Presidenti Meta-Reference kushtetuese dhe ekulibri politik

827
Sigal

Prof. Lisen Bashkurti

Mbas deklaratës së Presidentit Meta të bërë kohët e fundit lidhur me krizën politike dhe institucionale në Shqipëri dhe qëndrimin e tij lidhur me të u bënë shumë përpjekje nga politikanë, analistë dhe gazetarë të ndryshëm për interpretimin e saj. Mbi të gjitha tërhoqi vëmendjen publikimi i kësaj deklarate në më shumë se 180 media ndërkombëtare, agjensi dhe portale në mbarë botën.

Nga tërësia e interpretimeve dhe komenteve rreth deklaratës së Presidentit Meta për krizën politike dhe institucionale në Shqipëri bien në sy interpretime dhe komente politikisht të motivuara, patalogjikisht të infektuara, konjukturalisht të ndikuara, pragmatikisht të abuzuara. Por, jashtë dhe pavarësisht këtyre interpretimeve dhe komenteve të cekta, mund të vërehet se shumica e mediumeve që u morën me deklaratën e Presidentit Meta arritën në dy konkluzione shumë realiste dhe të rëndësishme për tu konsideruar seriozisht nga të gjithë faktorët lokalë dhe ndërkombëtarë, që në një mënyrë apo tjetër merren me Shqipërinë ose janë të interesuar për të.

1.    Presidenti Meta-Reference kushtetuese

Kriza shqiptare ka hyrë në një fazë të avancuar, komplekse dhe të paqartë në zgjidhjen e saj e saj. Këtë karakter kompleks, kaotik dhe konfuz në adresimin e saj kriza aktuale shqiptare e ka kryesisht për shkak të vakumit institucional të shkaktuar nga ecuria e reformës në drejtësi, e cila për momentin e ka lënë vëndin pa Gjykatë Kushtetuese, ku do të duhej të ballafaqoheshin palët, qëndrimet, vendimet dhe ligjet bazuar në konstitucionalizëm.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, pa pikë dyshimi është shprehje e paaftësisë parashikuese të ideatorëve dhe realizuesve të reformës në drejtësi, të cilët e kanë lënë vëndin të ekspozuar pa konstitucionalizën në një prej periudhave më të rëndësishme të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit ligjor. Ky vakum shumë serioz ka bllokuar procese të brëndshme, procese të marrëdhënëieve fqinjësore, të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit Evropian.

Në këto kushte shumë të rënda është vetëm Presidenti i Republikës, z. Meta që po bën përpjekje shumë serioze për t’u shndërruar në referencë kushtetuese për vëndin. Në praktikën afro 30 vjecare që kemi ndeshur mbas viteve ‘90-të është e para herë që një President i Shqipërisë ka bërë kaq përpjekje për të vendosur cdo deklarim, cdo qëndrim, cdo veprim, cdo akt ligjor në suazën e interpretimit kushtetues.

Natyrisht që ky veprim i admirueshëm dhe i vlerësueshëm i Presidentit Meta është diktuar nga vakumi i Gjykatës Kushtetuse, por parasëgjithash nga përgjegjësia e lartë institucionale e vetë Presidentit, që edhe në mënyrë të sforcuar ka bërë gjithë përpjekjet për arsyetim kushtetues dhe vetëm kushtetues të deklarimeve, qëndrimeve, veprimeve dhe akteve ligjore të ndërmarra prej tij. Me këtë përgjegjësi Presdienti Meta ka amortizuar në një masë të konsiderueshme mungesën e Gjykatës Kushtetuese, natyrisht aq sa e lejon statusi i tij kushtetues dhe kuadri kohor i veprimeve të tij.

2.    Presidenti Meta-Pikë ekulibri politik

Kriza aktuale e Shqipërisë nuk ka nisur sot dhe as në mënyrë të papritur. Simptomat e saj janë dhënë prej disa kohësh. Duke mos u konsideruar seriozisht dhe duke mos u adresuar në kohën dhe në mënyrën e duhur, këto simptoma krize kanë ardhur duke u zgjeruar si rrathë koncentrik duke përfshirë thuajse të gjitha fushat e jetës së vëndit, politike, institucionale, ekonomike, sociale, psikologjike dhe shpirtërore. Madje kohët e fundit kriza e Shqipërisë, deri pak kohë më parë kryesisht e brëndshme, po shndërrohet edhe në krizë marrëdhnëniesh fqinjësore, rajonale, Evropiane dhe ndërkombëtare.

Në thelbin e vet kriza aktuale e Shqipërisë është krizë politike, shpaloset qartë si krizë midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare, për konseguencë ka marrë dimensionet e një krizë të demokracisë, të tipareve, vlerave dhe institucioneve të saj. Qëndra e krizës gjeneroi nga Parlamenti Shqiptar. Kulmoi në Parlamentin Shqiptar. Dha goditjen më të madhe në Parlamentin Shqiptar. Mirëpo duke qënë se sistemi politik shqiptar është Republikë Parlamentare, demokratike, pluraliste kriza parlamentare gjeneron në të gjitha fushat dhe në të gjitha dimensionet e saj. Por, kyci i krizës është politika.

Në kushtet e krizës nga më të përkeqësuarat politike në vënd po thellohet polarizimi politik, po përkeqësohen marrëdhëniet midis qeverisjes qëndrore dhe vendore, po rëndohet skajshëm situata ekonomike dhe pasojat sociale dhe po tronditen rëndë marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, rajonin, BE dhe më gjërë.

Në këtë mjedis politik traumatik, të polarizuar dhe konfrontues është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës, z. Meta që po mban qëndrime, po bën deklarime dhe po përpiqet të ndërmarrë veprime për të ruajtur ekulibret politike në vënd. Presidenti Meta në mënyrë konstante dhe të përsëritur ka qënë këshillues, kritik dhe qortues për situatën e përkeqësuar, duke vënë gishtin tek shkaqet dhe tek shkaktarët. Presidenti Meta ka ruajtur distancimin ndaj palëve, ka evituar përshfirjen direkte në polarizimin politik, ka kritikuar qëndrimet e veprimet arrogante të mazhorancës dhe ekstreme të opozitës, ka apeluar për dialog politik midis palëve, ka bërë thirrje që palët të bashkohen në një pakt kombëtar për hir të hapjes së negociatave për antarësim të Shqipërisë në BE. Pa pikë dyshimi Presidenti Meta gjatë tërë fazave të krizës ka bërë përpjekje për të ruajtur ekulibrin politik në vënd.

Ndonëse jo gjithnjë i mirëkuptuar, ndonëse në jo pak raste edhe i kritikuar nga njëra apo tjetra palë, Presidenti Meta ka vijuar të ruaj parimet kushtetuese, neutralitetin politik dhe qetësinë në sjelljen e tij. Ndonëse është e vështirë të thuhet saktësisht se si do të duhej të ndikonte Presidenti Meta mbi krizën, ajo që mund të thuhet deri tani pa pikë dyshimi është fakti se pa rolin e tij rigorozusht kushtetues dhe pa aftësinë e tij për të ruajtur qetësinë dhe ekulibrin politik kriza e vëndit do të ishte shndërruar në një kolaps të plotë kushtetues dhe ballafaqim shumë më të rëndë politik dhe social të brëndshëm dhe ndërkombëtar.