KLSH dhe sfida për mirëadministrimin e taksave dhe tarifave vendore

1263
Sigal

Nga Niko Nako, kryeauditues ne Departamentin e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Realiteti i drejtimit brenda pak javëve të pothuajse të 61 bashkive të vendit nga nje parti e vetme politike do të kërkoje mbikëqyrje të shtuar të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Lind domosdoshmëria që përgjegjshmëria e menaxhimit të tyre të garantohet, po ashtu edhe llogaridhënia, në kushtet anormale të kostituimit të këshillave bashkiake gati krejtësisht njëngjyrësh.

Financat e bashkive sot flasin për një qasje ku kryetarët e Bashkive, më shumë presin nga fondet e qeverisë qendrore, se sa punojnë për të shtuar ato ekzistuese që kanë dhe për të gjetur burime të tjera të ardhurash, nga vënia në eficiencë e pasurive që u janë dhënë. Vetë sistemi i taksave dhe tarifave vendore kërkon një reformim, si pjesë e rëndësishme e zbatimit të Reformës Territoriale dhe Administrative. Nga ana e saj, kjo reformë nuk po jep frytet e duhura, në drejtim të shtimit të të ardhurave, si dhe të mirë menaxhimit të aseteve dhe burimeve ekonomike që u janë vënë në dispozicion të 61 bashkive.

Nga auditimet që kemi kryer, kemi konstatuar se administrimi i taksave dhe të ardhurave të veta nga bashkitë reflekton mangësi të mëdha, për të cilat si KLSH kemi rekomanduar vëmendje të shtuar për përmirësim të treguesve financiarë të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në 36 Bashkitë e audituara për vitin 2018, audituesit tanë kanë vërejtur nivele të larta të borxhit tatimor, prej 2,791,193 mijë lekë (ose 22.8 milione euro) dhe fatura të palikujduara në shumën 10,491,193 mijë lekë(ose 85 milione euro), gje që deshmon për një situatë financiare të bashkive tejet problematike, me pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e tyre të qëndrueshme. Audituesit tanë kanë vërejtur po ashtu pasaktësi të vlerës reale të detyrimeve fiskale të pashlyera, në mungesë të transferimit të të drejtave nga ish-komunat në bashki, si dhe mosndjekje e procedurave tatimore ligjore për arkëtimin e tyre.

Tabelë me të dhëna për faturat e palikujduara dhe borxhin tatimor për 36 Bashkitë e audituara, për të cilat auditimi ka përfunduar në vitin 2018.

s Emërtimi

i Bashkive

Fatura të pa likujduara

në 000/ lekë

Borxhi Tatimor

në 000/lekë

1 Bashkia Kamëz 504,748 335,035
2 Bashkia Rrogozhinë 54,596 101,445
3 Bashkia Përrenjas 11,681
4 Bashkia Vlorë 369,943 244,945
5 Bashkia Belsh 12,780 75,048
6 Bashkia Kuçovë 147,775 50,946
7 Bashkia Lezhë 460,000 154,404
8 Bashkia Lezhë ish-komunat 18,963
9 Bashkia Lushnjë 203,308 460,870
10 Bashkia Fier 152,107 143,035
11 Bashkia Mallakastër 10,540
12 Bashkia Konispol 93,395 35,460
13 Bashkia Këlcyrë 1,185 37,803
14 Bashkia Korçë 96,156 188,143
15 Bashkia Dibër 160,840 23,178
16 Bashkia Kolonjë 131,367 31,911
17 Bashkia Pustec 6,191 3,623
18 Bashkia Poliçan 18,307 17,923
19 Bashkia Vau -Dejës 140,083 24,155
20 Bashkia Maliq 17,317 41,207
21 Bashkai Has 45,000 24,204
22 Bashkia Malësi e Madhe 240,000 73,418
23 Bashkia Gjirokastër 6 40,900
24 Bashkia Memaliaj 24,510
25 Bashkia Përmet 11,158 14,879
26 Bashkia Mirditë 142,476
27 Bashkia Vorë 12,303 124,000
28 Bashkia Shijak 1,700 20,698
29 Bashkia Pogradec 405,424
30 Bashkia Selenicë 64,315 260,000
31 Bashkia Elbasan 176,106 245,000
32 Bashkia Devoll 14,572
33 Drejt.Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore Bashkia Tiranë 7,700,000
GJITHSEJ 3,735,883 10,491,193

Shënim: Burim i të dhënave nga secila bashki dhe Raportet Përfundimtare të Auditimit të KLSH.

KLSH ka kërkuar një strategji sektoriale për vënien nën kontroll të nivelit të borxhit në bashkitë më problematike dhe uljen e tij përmes konsolidimit fiskal në nivel bashkie. Një pjesë e bashkive janë në faza të konsolidimit të strukturave të brendshme, të shtrirjes së shërbimeve të munguara në gjithë territorin e tyre. Edhe pse po mbushen dy vjet nga miratimi i ligjit nr. 68/2017 datë 27.04.2015“Për financat e Vetëqeverisjes Vendore”, puna po çalon në krijimin e burimeve financiare e njerëzore të bashkive, çka në të vërtetë nevojitet për shërbime më të mira vendore, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, zbatimin e projekteve të reja, shërbimeve sociale, etj.

Në kuadrin e reformës së sistemit tatimor dhe zgjerimit të kompetencave për bashkitë, nga pushteti vendor mblidhen rreth 20 lloj taksash dhe tarifash. Ndër më kryesoret përmendim: taksa mbi pasurinë (ndërtesat dhe tokës bujqësore), taksa mbi kalimin e pronësisë, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e regjistrimit të automjeteve, taksa për zënien e hapësirave publike, tarifa e pastrimit, taksa e truallit, taksa e tabelës dhe reklamës, tarifa e shërbimit (pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit), etj.

Ajo që kemi konstatuar nga auditimet e ushtruara në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore është mungesa e planifikimit të drejtë të të ardhurave. Vihen re rezerva të ndjeshme në planin që bashkitë bëjnë për disa lloj taksash e tarifash vendore, duke mos mbajtur parasysh as realizimin e vitit të mëparshëm.

Nuk ka procedura të shkruara për ndjekjen e debitorëve të periudhave të mëparshme, dhe në shumë raste nuk ka një transferim të saktë të listës së këtyre debitorëve gjatë procesit të transferimit të kompetencave nga ish komunat drejt bashkive. Problemi i borxhit tatimor edhe për njësitë e vetëqeverisjes është sensitiv, pavarësisht mungesës së një shifre të saktë për të mundësuar rritjen e sensibilizimit për këtë lloj problematike.

Në disa bashki nuk është ndërtuar një sistem i informatizuar dhe cilësor me qëllim që të sigurojë administrim të drejtë të të ardhurave dhe të mundësojë siguri të mjaftueshëm operacionale për trajtim të njëjtë të subjekteve objekt të taksave dhe tarifave vendore.

Audituesit e KLSH kanë konstatuar se pas kryerjes së reformës administrative dhe kalimit të aktivitetit të bizneseve në Bashkitë të mëdha nga punonjësit e ish-Komunave, nuk është bërë dorëzimi i detyrës dhe listat apo dosjet e bizneseve me proces verbal.

Pra, nuk janë dorëzuar me inventar, dosjet e bizneseve, regjistrat e tatimpaguesve, pasqyra e debitorëve të krijuar sipas viteve, llojit të aktivitetit, detyrimet dhe arkëtimet, veçanërisht debitorët e taksës së tokës të cilët nuk disponohen me lista emër për emër, detyrimi dhe pagesa për secilin vit, të cilët zëne një volum të madh pune (edhe kur janë dorëzuar janë dorëzuar në total).

Nga auditimet e kryera, kemi vërejtur se dokumentacioni për pagesën e taksës së tokës dhe taksat e bizneseve në njësitë administrative, aktualisht nuk ndodhet në Bashki, por në njësitë administrative përkatëse, veprime këto në kundërshtim me kërkesat e VKM nr.510, datë 10.06.2015 “Për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiviteteve dhe çdo dokumentacion tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial”, Urdhrin e Ministrit të Financave nr. 47, datë 30.06.2015 “Për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen” dhe Udhëzimi i përbashkët i ministrit për çështjet vendore dhe Ministrit të Financave nr. 3237, datë 16.07.2015 “Për procedurat, afatet kohore, standardet dhe kriteret e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, për riorganizimin administrativo-territorial”.

Gjithashtu, kemi konstatuar se disa bashki në regjistrat e kontabilitetit nuk i kanë të pasqyruara vlerat e debitorëve për këtë taksë, veprim në kundërshtim me ligjin nr. 9228, dt. 29.04.2004 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat financiare” dhe me Udhezimin e Ministrise Financave nr. 8, dt. 09.03.2018 “Për Paraqitjen e Pasqyrave Financiare në Njësitë e Qeverisjes Përgjithshme ” Ende pse disa bashki strukturën e tatimeve e kanë të organizuar në shkallë drejtorie, sektori apo zyre, bashkia ka në organikë edhe 1 punonjës, i cili ndjek taksat, por inspektorët e taksave në Njësi varen dhe raportojnë tek administratori (kryetari i bashkisë), në vend që të kenë vartësi dyfishe, edhe nga Drejtori apo Përgjegjësi i Sektorit të Taksave në bashki. Kështu, punonjësit e taksave në njësitë administrative të Bashkisë Gramsh, edhe pse nuk e kanë në kompetence, kanë nxjerrë njoftim-vlerësimet tatimore ndaj subjekteve juridike/ fizike, etj.

Një problem i mprehtë është se, edhe pse pothuajse të gjitha bashkitë kanë krijuar njësitë e auditimit të brendshëm publik me 1 deri në 3 punonjës, ende këto njësi nuk po përqendrohen tek rritja e eficencës së zyrës së taksave, me qëllim rritjen e të ardhurave tatimore si nga taksat dhe tarifat vendore, pasi mos realizimet e theksuara të këtyre të ardhurave nga mjaft bashki po sjellin një disbalancim të fortë të buxhetit vendor.

Për përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e nivelit të arkëtimit të taksave dhe tarifave vendore në Bashkitë e audituara, nga KLSH janë dhënë rekomandime konkrete si më poshtë:

Bazuar në nenin 70 pika 3 “E drejta për të nxjerrë njoftimin e vlerësimit tatimor”, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, KLSH ka rekomanduar që të nxirren njoftim vlerësimet tatimore për debitorët dhe të ndiqen rrugët e mëposhtme:

1-T’u ridërgohen bankave urdhrat e bllokimit të llogarive në banka, bazuar në nenin 90, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, duke shtuar edhe debitorët e taksave te ish komunave.

2-T’i dërgohen Drejtorisë Rajonale të Transportit, kërkesa për vendosjen e barrës siguruese (për mjetet) dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (për pasuritë e paluajtshme), bazuar në nenin 91 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 ”Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”. i ndryshuar.

3-Për subjektet të cilët nuk kanë paguar detyrimet tatimore në afat, të aplikohet llogaritja e gjobës në masën 0,06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më tepër se 365 ditë (gjobë), bazuar në nenin 114, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, me ligjin nr. 164/2014, datë 15.12.2014.

4- Edhe pas njoftimeve zyrtare, nëse bizneset nuk pranojnë të paguajnë detyrimet ndër vite, nga Bashkia (Sektori i Taksave dhe Drejtoria Juridike), pasi te merren masat administrative apo sekuestro, te bëhet kallëzim penal, bazuar në Kodin Penal, miratuar me ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 me ndryshimet e mëvonshme, neni 181 “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

5- Sektori i Taksave në bashkëpunim me Njësitë Administrative të audituara, të evidentojnë listat emërore te debitorëve në mënyre elektronike dhe te printuar dhe, në zbatim të udhëzimit plotësues të Ministrisë Financave nr. 01, datë 17.01.2019 “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2019”, pika 98, ku përcaktohet se: Të gjitha Njësitë e vetëqeverisjes vendore të marrin masat e nevojshme për zbatimin e kërkesës ligjore,për njoftimin paraprak të detyrimit tatimor të miratuar me vendim të Këshillit Vendor,për gjithë tatimpaguesit (tatimpaguesit familjarë dhe bizneset,në territorin përkatës), të njoftojnë nëpërmjet postës familjarët të cilët nuk kanë paguar detyrimet për taksën e tokës,/tarifën e pastrimit, ndriçimit, banesave dhe gjelbërimit.

6-Bashkitë të cilat nuk kanë lidhur një aktmarrëveshje me Ujësjellësit sh.a,për pagesën e taksave vendore, nëpërmjet vendimmarrjes në Këshillat Bashkiake të mundësojnë realizimin e lidhjes së një marrëveshje, në të cilën Ujësjellësi sh.a. të përcaktohet si agjent tatimor për arkëtimin e taksave vendore së bashku me faturat e ujit të pijshëm,bazuar në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, neni 5 shkronja (ii), neni 7,të ligjit nr. 9920,datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore” i ndryshuar, pikës 7.1 të UMF nr. 24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore”i ndryshuar, marrëveshje e cila do të rriste arkëtimin e taksave vendore dhe do rigjenerojë të ardhura shtesë për Bashkitë.

7-Njësitë e auditimit të brendshëm publik në bashkitë të auditojnë në mënyrë permanente organizimin dhe funksionimin e zyrave të taksave.

8-KLSH në rekomandimet e dërguara në Bashkive ka vendosur edhe një rekomandim konkret ku konsiston në atë që, Kryetari i Bashkisë, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, të analizojë Raportin Përfundimtar të Auditimit të kryer në Bashki, duke evidentuar të gjitha shkeljet dhe rekomandimet e dhëna nga KLSH për analizimin e përgjegjësive të personave përkatës dhe marrjen e masave për zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e punës në të ardhmen. Kjo, bazuar në kërkesat e ligjit nr. 68/2017, datë 27.04.2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, Neni 50-Auditimi i jashtëm, pika 5 përcaktohet se “Për të gjitha raportet e auditimit të jashtëm, të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo auditues të tjerë ligjorë, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të raportit të auditimit dhe raporton rregullisht në këshillin e njësisë për progresin në zbatimin”.

Në realitetin e ri të krijuar, KLSH vijon të jetë e përkushtuar në përmirësimin e financave vendore të bashkive të reja, si kusht i domosdoshëm për të ulur borxhin në rritje të njësive vendore dhe për të shtuar dhe përmirësuar cilësisht shërbimet ndaj qytetarëve,por ka vend për rishikimin e kompetencave të Njësive administrative të cilat janë mjaft të cunguara duke u “lidhur”duart për vendimmarrje të administratorëve të Njësive (Njësitë administrative kanë trashëguar kufijtë territoriale të ish-komunave), pasi bazuar në ligjin nr.139/2015, dt.17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore “, neni 66 “Detyrat e administratës së njësisë administrative: Administrata e njësisë administrative.

Administrata e njësisë administrative kryen këto detyra:

  1. a) është zyrë e shërbimit për të gjitha procedurat administrative në kompetencën e bashkisë;
  2. b) mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve në kundërshtim me ligjin;
  3. c) mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë;

ç) bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara;

  1. d) bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë tregjet publike;
  2. dh) bazuar në vendimmarrjen e kryetarit të bashkisë, mund të administrojë këndet e lojërave,

terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë;

terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë;

  1. e) përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial, si dhe mbikëqyr, pas miratimit, zbatimin e tyre, sipas ligjit;

ë) propozon, sipas ligjit, emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve që janë nën juridiksionin e saj territorial;

  1. f) mbështet, koordinon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryetarëve e të kryesive të fshatrave;
  2. g) i propozon kryetarit të bashkisë dhënien e titujve të nderit dhe stimujve për personat nën juridiksionin e saj territorial;

gj)propozon marrjen e nismave në dobi të komunitetit me mundësi të barabarta dhe përfitime nga të gjithë brenda juridiksionit të saj territorial;

  1. h) kryen çdo funksion tjetër të deleguar nga kryetari i bashkisë.

Gjykoj se është e domosdoshme qe më shumë informacion dhe opinione duhet të japin në mediat vizive dhe të shkruara të vendit për taksat dhe tarifat vendore, sidomos ekspertet e Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, drejtoritë apo zyrat e taksave të pushtetit vendor, OJQ- të, etj. Mediat dhe opinionistët kanë 3 muaj që kanë pushtuar ekranet e TV dhe prodhojnë vetëm politikë për zgjedhjet lokale dhe asnjë nuk flet për nivelin e realizimit të të ardhurave, për thirrjen bizneseve dhe qytetarëve për pagimin e taksave, si një nga kolonat ku mbështetet organizimi dhe funksionimi i shtetit në demokraci.

Shënim: Problematika e këtij shkrimi shpreh opinionet individuale dhe jo zyrtare të KLSH