Një koment, në mbrojtje të Visar Zhitit e Agron Tufës

626
Sigal

Thanas L. Gjika

Shteti diktatorial të punësonte sa për të mbajtur gjallë veten dhe familjen. Ky shtet përmes ndëshkimeve të drejta e të padrejta kishte arritur të krijonte psikozën e terrorit dhe të frikës, se mos edhe ti e pësoje si ata që u burgosën, u internuan, u vranë… Kështu që, të gjithë për të mos humbur punën, pozitën, karrierën, qofshin nëpunës, policë, artistë, studiues, zanatçinj etj., i ishin nënshtruar kësaj psikoze dhe punonin për të siguruar një emër “sa më të mirë” tek nëna parti, e cila me anë të syrit dhe veshit të Sigurimit, mblidhte të dhënat dhe jepte vendimet.

Pra të gjithë ne që nuk u arrestuam/internuam/pushkatuam për agjitacion e propagandë, e kishin humbur moralin e shëndoshë qytetar. Ne bënim jetën e frikamanit e të të nënshtruarit dhe të shërbëtorit ndaj partisë shtet. Të gjithë, kuptohet bashkë me mua, duhet të kishim kërkuar të falur në vitet 1992-1993 dhe të mos përpiqeshim të merrnim poste e detyra shtetërore, të mos viheshim në lista zgjedhore.

Por plani Katovica, i zbatuar prej Ramiz Alisë dhe besnikëve të tij; e dëmtoi, e deformoi rrugën që duhej të merrte demokratizimi i shoqërisë dhe shtetit tonë, sepse sipas këtij plani “Shqipërinë duhej ta gëzonin komunistët besnikë të kupolës dhe bijtë e tyre”.

Kështu që, sot ka të drejtë Visar Zhiti kur shkruan, se demokracia nuk mund të ndërtohet nga po ata njerëz që ndërtuan diktaturën. Ka të drejtë Agron Tufa kur shkruan, se pa dënuar krimet e kriminelët e viteve 1941-1991, Shqipëria nuk mund të hyje në Bashkimin Evropian. Prandaj sot njerëz si Edmond Caja, Spartak Braho me gjithë mbështetësit e tyre dhe komentuesit pro tyre, nuk kanë turp të qëndrojnë në pozita sulmi, shajnë e shpifin, në vend që të ulin kokën me turp. Me të tillë shqiptarë nëpër poste qeveritare e parlamentare nuk mund të bëhet Shqipëria shtet evropian…