenë gjithmonë i realizuar, megjithatë ajo të paktën që nga vitit 2008 e në vijim ka aplikuar politika ekspansioniste monetare duke ulur normën e REPO-ve nga 6.25% në 1%. Këto politika ekspansioniste nuk kanë pasur asnjë efekt në normën e inflacionit sepse koeficienti korelacionit për këtë periudhë midis këtyre treguesve është në madhësi të papërfillshme dhe në shumë raste është pozitiv.

– Ulja e Normës Bazë të Interesit, përveç pasojave të tjera, ka bërë që të ulet edhe fitimi i Bankës Qendrore, duke e çuar këtë fitim në minimumin historik të saj. Nga viti 1993-2016 dinamika e këtij fitimi ka qenë:

-Inflacioni me përjashtim të vitit 1997 në asnjë vit tjetër nuk ka pasur problem. Arsyet janë dhënë prej shumë ekonomistëve shqiptarë dhe të huaj. Unë po përmend vetëm tre, niveli ulët i prodhimit, inflacionin e importuar dhe tregu monetar miks. Në katër muajt e parë IÇK dhe Norma e inflacionit(sipas INSTAT) kanë qenë:

 

Indeksi çmimeve të konsumit

2019-01 2019-02 2019-03 2019-04
352.9 355 353.9 353

 

Norma e inflacionit

  2019-01 2019-02 2019-03 2019-04
Inf. Synimi 3 3 3 3
Inf. Fakti 1.9 1.7 1.1 1.4

 

Grafiku dinamikës

-Është e rëndësishme që Banka e Shqipërisë të mbajë përgjegjësi për dy treguesit e tjerë, për “Politikat e Kreditit” dhe “Politikat e Këmbimeve Valutore”. Të dy këta tregues janë të lidhur direkt me rritjen e ekonomisë shqiptare. Këta dy tregues përgjithësisht analizohen shkarazi dhe jo me themel.

Këta dy tregues nëse janë si detyrim i Bankës për ti pasqyruar në Deklaratën e saj në Kuvend nuk kanë ndonjë peshë në Objektivat e saj të përcaktuar në Ligjin e 1997 të sipërcituar(bile ndihmën si koncept unë nuk e perceptoj si objekt të askujt, e veçanërisht të një Banke Qendrore). Kjo mbase mund të jetë arsyeja që Banka e Shqipërisë nuk i kushton vëmendjen e duhur në politikat e saj monetare këtyre dy treguesve shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Në këtë Ligjin Për Bankën thuhet: NENI 3.

  1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.
  2. Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit.
  3. Objektivat e tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut.

Siç shihet askund nuk përcaktohen se cilët janë treguesit e tjerë që duhet të synojë Banka Qendrore për ti realizuar. Ajo sipas pikës 2 nxit zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore. Këtu nuk sqarohet se çfarë kuptohet me regjim dhe çfarë kuptohet me sistem, dhe cila është përgjegjësia e saj. Nxitja nuk është objektiv, aq më keq të konsiderohet si e tillë ndihma. Në po këtë pikë thuhet se ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare kredituese… dhe më tej duke dhënë këtë ndihmë ajo e jep sepse mendon se është në mbështetje të stabilitetit dhe… të zhvillimeve ekonomike të vendit. Pra shikoni sesa fluide dhe të papërcaktueshme janë mendimet e shkruara në këtë ligj. Ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo është një shprehje shumë interesante dhe me shumë interes, sepse nuk është njësoj si të thuash rritje e PBB-së dhe zhvillim ekonomik i një vendi. Për mendimin tim për vitin 2018 u theksua, dhe Banka Qendrore e quajti edhe kontribut të saj, se rritja ekonomike (PBB reale) ishte me 4.1%. PBB mund të jetë rritur, pa dyshim, por rritja e saj u theksua se erdhi më së shumti edhe nga rritja e shitjes së energjisë elektrike të prodhuar e cila nuk qe as meritë e BQ-së dhe as meritë e qeverisë. Po rritja e PBB-së nuk tregon që kemi zhvillim ekonomik, përkundrazi është rritja e një treguesi të paqëndrueshëm. Është tregues i paqëndrueshëm sepse këtë vit që nuk ka rënë shi të ardhurat nga shitja e energjisë janë ulur me qindra milionë euro. Ky sektor nuk tregon për një zhvillim të qëndrueshëm por për një rritje rastësore në vartësi të kohës, rritja e qëndrueshme dhe zhvillimi i ekonomisë është i lidhur me investimet prodhuese, me krijimin e linjave të prodhimit, të industrisë së rëndë, të industrisë së lehtë e agro-përpunuese, etj. Në këtë mënyrë zhvillimi i ekonomisë mund të karakterizohet nga një sërë treguesish të cilët ndikojnë në rritjen e numrit të individëve të punësuar.

Për këto arsye dhe të tjera Banka e Shqipërisë, me iniciativën e vet duhet ti kërkojë Parlamentit shqiptar rishkrimin e këtij ligji ku të përcaktohen si objektiva edhe qëndrueshmëria e sistemit financiar, edhe rritja e qëndrueshme ekonomike në funksion të zhvillimit të ekonomisë e rritjes së shkallës së zënies në punë.

Theksoj edhe njëherë, se pa droje dhe me përgjegjësi të plotë, Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë fuqishëm në tregun e valutës duke blerë euro. Është momenti më efikas për të rritur rezervat e saj valutore dhe të vendit në tërësi. Nuk është kufi limiti rezervave valutore në 4 muaj importe. Avancimi rezervës do ishte një mundësi e artë për Bankën Qendrore dhe për vetë Qeverinë sepse do të krijonte mundësi për të rritur fitimet, kontributin në Buxhetin Fiskal dhe mundësi për shlyerjen e kredive në valutë.