Prof.Dr. Agron F.Fico: Një kafe guri me Kadarenë

121

Prof. dr. Agron F. Fico, HC

NJË KAFE GURI ME KADARENË

Vitin e kaluar në Brazil do të mbahej Kongresi botëror i kafesë. Midis lajmeve më të habitshme për pjesëmarrësit në këtë ngjarje të veçantë botërore për pijen më të pëlqyer të banorëve të rruzullit tonë tokësor më befasoi një njoftim nga Jemeni. Pronari i plantacioneve të kafesë Moka, Abdyl Al Salah, në mes rreziqesh për jetën në Jemenin e trazuar nga luftërat civile dhe praninë usharake të Arabisë Saudite, kishte mundur vetëm me një valixhe me kafe Moka të  kapërcente nga  porti i Adenit  në detin e Kuq, që të merrte pjesë në Kongresin e Kafesë në Rio de Zhaneiro, kryeqytetin e Brazilit. Kongresi botëror i kafesë me pjesëmarrjen e dhjetëra e dhjetëra kompanive të mëdha nga të katër anët e rruzullit tokësor me lloj-lloj emra kafesh ishte i paplotë. Kjo nuk ishte vetëm një çështje organizative, por thelbësore, sepse atje mungonte përfaqësuesi i kafesë së gurit të Gjirokastrës. Udhëtimi i zoti tAbdyl Al Salah, pronari i kafesë së njohur Moka të prodhuar në Jemenin jugor, që vraponte përmes Adenit për në kongresin e kafesë, më ngjalli një kujtim të bukur dhe keqardhës. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar  për të shkuar në Pekin të Republikës Popullore të Kinës, si profesor i gjuhës shqipe, m’u deshën 24 ditë udhëtimi përmes detesh dhe oqeanesh me vaporin shqiptar “Vlora”. Në këtë udhëtim fantastik  zbritëm në disa porte. Pasi kaluam kanalin e Suezit, hymë në detin e Kuq dhe “pas tri ditë udhëtimi ndodheshim përballë portit të lirë të Adenit. Vapori ‘Vlora’ hodh spirancën. Unë me Lirinë, komisar Emrushin dhe një grup marinarësh zbritëm në Aden, në  hyrje të tij. Emrushi bleu disa shishe me koka-kola dhe na i dha. Ishte  hera e parë që po shijoja këtë pije ‘të mallkuar’ nga ideologjia komuniste, që e cilësonte si ‘produkt kapitalist që helmon ndërgjegjen e njeriut…’Ky ishte pagëzimi im i parë me botën kapitaliste.” (A. F. Fico –“Profesor në tre kontinente”, 2004, Nju Jork, f.75.) Keqardhja ime është sot se nuk e dija dhe nuk kisha dëgjuar në kushtet e izolimit të plotë të Shqipërisë nga i quajtur rrethimi kapitalisto-revizionist se kishte edhe një kafe me emrin Moka.Kështu kisha humbur një rast të papërsëritshëm që këtë kafe ta pija në vendlindjen e kafesë.. Muzikologu dhe miku im Naxhi Kasoruho ka botuar një ese mjaft interesante për magjinë e Kafesë së Gurit të Gjirokastrës. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Në një qytet që prodhon njerëz të shquar, që ka shtëpi të mëdha si katedrale dhe një popull aristokrat dhe gra-zonja, do të kishte edhe kafenë e vet. Nuk dihet të ketë ndonjë dokument, qoftë edhe në formë kujtimesh, për kafenë e gurit të Gjirokastrës. E përbashkëta është se kjo kafe e ka të veçantë erën e kafesë dhe ka një shije të lehtë dehëse. Ajo përgatitet në xhezve bakri njëshe dhe zien në zjarr prej druri lisi. Një shpjegim me interes për këtë “enigmë” të kafesë së gurit në Gjirokastër na i jep inxhinier arkitekt Arjan Muço. Ai thotë se guri nga i cili punohej “guri i kafesë”, siç njihet në qytetin e Gjirokastrës, merrej nga mademet e përroit të Çullos, që ishin gëlqerorë, lehtësisht të punueshëm. Ndërsa gurët e malit të Gjerë ose të Lunxhërisë ishin të fortë dhe të papunueshëm. Kishte mjeshtra që i punoninkëta gurë në formë dybeku me majë, që futeshin në dheun e haurit. Zakonisht aty vendoseshin. Në Gjirokastër Faslli Hashorva njihej  si tregtar me tetë gurë kafeje, që merrte dhe e bluante kafenë e pastaj ua shiste të bluar lokaleve që shërbenin kafenë. Pse shija e kafesë së gurit është e veçantë? Arjani ka një shpjegim befasues. Shikoni, thotë ai, stomakun e pulave ose thëllëzave. Në to gjen guralecë, që ndihmojnë tretjen e ushqimit. Këtë nevojë e ka edhe stomaku i njeriut. Nga shtypja e kafesë me një qysqi hekuri të posaçëm dhjetëra e dhjetëra herë shkëputen ca cifla guralecësh të imtë qëi japin shije të veçantë kafesë. Në Gjirokastër çdo gjë është gur: muri, çatia, rruga, madje edhe ajo më e veçanta, kafeja, që në një togfjalësh quhet “Kafe e Gurit”. Kafeja, pirja e kafesë,mënyra e pjekjes, e rrahjes në dybekun e gurit, ruajtja e kafesë në pisus (dy kuti të rumbullakta llamarine,secila me kapak, të ngjitura në mes), si dhe përgatitja e saj, bëhej nga zonjat. Kafeja përgatitet në xhezve bakri njëshe, që zien në zjarr me dru lisi. Shërbesa e kafesë ishte një tjetër sqime aristokratike. Ajo vihej në tepsi të zgjedhura, sipër një dantellë dhe krahas filxhanit tëkafesë vihej edhe gota e ujit. Ndonjëherë vihej edhe ndonjë fletë manxurane, që e bënte më të këndshme pirjen e kafesë.Ja si i thur lavdi Kadareja kesaj oborrësieqytetare gjirokastrite:

Po vjen takëmi i kafesë,

Si ferman që del nga mbreti.

Ritual që shumëkujt mund t’i dukej shenjë dinjiteti aristokratik, madje, t’i  zgjonte adhurim (Kadare: Darka e gabuar, 2008, f.111.)

Ky adhurim për kafenë e gurit ishte gjithëpërfshirës në këtë qytet të gurtë, në këtëguror. Po sjell një rast të veçantë. Në tetor 1943 ushtria gjermane erdhi në Gjirokastër. Erdhi me bubullima dhe egërsi. Një njësit partizan, me një veprimtari të pamatur, në hyrje të qytetit kishte qëlluar dhe plagosur ushtarin e një motoçiklete, që ishte pararoja e ushtrisë gjermane. Qyteti u rrethua me tanke dhe ishte në prag të shkatërrimit nga zemërimi gjerman. Një grup qytetarësh me në krye doktor Labovitin e madh me flamur të bardhë dolën përpara komandatit të ushtrisë gjermane dhe gjakërat u qetësuan. Më vonë u mor vesh se doktor Llaboviti me kolonelin gjerman Fritz von Schvaben njiheshi në vitet e studimit të doktorit në Mynih. Kjo ngjarje është pasyruar artistikisht e plot magji nga shkrimtari i madh Kadare tek romani Darka e gabuar.

Një njësit prej 4-5 gjermanësh u vendosën në kopshtin e brendshëm të shtëpisë sime.  Flisnin me zë aq të lartë sa dukej sikur ziheshin. Mbeta i lebetitur.

Nëna, një mëngjes, pasi kishte pjekur dhe shtypur kafenë me gurin e kafesë, më tha  çuditshëm:

-Po sikur t’u bëj një kafe guri këtyrë ushtarëve gjermanë?!

Unë i frikësuar gjer në palcë nga ushtarët, futa kokën nën fustanin e saj të zi dhe nuk fola.

Pas disa ditëve, me kureshtjen e fëmijës dhjetëvjeçar, e pyeta:

-Nënë, ç’ishte ajo fjalë për kafenë gjermanëve të liq?

-Po jo, mor bir,se ata nuk janë vagabondë, si italianët. Një ditë – vazhdoi ajo – po shkonim me teto Behançen për një ngushëllim. Disa ushtarë italianë, duke qeshur,na thanë ca fjalë të turpshme.

-Po ti nuk di të shkruash as shqip, si i more vesh fjalët e italianëve?

-E po e liga kuptohet…!

Te romani Darka e gabuarKadare shkruan:“Dihej prej gjithkujt sjellja e druajtur, gati turpanjoze e ushtarakëve gjermanë ndaj femrave vendase, besohej se kishte urdhër për këtë”. (Darka e gabuar, 2008, f.77.)

Jeta që është magjia më e bukur, por edhe më e pashpjegueshme, të sjell herë-herë befasi të rralla. Në maj 2009 isha për herë të parë në Paris dhe ndodhi që hoteli “Cujas” gjendej afër vilës së banimit të Kadaresë. Madje që ditën e parë të mbërritjes sonë nga Nju Jorku krejt rastësisht u takuam me Kadarenë dhe Helenën. Në mëngjesin e dytë të qëndrimit në Paris, ndërsa rrija ulur në lokalin përballë Kopshtit të Luksemburgut, u duk Kadareja që kapërceu udhëkryqin e rrugës St. Michel dhe po vinte nga rrija unë. U përshëndetëm dhe më ftoi në kafenenë ngjitur me lokalin, por nga habia dhe hutimi nuk kisha vënë re se si quhej kafeneja që hyra. Kisha pirë kafe në “Rostand”, pa e ditur që quhej “Rostand”. Kafeneja, siç shkruan te libri “Mëngjeset në Kafe Rostand”, mësojmë  se është qendër e intelektualëve dhe shkrimtarësh e artistësh të njohur, por nuk ka ndonjë feksje mobilimi. Në Tiranë gjen shumë kafene të bukura dhe nga luksi i tyre mbetesh i befasuar.  Në kafenetë tona të Tiranës klienti hyn në mëngjes, porosit filxhanin me kafe dhe largohet për drekë. Dhe arsyeja, sipas meje, është se pronarët e kafeneve të Tiranës për të krijuar një mjedis tërheqës për klientët, shumica të rinj të moshës 16-17 e gjer në 22e 23 vjeç, vënë një të ashtuquajtur muzikë që vetëm melodi nuk është.Kjo mpirje mendore dhe shushatje e klientëve e bën tejet të zgjatur qëndrimin në kafenetë tona. Ndërsa pronari i “Kafe Rostand”, siç na thotë Kadare, lejon edhe klientë me qen, që të mund të shpejtojë largimin e klientëve dëshirë-qëndrues. Kadareja, siç e përmend ai vetë, kishte një vend të parapëlqyer dhe me një dosje me plot fletë të shkruara dhe të bardha, mjetet e punës së vet. E ç’mund të bisedonin dy gjirokastritë në një kafene të Parisit për qytetin e tyre,Gjirokastrën, kur njëri jetonte prej vitesh në Paris, ndërsa unë banoja në Nju Jork, përveçse kujtuam vitet e rinisë shkollore në gjimnazin “Asim Zeneli”; por u fjalosëm edhe për çështje të kulturës, botimeve, letërsisë dhe gjuhës. Një të shtunë të atij maji madje shkuam për vizitë tek familja Kadare. Na pritën me oborrësi dhe bëmë plot biseda të këndshme. E zonja e shtëpisë, ajo grua me shtatë nure, Helena, na gostiti edhe kafe me ajkë, por nuk ishte si kafeja e gurit e Gjirokastrës. Kudo që kisha qenë, jetuar dhe punuar: në Amerikë, në Azi (Kinë), ose Europë, nuk kisha pirë ndonjë kafe, pavarësisht nga lokalet luksoze dhe me muzikë klasike, që të kishte erën dhe shijen magjike të kafesë së gurit të Gjirokastrës. Vitin e kaluar shkrimtari ynë i shquar i rruzullit tokësor, Ismail Kadare, fitoi disa çmime-nderimi të larta, si “Nobelin e Amerikës”, atë të Koresë së Jugut dhe mbi të gjitha “Komandant i Nderit i Legjionit të Francës”. Të gjitha këto, dhe 28 janari, ditëlindja e tij, janë gëzime njerëzore që  po i festoj gjirokastritçe, me një Kafe Guri, mënyra më e bukur për të nderuar njeriun fisnik Kadare dhe universin e tij të pamasë letrar, aty ku hapi për herë të parë sytë e jetës dhe ku i ka rrënjët e përjetësisë.