OSBE/ODIHR shton 20 rekomandime të tjera për zgjedhjet shqiptare

705
VEZHGUES TE OSBE ODIHR - Nje vezhgues i OSBE/ODIHR, duke pare qendren e votimit te ngritur ne shkollen "Vasil Shanto", ku po votohet per zgjedhjet vendore. Qytetare filluan te votojne per zgjedhjet vendore, ne nje situate te tensionuar politike, pas bojkotit qe opozita i ka bere ketyre zgjedhjeve./r/n/r/nOBSERVERS OF OSCE ODIHR - An OSCE/ODIHR observer, checking a polling station at the "Vasil Shanto" school, where people are voting for local elections. Albanians began casting ballots in tense municipal elections that have become the flashpoint of a democratic crisis, with the opposition boycotting the vote and refusing to recognise its results.

VEZHGUES TE OSBE ODIHR – Nje vezhgues i OSBE/ODIHR, duke pare qendren e votimit te ngritur ne shkollen “Vasil Shanto”, ku po votohet per zgjedhjet vendore. Qytetare filluan te votojne per zgjedhjet vendore, ne nje situate te tensionuar politike, pas bojkotit qe opozita i ka bere ketyre zgjedhjeve./r/n/r/nOBSERVERS OF OSCE ODIHR – An OSCE/ODIHR observer, checking a polling station at the “Vasil Shanto” school, where people are voting for local elections. Albanians began casting ballots in tense municipal elections that have become the flashpoint of a democratic crisis, with the opposition boycotting the vote and refusing to recognise its results.
Sigal

Duke ngritur pikëpyetje mbi fshehtësinë e votës në zgjedhjet e 30 qershorit si dhe duke kritikuar në veçanti mungesën e pavarësisë së medias, misioni i vrojtimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR shtoi 20 rekomandime të tjera për autoritetet shqiptare të cilat duhet “të merren parasysh krahas rekomandimeve të mëparshme” të dhëna në zgjedhjet e kaluara.

Duke kritikuar të dyja krahët e politikës shqiptare për veprime që sollën mbajtjen e zgjedhjeve në të cilat “zgjedhësit nuk patën mundësi të bënin zgjedhje me kuptim”, raporti final i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) pranë Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), shtoi një listë të re me rekomandime për ndryshime ligjore ose për reforma të brendshme të partive politike, të cilat, nëse do të merren parasysh nga autoritetet shqiptare, do të mundësojnë në një të ardhme zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Raporti përfundimtar i zgjedhjeve të 30 qershorit u prit me përshëndetje nga opozita, e cila e lexoi atë si “rrëzim të zgjedhjeve” ndërsa kryeministri Edi Rama pretendoi nga ana e tij se raporti “legjitimoi zgjedhjet”.

Përkundër këtyre dy pretendimeve të prera, raporti kritikon sjelljen para dhe gjatë zgjedhjeve të të dy krahëve të politikës, duke theksuar se kjo sjellje ia pamundësoi shqiptarëve të zgjidhnin mes dy apo më shumë alternativave politike për të cilat duhej të ishin “të mirëinformuar”.

Raporti kritikon në veçanti qeverinë për kontrollimin e fluksit të informacionit mbi aktivitetet e veta përmes parapërgatitjes së materialeve propagandistike, ndërsa shërbimi i monitorimit të medias nga misioni i vëzhguesve vërejti se si mediat kryesore në vend, Top Channel dhe TV Klan, mbajtën raportime më pozitive për qeverinë dhe më negative për opozitën, duke lënë vetëm televizionin e vogël News 24 si televizion me tonalitet më pozitiv për opozitën dhe më negativ për qeverinë.

Raporti vëren gjithashtu se televizioni publik shqiptar, i cili teorikisht duhet të jetë i pavarur, drejtohet aktualisht nga Thoma Gëllçi, ish-drejtues i gazetës tashmë të mbyllur të Partisë Socialiste Zëri i Popullit dhe drejtues informacioni në disa qeveri socialiste. Për rrjedhojë, raporti rekomandon pavarësimin e TVSH-së duke mos lejuar zgjedhjen në të të drejtuesve me afrimësi të dukshme politike.

OSBE/ODIHR i vrojton zgjedhjet në vendet anëtare duke e krahasuar ecurinë e tyre me parimet e vendosura në Dokumentin e Kopenhagës, miratuar nga vendet anëtare në vitin 1990. [Link]

Votime pa zgjedhje

Ndërsa PD, LSI dhe PS u angazhuan në debatin se çfarë thotë raporti dhe se si duhet të lexohet ai, OSBE thotë qartazi se në zgjedhjet e 30 qershorit shqiptarët nuk patën mundësi të zgjidhnin, për shkak se në shumicën e rasteve kishte vetëm një kandidat, ndërsa edhe në ato raste kur kushte më shumë se një, votuesi nuk pati mundësi të informohet për programe alternative qeverisëse për pushtetin vendor në bashkinë e vet.

Raporti vëren se kandidatët në të gjithë Shqipërinë nuk patën ndonjë vizibilitet të lartë publik dhe se në shumicën dërrmuese të rasteve ata u prezantuan nga kryeministri, i cili praktikisht mori të gjithë vëmendjen duke mos lënë ndonjë hapësirë për diskutim platformash qeverisëse.

Në një rast ekstrem, më 22 qershor, kryeministri Edi Rama shkoi në bashkinë e vogël të Finiqit në jug të Shqipërisë. Dhjetëra media, nga më të mëdhatë, deri te më të voglat raportuan mbi këtë vizitë si dhe mbi faktin se Rama prezantoi një kandidat, por në asnjë nga këto lajme nuk u dha emri i kandidatit. [link]

Përjashtim në këto raste përbën, sipas raportit, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili pati mbulim të gjerë mediatik.

“Vizibiliteti i ngjarjeve të fushatës ishte i ulët, me përjashtim të mitingjeve të PS-së, në të cilat Kryeministri Edi Rama ishte folësi kryesor. Ndërsa çështjet vendore u trajtuan në disa ngjarje të shkallës së vogël, fokusi ra mbi mospjesëmarrjen e opozitës kryesore dhe anulimin e zgjedhjeve,” shkruhet në raport.

“Qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, u vunë nën presion për të demonstruar një pëlqim politik. Me një numër të vogël garuesish dhe me shumë gara pa konkurrentë, zgjedhja e prezantuar te qytetarët ishte të merrnin apo të mos merrnin pjesë,” vijon më tej raporti.

Siç ishte paralajmëruar, raporti nuk rekomandon nëse zgjedhjet duhet të përsëriten apo jo ndërsa jep rekomandime për atë që duhet të sjellë procesin elektoral në Shqipëri në standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

“Rekomandimet që janë prioritare lidhen me angazhimin e aktorëve zgjedhorë në një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën elektorale, garantimin e të drejtës së votuesve për zgjedhje të lirë dhe sekrete, eliminimin e problemeve të vjetra të keqpërdorimit të burimeve administrative si dhe fuqizimin e pavarësisë dhe paanësisë së administrimit zgjedhor dhe gjyqësorit, si dhe hetime efektive të dhunimeve zgjedhore,” shkruhet në raport.

Kjo është e disata herë përgjatë dekadës së fundit që misioni i vrojtimit të zgjedhjeve jep rekomandime për autoritetet shqiptare ndërsa këto të fundit nuk i bëjnë ndryshimet e rekomanduara duke e lënë misionin të shtojë në raportin e vet togfjalëshin “këto rekomandime duhet të zbatohej krahas rekomandimeve të mbetura të paadresuara në raportet e mëparshme”.

“Me synimin për të fuqizuar demokracinë pluraliste, për të rikonfirmuar të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe për të demonstruar përgjegjësi të përbashkët ndaj integrietit të procesit elektoral, partitë politike dhe aktorët e tjerë elektoralë duket të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës për të lehtësuar reformimin zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve që përmban ky dhe raportet e mëparshme të ODIHR,” shkruhet në raport.

Cënim i fshehtësisë së votës

Misioni në raportin final të publikuar më 5 tetor, theksoi edhe një herë se në zgjedhjet e 30 qershorit, zgjedhësit nuk patën mundësi të zgjidhnin ndërsa partitë politike kryesore përmes rrjetit të vet të militantëve cënuan në mënyrë thelbësore parimin e sekretit në votim përmes identifikimit të pjesëmarrësve një votime një më një dhe rrjedhimisht, të mospjesëmarrësve në votime.

Vota e fshehtë është parimi themelor i zgjedhjeve demokratike, por në rastin e 30 qershorit, thirrjet e socialistëve për pjesëmarrje me çdo kusht në zgjedhje si pjesë e përpjekjes së tyre për të legjitimuar procesin si dhe thirrjet e opozitës për bojkotimin e procesit sollën pikërisht rrëzimin e këtij parimi.

Gjithsesi ky nuk ishte problemi i vetëm me sekretin në votim. Sipas raportit, “mënyra e organizimit të qendrave të votimit ishte e papërshtatshme dhe nuk lejonte ruajtjen e sekretit në 6% të qendrave të vrojtuara”.

Për të theksuar më tej këtë shkelje të standardeve, raporti vëren se ndonëse vëzhguesit panë shumë raste të frikësimit përmes kanosjes së votuesve apo shkelje të sekretit të votimit, të dyja këto, vepra penale, nuk pati asnjë raportim në polici për këto shkelje. Mungesa e denoncimit në polici të shkeljes së sekretit dhe frikësimeve interpretohet në raport si mungesë besimi nga publiku te autoritetet ligjzbatuese për hetim efikas dhe të shpejtë të krimit zgjedhor.

Administratë zgjedhore e paanshme

Rekomandimi kryesor i raportit konsiston në propozimin për ndryshime ligjore në kodin zgjedhor me synimin për të krijuar një administrim të procesit elektoral në mënyrë të pavarur nga forcat politike. Aktualisht Shqipëria ka një sistem të administrimit elektoral me kontroll të ndërsjelltë nga persona të emëruar nga partitë politike garuese. I njohur në gjuhën popullore si sistemi “hajduti ruan hajdutin”, komisionet e ndërvarura janë njohur deri tani për bllokime të ndërsjellëta, ose për vendimmarrje kontroverse. Në zgjedhjet e fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili aktualisht dominohet nga të emëruarit e Partisë Socialiste, u kritikua nga OSBE/ODIHR për “interpretim krijues” të ligjit dhe për zbatim të ligjit “në mënyrë jokonsistente”.

Alternativa është që komisioni qendror i zgjedhjeve dhe në nivele më të ulëta, komisonet e administrimit zonal vendor apo grupet e numërimit të mund të përbëhen nga persona të pavarur politikisht. Por se sa është e mundur kjo, kjo mbetet për t’u parë.

“Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në procesin elektoral, konsideratë duhet t’i jepet formulave alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, mbështetur nga masa mbrojtëse procedurale për pavarësinë e tyre,” thotë raporti.

Etikë për partitë politike

Raporti i kushton vëmendje të veçantë gjuhës fyese dhe denigruese të përdorura nga krerët e politikës kundër njëri-tjetrit. Në veçanti, nënvijëzohet përdorimi i termit “kufomë politike” nga Sali Berisha kundër Edi Ramës dhe përdorimit të termit “fallxhore” nga ana e Edi Ramës për Monika Kryemadhin.

Për të shmangur gjuhën fyese, OSBE/ODIHR këshillon që partitë politike të zhvillojnë kode etike të brendshme si dhe të nxisin demokracinë e brendshme.

“Partitë politike duhet të fuqizojnë zbatimin e kodeve etike të brendshme dhe të nxisin demokracinë brenda partive dhe të sigurojnë se funksionet e tyre të brendshme respektojnë dhe promovojnë transparencën, barazinë dhe mos-diskriminimin.”