Oligarkia politike e tranzicionit të Rilindjes

696
Sigal

Analizë nga Vangjush Saro / Harrojeni për një çast politikën! Prej kohësh po, manifestoni një oreks të paparë si në asnjë vend e në asnjë epokë, pasi orientimi i vetëm për ju është pasuria dhe paraja. Për oligarkët shqiptar jeta njerëzore nuk ka rëndësi, kjo kastë e mbështetur nga megalomanët që po drejtojnë sot, i kanë dhënë vendit një drejtim pa krye. Qeveria po e  trajtojnë natyrën, pasuritë dhe njerëzit si mall i trashëguar nga babai, ose nga partia..

Ndërtim-shkatërrimet e tranzicionit

Vangjush Saro

Po vërtet, çfarë ka përtej ‘furtunave politike’, që kanë zaptuar mediet lart e poshtë, brenda dhe jashtë, natën dhe ditën… Është folur për zhvillim e përparim, për ‘Rilindje’, por ka pareshtur ndërtime skandaloze apo më mirë shkatërrime: Në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, në kurriz të jetës së fëmijëve shqiptarë, në kurriz të natyrës shqiptare. Prej kohësh, manifestohet një oreks i paparë (në asnjë vend e në asnjë epokë të këtij vendi) për të mos lënë gjë pa prishur e sakatuar, mjaft që një palë të pasurohen. Këtu ‘fërkojnë’ duart’ oligarkët e ‘Rilindjeve’ të premtuara të Shqipërisë, që në fakt mund të quhen ‘Oligarkët e Tranzicionit’. Kjo kastë, e mbështetur nga politika, veças nga megalomanët që po drejtojnë sot, i ka dhënë vendit një drejtim pa krye, pa perspektivë; ka poshtëruar të varfrit dhe shtresat e mesme, ka vënë pikëpyetje të madhe mbi gjithë relievin e vendit.

 

Harrojeni për një çast politikën!

Qeveria shqiptare, qeveritë shqiptare të çdo kohe, por ca më shumë kjo e sotmja, po e trajtojnë natyrën shqiptare dhe pasuritë e saj, njerëzit po se po, si mall i trashëguar nga babai. Ose nga partia. Oligarkët po mësyjnë natyrën shqiptare, ku të munden, duke ndërtuar, që do të thotë duke shkatërruar, ekositemin. S’ka shumë kohë, i ashtuquajturi Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e radhës, miratoi një numër rekord vendimesh, 28 këso. Numrin më i madh i lejeve, ishte për HEC-e të reja, plot 8 të tillë. Besoj, bashkë me këto leje ndërtimi, në kryeqytet e në parqe publike, autorët krekosen se po ‘ndryshojnë Shqipërinë’… (“Forma më e lartë e injorancës është dëshira për lavdi.” G. Santayana)

Le të hedhim një sy ç’bëhet nëpër atdhe, që të bindemi, se ia kemi hipur gomarit mbrapsht

Brenda Parkut Kombëtar, Lugina e Valbonës po shkundet nga shkatërrimet për hir të HEC-eve. Por nuk mund të rrinte i qetë edhe Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, që aktualisht gjendet nën rrezik. Vazhdojmë: Banorët e 5 fshatrave të njësisë administrative të Kaçinarit, në Mirditë, kanë protestuar disa herë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonën e tyre. Përfaqësuesi i firmës që do të ndërtojë HEC-e edhe këtu, ka thënë se vendimi është dhënë nga qeveria shqiptare që në vitin 2007 dhe, sipas tij, janë bërë… edhe dëgjesa me banorët e zonës. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku parashikohet të ndërtohet një qytet (!) për 25 mijë banorë, pa një pa dy, do të shkatërrojë tërësisht funksionin e parkut si një ekosistem unik në botë.

Në Korçë, siç kemi lexuar në medie, ndërtimi i një TEC – i me fuqi 500 megavat, i barabartë me Fierzë mund të shkaktojë ndotje shumë të madhe të mjedisit, për shkak të emetimit të gazrave. (Korça e ka vuajtur njëherë këtë problem me TEC – in e vjetër.) Bashkia e Korçës ka luftuar për ta mënjanuar këtë ndërtim-shkatërrim; ajo është mbështetur edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila vlerëson se Fusha e Korçës, nga fshati Barç në fshatin Zëmblak, është një nga zonat me intensitetin më të lartë të aktivitetit bujqësor në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë: “Ndërtimi i këtij projekti, do të cenojë funksionalitetin e kësaj infrastrukture, bashkë me veprat e artit. Sa më sipër, vlerësojmë se ky projekt nuk mund të ndërtohet në sipërfaqet e projektuara.”

Shkojmë më tej në Jug. Në Tepelenë, ku gjithashtu oligarkët duan të ndërtojnë disa HEC-e, u shpik një mënyrë tjetër për të mashtruar: Iu morën firmat banorëve të fshatit (për Hormovën bëhet fjalë) dhe puna shkoi deri atje sa na qenkan shprehur ‘pro’ edhe emigrantët që prej kohe nuk jetojnë atje, madje edhe të vdekurit… Ka pasur ankesa nga banorët e Gradishtës (Lushnjë) për shkatërrimin e disa kodrave, dikur me ullinj e pyje. Biznese pothuaj të pakontrolluara, për t’i rënë sa më shkurt dhe për të dalë me sa më shumë fitim, teksa ndërtojnë rrugë e pallate, kanë filluar të gërryejnë kodrat me një bukuri natyrale, të cilave, më parë ua kanë shkulur gjelbërimin dhe pyjet… Prerja e pyjeve, shkulja e ullinjve, degradimi i tokës kanë krijuar kushte për erozion, ndërkohë që një tufë makinerish të rënda gumëzhijnë dhe shkulin e shkatërrojnë gjithçka.

Orientimi i vetëm është paraja

Ngado të hedhësh sytë, krahas disa ndërtimeve me vlerë, e shumta mund të cilësohet ndërtim-shkatërrim. Në brendësi të vendit, por sidomos përgjatë Vijës Bregdetare. Oligarkia shqiptare e tranzicionit është çmendur. Orientimi i vetëm është paraja. Jeta njerëzore nuk ka rëndësi. Mund t’i hidhni një sy edhe Syrit të Kaltër; e të bindeni që jemi mbrapsht me gjithsej e po bëjmë në vend numëro (!) Shkoni shikoni Bunën, të cilën dikur kanë premtuar ta kthejnë në ‘lumë të lundrueshëm’. Është bërë moçal… Pastaj kujtoni edhe që në një nga botimet më të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, krahas Ballkanit, Shqipëria gjendej në ngjyrat më të errëta të paraqitura ndonjëherë në ndotjen e mjedisit.

Ndërkaq, qeveria shqiptare dhe oligarkët e ‘Rilindjeve’ të Shqipërisë, përpiqen të mbrojnë të kundërtën, që ekonomia ashtu dhe kështu, që zhvillimi i vendit ashtu dhe kështu, që… këto janë punë të thella që jo gjithkush i kupton. Sigurisht, nuk janë thjesht të këqij; janë histerikë. Por asgjë nuk i bind dot njerëzit se këta nuk shkatërrojnë. (“S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe…” Hegel). Dhe tani, vazhdoni me luftë politike dhe me mburrje që mbështeten mbi shkatërrimet që u ‘vizatuan’ më lart e shumë të tjera, që qytetarët shqiptarë i dinë më mirë se çdo njeri i fjalës. (“Lëkundet nje varkë/ dhe mes errërave qan me të madhe…” H. Hese)

Harrojeni për një çast politikën!

  • Prej kohësh, manifestohet një oreks i paparë (në asnjë vend e në asnjë epokë të këtij vendi) për të mos lënë gjë pa prishur e sakatuar, mjaft që një palë të pasurohen. Oligarkia shqiptare e tranzicionit është çmendur. Orientimi i vetëm është paraja. Jeta njerëzore nuk ka rëndësi.
  • Këtu ‘fërkojnë’ duart’ oligarkët e ‘Rilindjeve’ të premtuara të Shqipërisë, që në fakt mund të quhen ‘Oligarkët e Tranzicionit’. Kjo kastë, e mbështetur nga politika, veças nga megalomanët që po drejtojnë sot, i ka dhënë vendit një drejtim pa krye, pa perspektivë; ka poshtëruar të varfrit dhe shtresat e mesme, ka vënë pikëpyetje të madhe mbi gjithë relievin e vendit.
  • Qeveria shqiptare, qeveritë shqiptare të çdo kohe, por ca më shumë kjo e sotmja, po e trajtojnë natyrën shqiptare dhe pasuritë e saj, njerëzit po se po, si mall i trashëguar nga babai, ose nga partia

Kujtoni edhe që në një nga botimet më të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, krahas Ballkanit, Shqipëria gjendej në ngjyrat më të errëta të paraqitura ndonjëherë në ndotjen e mjedisit