Dr. Qemal Lamaj: Drejtësia është e domosdoshme të funksionojë

745
Sigal

Shqipëria pas 30 vjetëve të vendosjes së demokracisë mbeti pa funksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. U paralizua faktikisht pushteti gjyqësor, një nga tre pushtetet e shtetit të së drejtës. Këto dy institucione dolën jashtë funksionit dhe ndërprenë veprimtarinë e tyre kushtetuese te dhënies se drejtësisë për shkak të vlerësimit si të papërshtatshëm në detyrë të anëtarëve të tyre, të korrupsionit në elitën e lartë të drejtësisë.

Drejtësia është e domosdoshme të funksionojë. Me rëndësi mbetet krijimi i institucioneve te reja që do të realizojnë politikën e ashpër penale ndaj korrupsionit. Nga Prokuroria e Përgjithshme behet e ditur, se ngritja e SPAK dhe BKH është çështje ditësh. E domosdoshme mbetet edhe krijimi i Gjykatës Speciale që të realizohet cikli i plotë i hetimit e gjykimit të çështjeve penale.

Me fillimin e punës së këtyre institucioneve, opinioni publik do të njihet me objektivat kryesore të luftës kundër kriminalitetit elitar, korrupsionit politik dhe ekonomik, shpërdorimeve të detyrës etj. Objekte të hetimit dhe të goditjes së korrupsionit të personaliteteve të larta që dyshohen për veprimtari kriminale do të jetë mjaft i fortë. Drejtësia shqiptare do të dëshmojë efektivitetin e Reformës në Drejtësi. Personat e dyshuar do të vihen para përgjegjësisë dhe do të hetohen e gjykohen sipas fajit e provave konkrete. Çështjet do të zgjidhen sipas ligjit. Asnjeri nuk do të ketë mundësi të ndikojë në objektivitetin dhe zgjidhjen ligjore të çështjes. Pushteti dhe paraja nuk do të guxojnë të ndërhyjnë në hetime e gjykime. Cilido që do të marrë iniciativën për të përdorur pushtetin ose paranë për të ndryshuar apo devijuar proceset penale do të ndiejë pasojat e menjëhershme të përgjegjësisë për korrupsion aktiv apo pasiv. Krahas ndryshimeve esenciale institucionale dhe në punonjësit e tyre, merr kuptimin e nevojshëm edhe komunikimi i tyre publik. Vëmendje do të ketë për respektimin e garancive procedurale, si dhe të drejtave e lirive të shtetasve edhe në kushtet kur ata dyshohen për një vepër penale. Është e domosdoshme të vlerësohet drejtë rëndësia e luftës kundër kriminalitetit të dyshuar nga personat me funksione të larta shtetërore. Vënia e tyre me faj dhe prova para ligjit, është detyrë e zbatimit të funksioneve kushtetuese të shtetit të së drejtës e të institucioneve te specializuara te drejtësisë. Kjo nuk nënkupton forcimin e propagandës zyrtare për të frikësuar por për të ndërgjegjësuar cilindo me zbatimin e ligjit dhe barazinë para ligjit të të gjithë shtetasve pa dallime nga pushteti apo pasuria që kanë.

SPAK nuk është e drejtë të përdoret për të frikësuar dhe as për të bërë politikë nga zyrtarët e lartë të prokurorisë ose të shtetit duke publikuar emra të personave të dyshuar të cilët nuk janë akuzuar zyrtarisht dhe nuk është e drejtë të cenohen të drejtat e liritë e nderi e personaliteti si për çdo shtetas.

SPAK do të trashëgojë 90 për qind të çështjeve te protokolluara nga Prokuroria e Krimeve te Rënda. Në bazë të kompetencave procedurale, SPAK do të marrë dhe dosje korrupsioni nga prokuroritë e rretheve. Niveli i goditjes dhe efektivitetit do të jetë konkret dhe më i fortë. Kompetencat e reja të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji për Prokurorinë, do të jenë më të njohura e më konkrete për shpejtimin e hetimit dhe vënien para përgjegjësisë penale të fajtorëve. Me shume rëndësi është ndryshimi cilësor në veprimtarinë e hetimit. Prokurorët do të jenë konkretisht personat kompetentë të hetimit të çështjes. Prokurori i çështjes do të jetë vetë zot i dosjes që ai ka në hetim. Ai do të veprojë me iniciativë, përgjegjësi e profesionalizëm të bazuar në aftësitë e tij profesionale. Në marrjen e vendimeve me iniciativë e përgjegjësi, prokurori nuk do të jetë i varur në lidhje hierarkike procedurale ose administrative nga prokurori më i lartë. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të ndërhyrë dhe as për të urdhëruar prokurorin më të ulët në veprimtarinë e tij konkrete të kryerjes së veprimeve dhe marrjen e vendimeve procedurale.

Byroja Kombëtare e Hetimeve do të jetë organi kompetent për hetimet. BKH, si institucion i ri hetimor do të jetë në varësi direkt të Prokurorisë Speciale. BKH do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta shtetërore dhe politike. BKH do të jetë gati sapo anëtarët e saj të trajnohen nga FBI në SHBA, në bazën më të madhe të trajnimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, do të punojnë me ato struktura të Policisë Gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorët e SPAK do të punojnë me oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke shmangur edhe lidhjet me Policinë e Shtetit.

Prokuroria shqiptare gjithmonë ka pasur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e Policisë së Shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetin dhe sekretin e hetimeve. Çdo veprim dhe vendim procedural do të analizohet me përgjegjësi ligjore e morale nga personat kompetentë të çështjes. Do të ketë kërkesa të rrepta për ruajtjen e sekretit dhe objektivitetit të hetimeve. Opinioni publik do të informohet në kohen e duhur që do të vlerësohet nga prokurori i çështjes.

Me krijimin e këtyre institucioneve të reja dhe me zgjedhjen e kuadrove me aftësi morale e profesionale, si dhe kërkesën e rreptë të zbatimit të ligjit penal e procedural dhe të disiplinës në punë, do të ketë më shumë seriozitet në njoftime zyrtare dhe përgjegjësi konkrete individuale e institucionale. Do të mënjanohen mundësitë për dhënie në mënyrë të paligjshme të informacionit. Nuk do të përsëriten historitë e publikimeve të paautorizuara të përgjimeve dhe nuk do të ketë arsye që prokurori të paralajmërojë median për përgjegjësi për përhapjen e informacioneve të përgjimit e të hetimit. Vetëm një grup ekskluziv hetues e prokurorë të çështjes do të kenë të drejtën për të njohur dhe vendosur për dokumentet. Pra, vetëm personat kompetentë dhe me të drejta e detyrime të caktuara procedura do të kenë akses në dokumentet hetimore dhe në njoftimet publike. Pavarësia procedurale e prokurorëve të çështjes është garanci për përgjegjësinë, objektivitetin, shpejtësinë e cilësinë e veprimeve dhe vendimeve procedurale. Në bazë të normave të reja procedurale, prokurorët e SPAK do të shkëputen nga hierarkia që ka ekzistuar në të kaluarën sipas parimit te centralizmit të rreptë të prokurorisë nga prokurori i përgjithshëm. Mandati i prokurorëve do të jetë 9-vjeçar. Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër ligjor përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund ta shkarkojë një prokuror të Prokurorisë së posaçme, por edhe këtë vendim ekstrem mund ta bëjë vetëm me shumicën e cilësuar te anëtarëve të Këshillit. Përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit tregon se arritja e mazhorancës, sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pavarësia e tyre mbrohet e garantohet edhe me afatin e parashikuar të ushtrimit të detyrës si garanci ligjore e rëndësishme. Prokurorët e SPAK shërbejnë me kompetenca, pavarësi të plotë dhe për një mandat 9-vjeçar. Këtë kohë ligjore të garantuar të ushtrimit të detyrës, nuk e kanë prokurorët e tjerë.

Kushtetuta e Shqipërisë ka sanksionuar ndarjen e pavarësinë e pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Mosfunksionimi i njërit prej pushteteve pezullon realisht veprimtarinë normale të shtetit të së drejtës. Mbetet detyrë parësore, vënia në funksionim e pushtetit gjyqësor, krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, zgjidhja e krizës politike dhe normalizimi i veprimtarisë shtetërore me kontributin gjithëpërfshirës të partive politike.

Drejtësia shqiptare do të dëshmojë efektivitetin e Reformës në Drejtësi. Personat e dyshuar do të vihen para përgjegjëse dhe do të hetohen e gjykohen sipas fajit e provave konkrete. Çështjet do të zgjidhen sipas ligjit. Asnjeri nuk do të ketë mundësi të ndikojë në objektivitetin dhe zgjidhjen ligjore të çështjes. Pushteti dhe paraja nuk do të ndërhyjnë në hetime e gjykime