Kthimi në fis dhe Margjeloja!

615
Sigal

Akademik Artan Fuga

 

Më habiste Gustave Le Bon kur një shekull më parë theksonte një ide shumë të çuditshme për mua. Ai theksonte te “psikologjia e turmave” që kur një popull bën një revolucion për të cilin nuk është i përgatitur sepse elitat e tij janë për faqe të zezë, atëherë ndodh katrahurë: Revolucioni pas pak kohe kthehet në një ndryshim fjalësh kurse situata vazhdon si më parë, ose rikthehet te pika ku u nis.

Revolucioni bëhet një ndryshim fjalësh me të cilin shprehet i njëjti realitet!

Kam përshtypjen se duke analizuar fjalorin politik të kohëve të tanishme në media dhe në gojët e politikanëve dhe disa pushtetarëve rezulton se edhe fjalët që përdoreshin një ose dy dekada më parë, dhe që mbanin pak erë demokraci, janë zhdukur. Të përmendësh ato sot është mëse qesharake, duken qesharake në sytë e njerëzve.

Imagjinoni sot të përdoren fjalë që nuk kanë asnjë kuptim pas tridhjetë vitesh gjoja demokraci.

Votim i lirë;
Shanse të barabarta për qytetarët;
Qytetar i mirëinformuar dhe i formuar;
Mirëqenie;
Konkurrim idesh;
Media të lira dhe të pavarura;
Zhvillim teknologjik;
Kulturë kombëtare;
Demokraci lokale;
Hapje kulturore me Perëndimin;
Treg i lirë.

Të gjitha këto fjalë janë kthyer në forma bosh, pa përmbajtje. Ato që tridhjetë vite më parë konsideroheshin nga brezi i kohës si ëndrra.

Tani nuk flitet fare për qytetar, por vendin e kanë zënë prestarët në mitingje ulur në karrige plastmasti.

Gazetarit të pavarur i thërrasin, kadri.
Opozita, është një tufë qorrash.
Profesorët, janë bandë kopjacësh që meritojnë vetting.
Bujqit që kanë rendimente qesharake në prodhime quhen, fermerë.
Burri dhe gruaja që rrinë pas banakut të ndonjë kioske quhen, biznesmenë familjarë.
Ca vende urbane që ngjajnë si kampe përqendrimi për autovetura quhen, parkingje.
Librat, që shiten nëpër sheshe gjithë pluhur dhe me kopertina tejet të lodhura quhen, kulturë.
Një megafon që transmeton gjithë ditën këngë të viteve ’70 quhet, media publike.

Gjithë ditën dëgjon këngën MARGJELO!

Ata që braktisin atdheun duke ikur nga sytë këmbët quhen, emigrantë ekonomikë të integruar në tregun e lirë.
Njeriu, që bosi e vendos në një listë që ua paraqet votuesve të rrallë dhe që ngre e ul dorën sipas uljes dhe ngritjes të syve të shefit quhet, deputet.
Ngritja e kullave bina quhet, rritje ekonomike.
Dhënia e pasurive kombëtare badjava privatëve quhet ,partneritet.
Letra pa asnjë vlerë në tregun e punës quhen, diploma.

Ne kemi shkuar në fis!

Vendimmarrja në kohën e diktaturës varej nga nja njëzet a tridhjetë veta. Nga sa veta varet sot?

Këmbë artisti i huaj nuk shkelte dot në Shqipëri në diktaturë? Sa artistë në vit vijnë nga jashtë në skenat tona sot?

Bëheshin ndoca dhjetëra filma me metrazh të gjatë shqiptarë. Sa filma shqiptarë, drama etj., prodhohen sot me markën shqiptare?

Në diktaturë punohej kot në jo pak raste, por edhe bëheshin vepra të mëdha. Sot rrihet kot.

Diktatura të përgjonte dhe të mbyllte gojën duke të kërcënuar me shkop, internim, vrasje. Sot administrata ka mbyllur veshët dhe nuk dëgjon.

Nuk kishte në diktaturë media të lira dhe pluralitet mediash dhe diversifikim opinionesh në media. Çfarë qëndrimi mban pushteti ndaj medieve sot?

Nuk jemi kthyer në fis?

Ku është tregu i lirë sot? Po njësoj si në kohët e vjetra ku pushteti e kontrollonte ekonominë.

Në fis!

Jemi kthyer atje ku ishim! Fjalët ndryshojnë!