Hetim cigareve të librazhdit/ Pas zbulimit të skandalit ng Doganat Britanike edhe Egjipti filloi hetimet e kontrabandës së cigareve fallso të prodhuara në Librazhd. Prokuroria e Elbasanit dhe ajo e përgjithshme zvarritin hetimet…

141

Kur do të përfundojë hetimet prokuroria e Elbasanit ndaj kompanisë doganore “Ujori” të gruas së kryebashkiakut Sejdini?

Egjipti do të hetojë cigaret e rreme “Cleopatra” të prodhuara në Librazhd

Pasi investigimet e BIRN/ARIJ treguan mënyrën sesi miliona cigare të rreme “Cleopatra” po kontrabandoheshin në Afrikën e Veriut nga Ballkani, parlamenti i Egjiptit ka kërkuar një hetim zyrtar. Komiteti i Industrisë i Parlamentit Egjiptian i ka kërkuar prokurorit të shtetit të vendit të fillojë një hetim penal për kontrabandën e cigareve – pasi një sërë investigimesh të publikuara nga BIRN/ARIJ zbuluan se marka më popullore e vendit po prodhohej në masë dhe kontrabandohej nga Ballkani. Komiteti tha se prokurorët duhet të shqyrtonin nëse drejtuesit e “Eastern Company” kishin neglizhuar ndalimin e fluksit të cigareve të falsifikuara nga Mali i Zi dhe Shqipëria në vend. “Shpërdoruesit duhet të mbahen përgjegjës për atë që kanë bërë për shkak të mosveprimit dhe mos ruajtjes së parave publike, prandaj tema duhet t’i referohet Prokurorit të Përgjithshëm për ta hetuar atë dhe për të zbuluar të vërtetën,” tha komiteti në raportin zyrtar të marrë nga BIRN, i publikuar në shkurt. Një sërë raportimesh të BIRN/ARIJ në dhjetor 2018 treguan se si fabrika shtetërore dhe private në Shqipëri, Bosnje, Kosovë, Mal të Zi dhe Greqi ishin përfshirë në një biznes kontrabandues që ka siguruar fitime të mëdha dhe i ka kushtuar një numër vendesh humbje të mëdha në taksën mbi të ardhurat. Muhammad Faud, një anëtar i parlamentit egjiptian, tha në seancë se menaxherët e “Eastern Company” nuk e kishin mbrojtur markën lokale “Cleopatra”, gjë e kishte bërë që produktet e saj të falsifikoheshin në Shqipëri dhe Mal të Zi. Kjo kishte “çuar në një humbje të parave publike”, tha ai, dhe “produktet e falsifikuara “Cleopatra” që nuk ishin prodhuar nga “Eastern Company” kishin zënë 30 për qind të tregut”.

Cigaret e “falsifikuara” në Librazhd kontrabandohen në Afrikën e Veriut

Një hetim i filluar nga zyra e riskut të doganave britanike, zbulon se një fabrikë në Librazhd vazhdon të prodhojë miliona cigare të ‘falsifikuara’ çdo vit. Fabrika në periferi të qytetit punëson 50 punonjës, të cilët prodhojnë cigaret që mbajnë emrin “Queen Cleopatra,” sunduese së fundit ptolemeike të Egjiptit. Cigaret e prodhuara në Shqipëri gjithashtu pretendojnë se prodhohen nga “Eastern Company S.A.E.”, dhe kjo e drejtë ishte dhënë nga një kompani me emër të njëjtë por me seli në Ishujt Virgjin Britanik dhe me adresë të njëjtë me “Eques Holding Group”. Nuk ka një lidhje të dukshme me “Eastern Company-n” origjinale që e ka selinë në Giza – shtëpi e piramidave të Gizës në jugperëndim të Kajros. Letra që konfirmon të drejtat e prodhimit ishte lëshuar disa muaj përpara se prokurorët shqiptarë të hapin një hetim ndaj operacioneve të fabrikës, të nxitur nga doganat britanike, HRMC. Sipas një raporti të “Eastern Company”, pezullimi i dha mundësi “Albania Tabak-ut” që ta rifillojë prodhimin, me gjithë kontaktet ndërmjet doganës së Shqipërisë dhe ambasadorit të Egjiptit në Tiranë, dhe sipas letrave zyrtare të siguruara nga BIRN/ARIJ shqetësimeve të doganës britanike dhe monitorimit të saj të vazhdueshëm. Britania është një nga tregjet më të mëdha në Evropë për cigaret e falsifikuara dhe të kontrabanduara. Në korrespondencë me doganat e Egjiptit pak kohë pas bastisjes në maj të vitit 2015, HMRC përshkroi se si një punonjës në Sofje por me përgjegjësi në Shqipëri, “ka qenë i suksesshëm së fundmi në mbylljen e një fabrike të prodhimit të cigareve që prodhonte markën e falsifikuar të Cleopatra-s”. Në një intervistë për BIRN/ARIJ, Dauti mohoi të ketë bërë ndonjë gjë gabim. “Ne punojmë dhe procedojmë në harmoni të plotë me ligjin shqiptar”, tha ai. “Eques Holding Group” u pajtua t’i paguajë “Albania Tabak-ut” shumën prej 0.014 për pako, ose 300 mijë euro në vit. “Sipas kontratës, ne vetëm duhet t’i paketojmë ato dhe t’i dërgojmë në Durrës”, tha Dauti. Ai dhe pronari zyrtar i “Eques Holding Group”, Al-Rifai, kanë themeluar një kompani të re, “Eques Trading Company Shpk”, në afërsi të Elbasanit ku kanë aplikuar për të hapur një fabrikë të re.

Fitimet nga tregtia e cigareve e Agjencisë doganore “Ujori” e gruas të kryebashkiakut Sejdini

Një tjetër kompani që nxirrte para nga ‘bumi’ i cigareve në Librazhd është agjencia doganore “Ujori”, e cila është në pronësi të Xhuliana Sejdinit, gruaja e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, një aleat i kryeministrit Edi Rama. Sipas raportit të prokurorit shqiptar, të siguruar nga BIRN/ARIJ, menaxheri i fabrikës “Dauti” u kishte thënë prokurorëve se “e tërë procedura e import-eksportit (ishte bërë) përmes agjencisë doganore Ujori”. Dauti tha për BIRN/ARIJ se “Ujori-t” i ishte dhënë detyra sepse “ajo është kompania e vetme që bën gjithçka në Elbasan kështu që ne nënshkruam një kontratë me të”. Nuk dihet se sa ka fituar “Ujori” nga dërgesat e cigareve të dyshuara si të falsifikuara. Sejdini tha për BIRN, se ajo nuk ishte në dijeni për hetimin ndaj Albania Tabak, duke shpjeguar se firma e saj ishte e përfshirë vetëm në rregullimin e letrave. “Ne nuk hapim ndonjë kamion dhe nuk e dimë çfarë ka brenda tyre dhe nuk ka arsye pse ta dimë këtë”, tha ajo. Më 12 dhjetor, pak para publikimit të këtij artikulli, Prokurorja Armanda Xhaferri, zbuloi në një deklaratë me shkrim për BIRN se zyra e saj në Elbasan, e kishte rihapur çështjen e vitit 2017, pasi kishte administruar dokumente të reja nga Ishujt Virgjin Britanik, por se hetimi ende po priste për të dhëna nga Egjipti. “Nën këto rrethana, hetimi ynë nuk ka përfunduar ende”, tha Xhaferri. Duke iu përgjigjur pyetjes, pse dogana ka lejuar një firmë nën hetime të eksportojë mallra që pretendojnë të jenë “Made in Egypt” drejt Libisë, dogana e Shqipërisë tha në një deklaratë se “Eques Holding Group” po operonte me një markë tregtare shqiptare për Kleopatra, edhe pse ata pranuan se “Eastern Company” e kishte regjistruar ‘Kleopatra Lux’ si markë të veten. Dogana shtoi: “Rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Qarkut të Elbasanit, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po pret rezultatet e hetimit”.