Dr. Qemal Lamaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi e varur nga gjeopolitika

108

Marrëveshja Kosovë-Serbi është në fakt një akt final midis këtyre dy shteteve të pavarura e sovrane. Realizimi i saj kushtëzohet nga domosdoshmëria e mirëkuptimit e konsensusit për interesat e secilit shtet, si dhe të gjeopolitikës për shkak të interesave jo të njëjta të SHBA e Rusisë, si dhe të rolit ndërmjetës të Bashkimit Evropian.

Rezoluta e 9 shtatorit 2010 e OKB, i ka dhënë një mandat Bashkimit Evropian që të organizojë, ndërmjetësojë dhe të realizojë pajtimin midis dy shteteve, që aspirojnë të dyja anëtarësim në BE. Megjithëse kanë kaluar më shumë se tetë vjet e gjysmë, BE ka zhvilluar bisedime të mbyllura me përfaqësuesit e këtyre dy shteteve, por nuk ka arritur të finalizojë misionin e saj. Bisedimet u ndërprenë dhe vazhdojnë marrëdhëniet e ngrira të Kosovës me Serbinë, për arsye se vazhdon të mos njihet pavarësia dhe kërkohet ndarja e Kosovës në shkëmbim të njohjes. Kosova kundërveproi me vendosja e taksës 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe kushtëzoi heqjen e saj me njohjen pa kushte të pavarësisë. Realisht bisedimet u ndërprenë dhe ndërmjetësimi dështoi.  Priteshin iniciativa dhe ndërmjetësim më efektiv nga BE. Por papritur, Përfaqësuesja e lartë e BE për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Federica Mogherini, në 12 mars në Këshillin e Sigurimit të OKB-së parashtroi një raport të politikës së ndjekur nga Komisioni Evropian në rajone të ndryshme të botës dhe në pjesën, kur foli për Kosovën, paraqiti për herë të parë nismën e re që çështja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB. “Një marrëveshje finale, tha Mogherini, do të ketë nevojë të jetë në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe do të duhet të mbështetet nga KS i OKB. Roli juaj është dhe do të jetë kyç dhe ne jemi gati, unë personalisht jam gati, të intensifikoj shkëmbimet tona me të gjithë anëtarët e KS të OKB për këtë”.

Me këtë nismë, BE heq përgjegjësinë për mosrealizimin e mandatit të ndërmjetësimit, ja lë si detyrë vet KS të OKB. Çështja e pavarësisë futet në rrugë të rrezikshme e të panjohur për shkak të qëndrimit të njohur të Rusisë, rikthimit të diskutimeve për statusin e Kosovës dhe të pretendimeve të padrejta territoriale dhe juridike të Serbisë. Kjo nismë është pikërisht ajo që ka dashur Serbia gjatë këtyre 20 vjetëve dhe ripërsëritur edhe nga Rusia së fundi, në fillim të muajit mars 2019. Mogerini ka shprehur në realitet mendimin zyrtar të Komisionit Evropian që ajo përfaqëson. Diskutimi dhe miratimi i marrëveshjes në KS është një gabim që mbart pasoja për politikën ndërkombëtare, Kosovën, Serbinë e rajonin e Ballkanit. Së pari, rikthehet pretendimi i Serbisë e Rusisë për Rezolutën 1244, vazhdimësisë së UMNIK dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. Rezoluta ka humbur në fakt legjitimitetin pasi ka pasur si subjekt RFJ jo Serbinë, për arsye se në atë kohë nuk njihej si shtet nga OKB. Së dyti, bëhet ndryshim i politikës evropiane ndaj Kosovës e Serbisë. Hidhet dritë indirekt mbi publikimet me dyshime të bazuara për një marrëveshje midis Thaçit e Vuçiçit, me ndërmjetësimin e Mogherinit. Kuptohet më qartë shqetësimi i krijuar në BE nga kundërshtimi i fuqishëm i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të mos lejuar ndarjen dhe përcaktuar kriteret zyrtare të bisedimeve me Serbinë. Në këto rrethana të reja, BE manovron me vënien në lëvizje të KS, pa shprehur qartë qëndrimin e saj për pretendimet e Serbisë dhe kriteret e Kosovës. Njëkohësisht kuptohet se Mogherini ka biseduar më parë edhe me përfaqësiesit e Kosovës dhe të Serbisë.

Prishtina ka pranuar zyrtarisht idenë e miratimit të marrëveshjes nga KS. Në Platformën zyrtare të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 7 mars 2019, në pikën 17, me titullin: “Kosova si pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet:“Në praktikë, ka të ngjarë që gjerësisht të pranohet se marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në çfarëdo rasti. Kjo do të ishte e nevojshme ose të paktën shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve për të siguruar që marrëveshja të arrijë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar”. Parashikimi i panevojshëm në këtë platformë shtetërore i qëndrimeve të përbashkëta për vendimin e KS të OKB, tregon se janë zhvilluar bisedime të fshehta midis dy palëve, si dhe partnerëve ndërkombëtarë të interesuar direkt për realizimin e marrëveshjes.

Serbia ka reaguar zyrtarisht kundër platformës së Kosovës. Presidenti Vuçiç ka theksuar se përfundimisht Kosova nuk do marrëveshje dhe ndërpreu bisedimet. Këtë qëndrim e ka mbështetur menjëherë Rusia. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pak ditë më parë, në fillim të marsit, Prishtina prezantoi platformën për bisedime, e cila nuk është asgjë më shumë sesa një ultimatum për njohje dhe që thotë se pavarësia e Kosovës duhet të njihet pa asnjë kusht dhe serbët nuk mund të kenë të drejtë të ndikojnë në këtë vendim”, citohet të ketë thënë Lavrov, shkruan TAAS.

“Uashingtoni këtë e “gëlltiti”. Unë besoj se ata kanë inkurajuar Prishtinën që të ndërmarrë këtë hap të pamatur”. Kryediplomati rus ka thënë se vendet evropiane nuk janë shprehur lidhur me platformën pasi që thekson se nuk mund të kenë ndikim mbi Kosovën. Ai ka shtuar se Prishtina shpërfill përpjekjet e BE-së për përmirësim të marrëdhënieve në mes të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Lavrovi përsëriti qëndrimin e njohur të Rusisë, duke theksuar se në vitin 2008 vendet Perëndimore njohën pavarësinë e shpallur njëanshëm nga Kosova për të justifikuar, siç shton, agresionin e NATO-së kundër ish Jugosllavisë. “Askush s’po sulmonte askënd. Sidoqoftë, qëndrimet e Perëndimit që kanë qenë të detyruar që ta njohin pavarësinë e Kosovën me arsyetimin e serbët po kërcënonin shqiptarët e Kosovës janë absolutisht të pabazuara”.

Me këto qëndrime kategorike dëshmohet se politika pro Serbisë dhe anashkalohet përgjegjësia për shovinizmin, gjenocidin e antishqiptarizmin, justifikohet fajësia për dëbimin e afro 1 milion shqiptarëve nga Kosova, vrasjen e më shumë se 10.000 personave, zhdukjen e 1752 shqiptarëve në varret masive dhe djegur në furrat e metalurgjisë në Mitrovicë etj.

Nuk bëhet e ditur nëse nga Komisioni Evropian është biseduar më parë edhe me SHBA. Po të jetë një qëndrim i njëanshëm i BE, atëherë lihet të kuptohet se është anashkaluar iniciativa e Presidentit Trump që mbështet marrëveshjen e besueshme e të qëndrueshme midis Kosovës e Serbisë, si dhe të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, në Washington. Në telegramin e urimit, që presidenti amerikan Trump dërgoi me rastin përvjetorit të 11 të pavarësisë së shtetit të Kosovës, theksoi me forcë se thelbi i marrëveshjes duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Me këtë qëndrim të qartë, tërheq vëmendjen ndryshimi amerikan nga ai evropian në fjalën e Mogherinit në KS të OKB, ku ajo si përfaqësuesja e lartë e BE për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë, nuk e përmendi fare fjalën “njohje reciproke” si themel i marrëveshjes. Lihet të mendohet se mënjanohet ose nuk vlerësohet si themelore shtrimin e kësaj çështje në KS të OKB.

SHBA, BE dhe Rusia kanë deklaruar më parë se do të njihnin e mbështesnin marrëveshjen e miratuar nga Kosova e Serbia. Zgjidhja e krizës politike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore, kushtëzohen e jetësohen me elementin themelor të njohjes së pavarësisë e sovranitetit të Kosovës. Pa këtë formulim të domosdoshëm, marrëveshja do të ishte formale, e paqëndrueshme dhe do të dëmtonte realitetin e perspektivën e Kosovës e të vetë Serbisë.

Për këto arsye, është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të deklarohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Natyrshëm vlerësohet efektive dhe merr përparësi e garanci marrëveshja sipas qëndrimit amerikan.