Hyqmet Zane: Ndërkombëtarët që flasin me dy standarte

664
Sigal

Ndërkombëtarë që flasin me dy standarde si “e ama Zeqos majë thanës”

 

Nga Hyqmet Zane

 

Gjithnjë kam besuar se këtë vend ka dashur Zoti që ta shpëtojë nga copëtimet e pafund territorial, por edhe falë Presidentit Amerikan Woodrow Wilson që denoncoi më 1919 Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku në thelb ishte ndarja e territorit të mbetur të Shqipërisë pas ndarjes katastrofike në Konferencën e Londrës, më 1913-n. E kujtoj këtë të vërtetë historike pas 100 vjetësh, jo vetëm si një mesazh nderimi për Amerikën që i dha kombit shqiptar dinjitetin e merituar përballë një Evrope që  historikisht e ka sakatuar, por edhe për t’u thënë se aleati i vetëm besnik i shqiptarëve ka mbetur Amerika. Këtë fakt komunistët e Enver Hoxhës nuk e pohonin asnjëherë, por i referoheshin Leninit, sepse filozofia e diktatorit shqiptar nuk mund të pranonte në atë kohë të vërtetën amerikane, por donte mashtrimet ruse. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite me të njëjtin model…!

Shkak për këtë kujtesë u bë, jo vetëm 20-vjetori i Çlirimit të Kosovës dhe prania e personaliteteve  amerikane; si Presidentit Klinton dhe Sekretares së Shtetit Ollbrajt bashkë me Shefin e madh të NATO-s, Klark në atë kohë në detyrë, më 1999-n, por edhe për disa deklarata të disa evropianëve që në situatat e politike që po kalon vendi, janë kthyer në megafonë të qeverisjes dhe të prapësirave të kryeministrit. Nuk dua ta besoj që mund të jenë përlyer në afera tipike sorroiste apo në punë që kanë erë pisllëku, por ama po besoj se veç punë të pastra nuk gjenden në këto deklaratat e tyre a thua se ne jemi bagëtia që na vjen bariu dhe na mëson se si duhet ngrënë bari dhe se sa i ushqyeshëm është (?!).

Vijnë dhe ikin të ashtuquajtur ndërkombëtarë dhe kur i merr vesh në lajme që takojnë kryeministrin dhe ministrat e tij dhe më pas bëjnë deklarata si të ishte Edi Rama në vend të tyre, siç ndodhi me disa gjermanë të Bundestagut së fundi, menjëherë mendon se “u prish kjo dynja” kur edhe gjermanët që mbahen për korrektë dhe seriozë bëjnë të tilla lojëra fjalësh, duket se sa të drejtë paska pasur Gjergj Fishta kur i etiketoi në vargjet e Lahutës së tij

“Uh! Europë, ti kurva motit!

 Që i re mohit, besës së Zotit!

Po a ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?”.

Ndërkombëtarë me dy standarde nuk i duhen shqiptarëve në këto situata, se më sjellin në mendje atë shprehjen popullore që thotë se flasin si “e ama Zeqos majë thanës”. Se ku e shikojnë ata të mirën e kësaj qeverisjeje, vetëm ata e dinë, se realiteti që ata nuk e shohin duket se ua merr mendjen dhe flasin si të jenë anëtarë të PS dhe jo përfaqësues të shteteve me emër në botë.

Kanë shkruar e çfarë nuk kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, personalitete vendas dhe të huaj në kohë të ndryshme nga lashtësia e deri më sot. Jemi krenuar dhe jemi ndjerë mirë sa i mësonim përmendësh shprehjet e përdorura nga këta personalitete, veçanërisht të huaj, por që vit pas viti janë venitur dhe harruar në pjesën më të madhe. Por një gjë nuk po ua lexojmë këtyre shkruesve se si e kanë parë Shqipërinë dhe shqiptarët në forma apo nga përmbajtja, në fasadat e pallateve të lyera sipas modelit të pikturave të Edi Ramës apo si realitet që të lemeris nga varfëria? Me siguri që do të thosha se të gjithë kanë pasur pak dashuri kur janë ballafaquar me realitetet e këtij vendi dhe këtij populli, duke u dhënë nam në botë. Ajo që ka munguar ka qenë mos bërja shtet dhe mungesa e theksuar e qeverisjeve që vërtet kanë lënë nam sa të huajt kanë ndjerë zhgënjim..

Edhe pse jemi në shekulli e 21-të dhe kemi qenë në kontinentin e Evropës, asnjëherë nuk kemi pasur mendësinë e të jetuarit si të barabartë në një tokë ku Zoti na ka caktuar të jetojmë dhe t’i gëzohemi fatit të mirë. Problemet mes vetë shqiptarëve dhe qeverisjeve të tyre kanë qenë madhore dhe me përfundime fatale, pa ditur që të bëjmë bashkësinë e vlerave që gjithsesi janë përfundimi i asaj që përjetojmë sot në vendin tonë me shumë resurse dhe me pak mundësi për të përfituar nga ato që na ka dhënë Zoti si dhuratën më të mirë.

Tërësisht jemi në një mendje se Faik Konica është një nga ata mendimtarë që shprehjet e tij, edhe pas 100 vjetësh, idetë e tij mbeten reale si aksioma që nuk kanë nevojë për vërtetësi. E vërteta e tij për këtë vend dhe për këtë popull përmblidhet kështu “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira … por një bandë maskarenjsh, ryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjithë pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”. Aq të vërteta janë këto sa habitemi sesi parashikimet e këtij personaliteti të kohës në fund të Rilindjes dhe në fillim të Pavarësisë janë më shumë se të vërteta. Shkurt, në një vend me nam për bukuritë, jemi me nam në shëmtimin që i kemi dhënë vetes nga qeverisjet e njëpasnjëshme. Por për fatin e keq po lënë nam të keq edhe këta që mbahen si ndërkombëtarë që flasin me dy standarde dhe që bëhen si zëdhënës të së keqes.

Idolatritë që kanë sunduar mendjet e një populli si ky yni, kanë rezultuar fatale dhe me precedent të rrezikshëm, sepse më shumë se sa injoranca e Haxhi Qamilit në fillim të shekullit, u mbyll me sundimin e një diktature me injorancë kriminale. Por nuk ka se si të ndodhte ndryshe nga ç’kishte parathënë Konica që edhe në këto vitet e fundit na kanë zaptuar injorantët modern që me poturet e veshjeve të tyre i ngjajnë haxhiqamilëve të një shekulli më parë. E vërteta e të madhit Konicë kur shprehet se “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët”.

Për ndërkombëtarët me çanta të mëdha dhe ide të shterueshme dhe pa brumë nuk kanë vend të vërtetat e mendimtarëve të Shqipërisë, por këto që filozofon nën efektet e drogave qeveritarët e mazhorancës absolutisht injorante. Por a mund të shërohen shqiptarët me pallavra elektorale apo me qeverisje me përralla idioteske të shkruar në letra si paçavure higjienike? Kurrsesi jo. Jam i bindur se edhe protestat kanë mangësitë e duhura, kur nuk kanë definicione bindëse si ajo e studentëve që më parë u fik se sa u ndez. Por gjithsesi dëshira qeverisëse për të shuar protestat me gaz lotsjellës dhe ujë me presion apo me gënjeshtra tipike të modelit “gënje, gënje se diçka do mbesë”, kjo kërkon rrëzimin me çdo mjet të qeverisjeve të kotësive që po lënë nam në botë.

Për herë e më shumë më ka mbetur në mendje portreti intrigues, i fuqishëm dhe i keq në thelb, që duket se ka rivendosur të shkatërrojë Shqipërinë, i një kaste ndërkombëtarësh që na nxijnë ekranet dhe nuk përputhen me realitetin. Nuk mund t’i jap të drejtë kurrsesi Enver Hoxhës kur shkruante veprat e tij anti anglo-amerikane dhe anti evropiane, anti imperialiste dhe antirevizioniste. Por po kuptoj se në mes atyre rreshtave paska pasur diçka të vërtetë, kur shikon se si veprojnë në emër të shteteve të tyre këta soj e sorollopë ndërkombëtarë që sikur ushqehen në tepsinë e qeverisjes.

Ndoshta ka ardhur koha që si para 100 vjetësh edhe sot amerikanët dhe Departamenti i Shtetit Amerikan të nxjerrin në shesh të vërtetën e këtij realiteti që hapur po flet kundër interesave të popullit shqiptar dhe që hapur po i bëhet parzmore lobingu ndërkombëtar tipik sorrist. Kam besë e shpresë në këtë të vërtetë si gjithnjë kam besuar kur dëgjoja “Zërin e Amerikës” se do kishte një ndryshim dhe ai erdhi, por që nuk po vazhdon me ritmin e duhur për shkak të populizmit që manifeston lidershipi socialist duke denigraur gjithçka të opozitës, që edhe sikur të mos kishte të drejtë, duhej dëgjuar dhe jo që e drejta e opozitarizmit është zmadhuar ndjeshëm dhe po bëhet një uragan që do të përmbysë këtë palo-qeverisje me portret intrigash dhe zullumqarësh.

Përballë këtij realiteti komprometues deri në kulm, kemi një datë zgjedhjesh po aq komprometuese që e kërkon me domosdo qeveria për të kompromentuar gjithë zullumet e 6 viteve qeverisje. Por më keq akoma kryeministri po komprometon atë dëshirën e madhe të tij për reformën në drejtësi që e do si privilegj për vetën se sa drejtësi për shqiptarët. po komprometohet vetë Shqipëria në sytë e botës sa edhe vetë ndërkombëtarët po komprometojnë misionet e tyre gjoja në emër të ndihmës por që po bëjnë rolin e njerëzve me dy standarde që flasin tamam si “e ama Zeqos majë thanës”.