Politika dhe… (palo) etika

735
Sigal

Vangjush Saro

Prej disa ditësh janë përdorur sërish dhe vazhdojnë të përdoren skemat dhe ‘skedat’ e sëmundjeve të kundërshtarëve politikë; njëlloj loje me ‘doktor’, që pëlqehet shumë në Shqipëri. Këtë herë, ‘i sëmuri’ ishte kryeministri Edi Rama. Kemi të bëjmë me horrllëqe që në fakt lënë në hije gjëra më të rëndësishme. (Ku BYPASS-i i Vlorës, ku sëmundja e z. Rama!) Në vështrimin tim, gjithsesi, ndjesia e përbuzjes, e zvetënimit të tjetrit, zelli për të poshtëruar dikë që nuk e duam, janë elemente të një formimi racist, janë një mënyrë e vjetër sjelljeje, që një pjesë e botës së përparuar e ka kapërcyer tashmë. (Ose e manifeston në mënyrën më të butë, duke fshehur e manipuluar shumëçka.) Iu kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar për parantezën e mëposhtme, por i sjell ato radhë me shpresën se do t’i ndihin temës. Ndjehem pak në faj, ngaqë nuk di ç’bëhet njëri nga shokët e mi të fëminisë, Reshati. Në shtëpinë përballë nesh, rrinin nja dy familje me qira; njëra prej tyre, ishte ajo e Reshatit. Ishin romë. E ëma quhej Zare, por i thoshin Tata; (me theksin te a-ja e dytë). Ishin 5 a 6 fëmijë dhe vazhduan edhe më pas të shtoheshin… Aty, në një dhomë. Jetë modeste bënte e gjithë lagjja, por ata edhe më keq… Kur loznim futboll, e vinim portier. Për dy arsye: E para, qe i shkurtër dhe kishte më pak shanse të pësonim gola; (‘portat’ ishin me gurë). E dyta, hidhej si rrëqebull nëpër këmbë e kundërshtarëve, aq sa ndonjëherë gërricej; dhe në darkë hante dru nga Tataja…

Jemi pak racistë ne shqiptarët?

Mbaj mend që ndonjëherë e thërrisnim jevg a evgjit; por vetëm kjo. (Në Korçë, të gjithëve u vinin ndonjë nofkë.) Tërë kohës, rrinim e loznim bashkë. Nuk pati më shumë diskriminim se aq… Fjalën e kisha që më kanë dhembur gjithnjë fyerjet e dhuna ndaj të tjerëve: ndaj grave, ndaj të përndjekurve, pastaj ndaj komunistëve, më tej ndaj ‘malokëve’ e, së fundi edhe këto subjektet me sëmundjet e politikanëve.

Jemi pak racistë ne shqiptarët? Jemi edhe fodullë?

Por ‘edhe qeros(ë), edhe fodull(ë)’?! Në pikë të hallit për vete dhe s’na mbyllet goja që… këta grekët ‘janë jevgj’, edhe ua kemi bërë ne historinë; që këta serbët janë… ku di unë çfarë; që veset e këqija i mësuam nga italianët dhe nga Perëndimi në tërësi; që ambasadorët… hë, diçka e tillë, s’janë në terezi edhe ata, etj. (“Të gjithë mendojnë për ndryshimin e botës, por askush nuk mendon për ndryshimin e vetes.”L. Tolstoi) Shikoj njerëz me ngjyrë në kafene; këtu ku jetoj. Afrikanë. Indianë. Kinezë. Disa të sapoardhur ndoshta dhe… të pamësuar me edukatën e këtushme; të rrinë ngjitur në radhë, e ngrenë zërin nëpër tryezat e tyre. Vë re që kanadezi pranë meje lexon një libër dhe nuk shqetësohet nga ai me ngjyrë, nga veprimet e tij. Të paktën, i përcjell ato më me qetësi se unë…

Jemi pak racistë ne shqiptarët? Na pëlqen vetja?

Dëgjoj një nga folësit më të vjetër të TV këtu: qetë, shtruar, përcjell vetëm informacionin… Shikoni, more, si bëjnë (gjoja) gazetarët tanë, që u plakën e u thinjën dhe mend s’vunë, por edhe amatorët soj-soj, që iu prijnë sherrnajave; më keq se shtazët në pyll. Janë gati të shqyejnë njëri-tjetrin e t’i hapin katërsh edhe disa politikanë, të majtë e të djathtë. (“Liria ka pasur gjithmonë si kufi lirinë e të tjerëve.” A. Kamy)

Racizmi është një term me kuptim të gjerë. Le të flasë historia për Sumerët dhe shkrimin e tyre, për qytetërimin e lashtë midis lumenjve Tigër dhe Eufrat (Akkadian Empire) për ato buzë e Nilit apo në Kinë etj. Ne i biem shkurt; na jep ç’fjalë të duash, nga persishtja e vjetër, nga kinezçja në daç (se nga turqishtja e sllavishtja s’e kemi problem) dhe ja, sakaq, të tregojmë se si mund të vijë kuptimi i tyre përmes shqipes… Dhe vetëm ashtu. Nuk ka tjetër! Bujë e madhe për një Shqipëri të madhe, por ndërkohë s’mbajmë dot në paqe e në mbrothësi edhe këtë që kemi. Na kanë zgjatur dorën aleatët; kurse ne (kur them ne, kam parasysh fragmentin tonë faqezi e racist) ua pështyjmë…

Mbase sjellje këso nuk janë thjesht racizëm? Është njëlloj mendjemadhësie, që shkon gjer në histeri?

Apo thjesht na tjetërson e budallallos emfaza, sëmundje e vërtetë, që dhemb më shumë se të gjitha problemet së bashku? E kam shkruar herët, por e kam përsëritur edhe më pas që, mes të tjerash, edhe ndjenja e superioritetit dhe e të qenit pranë pushtetit, pranë një fitimi të çastit, pavarësisht nga sa janë parë të realizuara këto, kanë bërë që, ndryshe nga popujt e tjerë të Ballkanit, grekët, rumunët, bullgarët, maqedonasit, hungarezët, serbët – të cilët, mirë a keq, dolën nga errësira otomane me gjuhët dhe fetë e tyre – ne të vinim këtej kohës si mos më keq. Sa do të doja të mos kishte qenë kështu dhe të gjenim argumente kundër!

“Ne i kemi hallatet ashtu dhe kështu”, dëgjohet të thotë një gazetar a drejtues mediash, që mban një mbiemër të nderuar, por për Zotin, ai qoftë! Disa, me të vërtetë nuk po e kontrollojnë dot veten. “Ai” vjen nga një familje e shquar, thotë aksh letrar për veten e vet; duke kujtuar se me këtë “biografi” mund të shpëtojë nga grafomania… Merret me mend se çfarë ndodh me ata që nuk vijnë nga “familje të shquara”. O kasolle ku na mblodhe! Një tjetër, që ka shkruar e botuar për 40 vjet në gjuhën standarde, tani përshëndet e komenton në dialekt (!) Ka zyrtarë rrethesh të vegjël, për të qarë hallin në mjerimin e tyre, në mediokritetin e jetës së tyre, që vlerësojnë me bujë e në mënyrë të pamerituar, gjer në tepri, figura të vogla të sportit a kulturës së rrethit; por kur vjen puna për kontributin e atyre që “nuk ishin nga ky rreth a nga ky qytet”, edhe në qofshin me staturë bindëse e me vlera në rang kombëtar a më gjerë, ata, zyrtarët e vegjël, heshtin turpshëm… Këto janë shfaqje të racizmit, pavarësisht lëkundjeve e dyzimeve në interesa e përkohësi? Apo këtu jemi në provincializëm? A thjesht çështje etike? (Palo)etike.

Është i sëmurë kryeministri, si mos o Zot (!) Madje ka nga ata, si i biri i një gazetari, demek “politikan”, që parashikon se do t’i shkojë (sëmundja) keq edhe më keq… Pikërisht kështu kanë shkruar e folur, dikur apo herë pas here, edhe për Sali Berishën; sidomos kur ishte në pushtet formal. Mediat pranë socialistëve dhe ato më të verbrat të papajtueshme me spektrin e djathtë të politikës (aq sa mund të quhej i tillë) e bënin atë (Saliun) të sëmurë, ndërkohë që ai, mirë a keq, vazhdon të mbetet ende i rreshtuar në ‘llogore’ përkundrejt kundërshtarëve të vet politikë. Racizëm? Sepse vjen nga Veriu? Nga fshati? Nuk kishte elokuencën e duhur? Atij, atëherë dhe tani, kundërshtarët dhe mediat mund t’i thonë se ç’rol pati në zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, po ashtu në tragjedinë e Gërdecit, në atë të 21 janarit, madje mund të bëjnë digresione më të thella e t’i drejtojnë pyetje edhe për 2 prillin e Shkodrës, pse jo edhe për dosjen e tij vetjake… Por assesi nuk mund të interpretosh në lidhje me shëndetin e tjetrit, nuk ke punë me jetën e tij, që, njëfarësoj, e di Zoti. (“Asgjë në botë nuk e konsumon më shpejt një njeri, sesa pasioni i mërisë.” F. Niçe)

Media ka për detyrë të investigojë, të paraqesë realitetin dhe abuzimet, me fakte, me shifra e, mandej, edhe duke interpretuar. Politika ka për detyrë të ndjekë gjithashtu çdo zhvillim, për të kuptuar, ku merr frymë keq shteti, çfarë është e gabuar në praktikën aktuale, si vjen e vërteta për këto skandalet me tenderë e kompani të krijuara rishtazi që papritur kapin fitime të majme. Kurse me shëndetin e tjetrit, me atë se si e organizon ai jetën e vet private, çfarë pi, raki a verë, etj., me këto pra, nuk ke punë. (Se… meqë ra fjala: “Ai që pi vetëm ujë, ka diçka për të fshehur.” Thoshte Bodler.)

Racizmi i ka zgjatur kthetrat pak si shumë. Fundja, ç’të duhet ty në është tjetri i bardhë apo i zi? Thuthuq! (E turpshme të përgojosh veti që s’kanë qenë në dorën e tij.) Pijetar. I trashë. I hollë. I sëmurë. I shëndetshëm. Ç’punë ke ti me gjendjen e tij shëndetësore, sikundër herë tjetër, për dikë me fëmijët e për dikë me ish-gruan apo të atin që i mëshon dheut? Gëzohesh që mund të jetë sëmurë një njeri, vetëm e vetëm nga që në të njëjtën kohë, është kundërshtari yt politik, dikush që të ka marrë pushtetin, dikush të cilin do ta shikosh kokëposhtë e tatëpjetë, që ti të marrësh sërish pushtetin? Sa të vjetra këto ndjesi e sa të pështira këto qasje! Shoqëria dhe shteti kanë ligje, parime, institucione, ekspertë të fushave të dijes; le të vendojnë ato. Natyrisht, do ta thoni fjalën edhe ju, politikanë dosido, zyrtarë bashkish mbytur në provincializëm, gazetarë me një ‘gjoja’ të madhe përpara, letrarë delirantë, gjuhëtarë e historianë amatorë, do ta thoni patjetër, pse jo; por mundësisht pa histeri, të çliruar nga racizmi dhe urrejtja.

Përpara disa kohësh, titulli i njërit prej shkrimeve të mia ishte: “Shqiptarë, mblidhni mendjen!” Tani po shtoj: Futini thikat (edhe ato të gojës) në mill! Se lemerisëm brezat e rinj dhe botën…