Prof. Dr. Adrian Civici: Rritja të orientohet nga turizmi, bujqësia dhe teknologjia

771
Sigal

Rritja duhet të orientohet nga turizmi, bujqësia dhe teknologjia

Flet Prof. Dr. Adrian CIVICI, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Me një përvojë akademike dhe profesionale në fushën e ekonomisë Z. Civici mendon se, duhet një platformë për zhvillim serioz dhe të qëndrueshëm të turizmit dhe bujqësisë, pa lënë pas teknologjinë. Zgjerimi dhe modernizimi i sektorit të energjisë, qoftë si kapacitete prodhuese, qoftë si diversifikim të burimeve të prodhimit të energjisë, qoftë si kosto e prodhimit të saj; zgjerimin e sektorëve prodhues apo të shërbimeve që aplikojnë teknologji të reja eficente, nivele të larta automatizimi e digjitalizimi, startup e programe të inteligjencës artificiale, etj.; dhe mbi të gjitha, përmirësimin e sektorit arsimor, veçanërisht atë profesional, evidentoi ai, si drejtime që sigurojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Cilat janë, sipas jush, shkaqet kryesore që kanë sjellë përgjysmimin e rritjes ekonomike këtë vit?

Shifrat e INSTAT për rritjen ekonomike në Shqipëri, respektivisht 2.2% në tremujorin e parë dhe 2.3% në tremujorin e dytë të vitit 2019, si dhe ulja e ndjeshme e parashikimit të Bankës Botërore për rritjen ekonomike të vendit nga 3.7% në 2.9% për 2019 janë tregues pesimistë për standardet dhe dinamikën e ekonomisë shqiptare. Megjithëse në pamje të parë, viti 2019 duket si një “vit i mbrapshtë”, ose si një lloj “grope” në ecurinë tendenciale të rritjes ekonomike, pasi vijmë nga një vit 2018 me rritje ekonomike rreth 4.2%, ndërkohë që edhe Banka Botërore për 2020 parashikon përmirësim të treguesit të rritjes ekonomike në nivelet 3.5%, të paktën si “potencial i rritjes së ekonomisë shqiptare”, përsëri, shqetësimi mbetet i lartë. Në shembuj të tjerë të ngjashëm, faktorët kryesorë që godasin rritjen ekonomike janë me natyrë koniunkturore me efekte të përkohshme, por në analizën e shkaqeve dhe faktorëve që kanë prodhuar këta tregues pesimistë për 2019, duket se shkaqet anojnë më shumë nga faktorët strukturorë me ndikim afatgjatë. Si shkaqe kryesore të kësaj situate do të veçoja:

  1. Destabilitetin e prodhimit në sektorin energjetik, i cili rezulton mjaft deficitar në 6-mujorin e parë të 2019, duke vazhduar të jetë i varur konsiderueshëm nga faktorët klimatikë, sëmundje që vazhdon të shfaqet prej 2 apo 3 dekadash në Shqipëri;
  2. Mungesën e zëvendësimit të shpejtë të disa prej Investimeve të Huaja Direkt që kanë ndikuar shumë pozitivisht në rritjen ekonomike të 4-5 viteve të fundit, të tilla si TAP apo kaskada e Devollit;
  3. Dobësitë në eksportet shqiptare, të cilat, në varësi me sektorët dhe shërbimet ose rriten me ritme tejet të ngadalta ose akoma më keq, në disa sektorë jetikë janë tkurrur; fuqia e dobët e kërkesës së brendshme;
  4. Konfliktualiteti i lartë politik ka prishur mjaft elemente të klimës së biznesit, duke ndikuar negativisht në zgjerimin e investimeve private, kërkesën e dobët për kredi bankare, përdorim nën kapacitetet të potencialeve prodhuese të mjaft bizneseve etj.;
  5. Performanca e dobët e disa ndërmarrjeve të rëndësishme publike sidomos në sektorin e energjisë dhe ujit që kërcënojnë herë pas here buxhetin e shtetit; ndikimi direkt dhe indirekt i situatës së vështirë ekonomike të disa prej partnerëve tanë tregtarë në rajon dhe më gjerë.

A mendoni se duhet rishikuar modeli ekonomik në drejtim të burimeve më produktivë të rritjes?

Ky është tashmë një shqetësim dhe një debat disavjeçar në Shqipëri. Më shumë se sa modeli ekonomik, do të nënvizoja termin “modelim ekonomik i strukturës së kontributit të sektorëve të veçantë në PBB”. Analiza të specializuara të indikatorit të rritjes ekonomike dhe “sjelljes” së tij në Shqipëri në dekadën e fundit, dëshmojnë se kemi disa sektorë apo degë të ekonomisë që çdo vit e më tepër po rezultojnë me potenciale të ezauruara ose e shprehur ndryshe, me kontribut gjithnjë e më të vogël në rritjen e PBB. Detyra kryesore e politikave ekonomike në tërësi dhe elementeve të veçantë të tyre në veçanti, si politika fiskale, buxhetore, investimet publike, etj., është orientimi dhe stimulimi i financimeve private, investimeve publike, PPP, IHD etj., drejt sektorëve ekonomikë më produktivë e dinamikë në raport me rritjen ekonomike dhe punësimin. Në parim, pranohet argumenti se “është tregu i lirë ai që dikton alokimin e burimeve” dhe çdo lloj ndërhyrje publike dëmton eficencën e investimeve dhe alokimin optimal të burimeve por, nga ana tjetër, kjo nuk përjashton nevojën që të hartohen e zbatohen politika ekonomike me “synime të targetuara qartë” në drejtim të zhvillimit të sektorëve më produktivë, politika të një punësimi më cilësor, të rritjes së cilësisë së profesionalizmit dhe aftësive të kapitalit njerëzor; largpamësi dhe vendosmëri më të madhe në zbatimin e reformave të rëndësishme strukturore etj. Shqipëria vazhdon të jetë vendi me nivelin më të ulët të produktivitetit në rajon e më gjerë. Çelësi i rritjes së dobët ekonomike qëndron pikërisht te niveli i ulët i produktivitetit që nënkupton një strukturë e aktivitet ekonomik aspak cilësor, një strukturë kapitali e investimesh larg përdorimit të teknikave e teknologjive të reja moderne etj. Pikërisht për këtë arsye, e kemi ende të vështirë të flasim për “rritje ekonomike cilësore”, për “rritje ekonomike gjithë përfshirëse”, ndërkohë që vazhdojmë të mbetemi në kushtet e një rritjeje ekonomike sasiore apo rritje ekonomike përjashtuese.

Çfarë sektorësh duhen mbështetur dhe si duhet të veprojë qeveria?

Sektorët kryesorë që duhen mbështetur më shumë dhe me përparësi, sektorë që në njëfarë mënyre shprehin potencialet e rritjes ekonomike mendoj se janë:

  • Sektori i turizmit i konceptuar në të gjithë dimensionet e tij – turizëm detar veror, malor, agroturizëm, shëndetësor, turizmi i aventurës, kulturor, etj. Në dy vitet e fundit, ndikimi i të ardhurave nga turizmi në PBB është rritur ndjeshëm. Ne duhet të synojmë që niveli i ndikimit të turizmit në PBB të jetë në nivelet 25-28% të PBB;
  • Zhvillimi i bujqësisë dhe agroindustrisë, sektorë që vazhdojnë të jenë ndjeshëm nën potencialet e tyre kontribuuese në PBB;
  • Zgjerimi dhe modernizimi i sektorit të energjisë qoftë si kapacitete prodhuese, qoftë si diversifikim i burimeve të prodhimit të energjisë, qoftë si kosto e prodhimit të saj;
  • Zgjerimi i sektorëve prodhues apo të shërbimeve që aplikojnë teknologji të reja eficente, nivele të larta automatizimi e digjitalizimi, startup e programe të Inteligjencës Artificiale etj.; dhe mbi të gjitha,
  • Përmirësimi i sektorit arsimor, veçanërisht atij profesional.

Përveç ndikimit tejet negativ në ekonominë shqiptare të efekteve të emigracionit e largimit të trurit, edhe një pjesë e konsiderueshme e burimeve të punës që janë në Shqipëri, kanë ende nivele të ulëta kualifikimi e formimi profesional. Gjithnjë e më tepër bizneset shqiptare po vuajnë si nga mungesa e stabilitetit të burimeve të punës, ashtu dhe nga cilësia e dobët profesionale e tyre. Kjo situatë po shndërrohet në një shqetësim me natyrë strukturore, çka përkthehet si ndikim negativ me efekte e pasoja afatgjata negative.

Si do të ndikojë rënia e ritmeve të rritjes në treguesit e tjerë të ekonomisë?

Për nga vetë specifikat e saj, rritja ekonomike është një tregues kompleks, agregat me efekte zinxhir në shumë tregues të tjerë të ekonomisë, qofshin këta pozitivë, kur rritja ekonomike është e lartë, apo negativë, kur ajo është e ulët. Në rastin konkret, në këtë situatë që ndodhemi për vitin 2019 (megjithëse besoj se treguesi i rritjes ekonomike për tremujorin e tretë do të jetë më i lartë si pasojë e efekteve të sezonit turistik), efektet negative të pritshme do të reflektohen në uljen e të ardhurave buxhetore e fiskale, veçanërisht ato nga TVSH, e cila është lakmuesi më direkt i dinamikës ekonomike; rritjen e deficitit buxhetor.

Banka Botërore parashikon një rritje të deficitit buxhetor në nivelet 2.2% nga 1.9% të planifikuar;

  • Vështirësi në krijimin e vendeve të reja të punës;
  • Vështirësi më të mëdha në uljen e nivelit të borxhit publik, rimbursimin e TVSH dhe shlyerjen në kohë të detyrimeve të qeverisë kundrejt biznesit;
  • Vështirësi më të mëdha në financimin e arsimit dhe shëndetësisë apo realizimin e politikave sociale në përgjithësi;
  • Frenim të rritjes së pagave si në sektorin privat, ashtu dhe në atë publik;
  • Frenim të “urisë” së biznesit privat për të marrë kredi dhe për të zgjeruar aktivitetin prodhues etj.