Alexis Tsipras në Shkup për të ndryshuar historinë

64

“Dje nënshkruam Marrëveshjen e Prespës, sot po shkruajmë historinë”. Kjo ishte fjalia me të cilën kryeministri Zoran Zaev nisi konferencën e përbashkët me Alexis Tsipras, i cili do të mbesë në histori si kryeministri i parë grek që vizitoi Maqedoninë e Veriut.

Vizita historike vjen gati një vit pasi Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev arritën një pakt për çështjen e emrit, duke arritur një marrëveshje që është konsideruar nga shumë analistë si kryevepra më e madhe diplomatike e dhjetë viteve të fundit.

Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek që kur vendi fqinj shpall pavarësinë në vitin 1991, kur nisën edhe mosmarrëveshjet që penguan normalizimin e marrëdhënieve mes Athinës dhe Shkupit për gati tre dekada me radhë. Tsipras duket se ka nisur tanimë një mision jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve por edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut një orë e parë në Bashkimin Europian. Vizita e tij në Shkup ishte ndër të tjera edhe pjesë e fushatës së lobimit të ndërmarrë së fundmi nga qeveria greke për hapjen e negociatave me Shkupin.

Ndërkohë që sytë e Brukselit ishin nga Shkupi, Zaev dhe Tsipras treguan se dy qeveritë e tyre ishin të gatshëm për mbajtjen e premtimeve për rritjen e lidhjeve ekonomike dhe politike.

Pas takimit “tet a tet” me Zaevin dhe kabinetin e tij, Tsipras deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se rritja e bashkëpunimit ekonomik kishte përparësi e kësaj vizite.

“Vizita ime këtu është e para e një Kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut. Më vjen keq që na është dashur 30 vjet për të kaluar këto barriera. Para pak kohe, kjo vizitë ishte e paarritshme dhe e padiskutueshme, sot kjo është duke ndodhur”, deklaroi kreu grek, duke theksuar se të dyja palët kishin nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras në Shkup

“Për sa i përket politikës së jashtme, kemi krijuar mirëkuptim një plan për koordinim në të gjitha fazat dhe bashkëpunim rreth politikave europiane. Gjithashtu sot kishim mundësinë të flisnim rreth qëndrimeve për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë për në NATO, mes Greqisë , Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për të përmirësuar marrëdhëniet tona me të gjitha shtetet fqinje” u shpreh kryeministri grek.

“Çështja më e rëndësishme në takimin e sotëm ishte ekonomia, sepse nuk kemi kohë për të humbur. Duhet t’i tejkalojmë të gjitha hendeqet. Delegacioni im përbëhet nga më shumë se 100 biznesmenë, me të vetmin qëllim që të ndërtojmë raporte më të mira ekonomike në të ardhmen”, deklaroi Tsipras.

Ndërkohë Zaev deklaroi se kryeministri grek ishte një mik i madh i tij dhe i Maqedonisë se Veriut, duke theksuar se Tsipras po lobonte prej kohësh për anëtarësimin e vendit të tij në BE.

“Gjatë këtyre ditëve Tsipras ka bërë apel për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Sot republika jonë është nikoqire e kryeministrit Aleksis Tsipras. Kur kthejmë kokën pas, shohim vetëm kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme po shkojnë drejt të ardhmes. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve”, tha Zaev.

Sipas kreut maqedonas, vizita historike e Tsiprasit në Shkup është një kontribut për një Ballkan të ri”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, homologu i tij grek theksoi edhe njëherë se Athina do të ndihmojë Shkupin në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.

“Greqia do të bëj përpjekje që të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj për integrimin në Bashkimin Europian. Po mundohemi të thellojmë bashkëpunimin dhe të lëmë pas krahëve urrejtjet. Kjo nuk do të jetë sukses vetëm për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë sukses për gjithë rajonin. Kemi humbur shumë kohë, prandaj duhet ta kompensojmë”, tha Tsipras.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras në Shkup

Kreu grek theksoi po ashtu se Marrëveshja e Prespës do të zbatohej deri në fund. 
“Me implementimin e marrëveshjes midis dy vendeve por edhe midis dy popujve dhe koordinimi i përbashkët midis dy vendeve, do të fillojmë të krijojmë vende të reja pune, do rrisim të ardhurat tona, të promovojmë projekte të reja, të avancojmë në fushën e turizmit. Atëherë popujt tanë do të kuptojnë dëmin që i kemi shkaktuar njëri tjetrit për 30 vjet, kur nuk mundeshim të bashkëpunonim.- theksoi kryeministri grek. “Ne posedojmë grupe ekspertësh që nën mbikëqyrjen e MPJ-ve të të dyja vendeve, do të diskutojnë rreth arsimit, arkeologjisë dhe ekonomisë”, shtoi ai.

Nacionalizmi

Por pavarëisisht frymës së mirë të bashkëpunimit, Tsipras pranoi se një pjesë e madhe e popullit grek është ende e shqetësuar për marrëveshjen e emrit.

“Është përgjegjësia jonë, e imja dhe e Zoran,të tregojmë se kombet tona mund të përfitojnë vetëm nga mundësia që kemi përpara,” tha ai.

Situata politike në Greqi mbetet delikate, pasi Tsipras ka rënë në sondazhe, ndërkohë që 60% e grekëve janë kundër marrëveshjes se arritur qershorin e kaluar. Ekspertet thonë se vendimi i kryeministrit Alexis Tsipras për të çuar deri në fund këtë marrëveshje, nga e cila ka ringritur reputacionin e tij si “burrë shteti”, mund të kthehet në një bumerang për të përndjekur qeverinë e tij në zgjedhjet e këtij viti.

Pakënaqësia është gjithashtu e dukshme edhe në Shkup, pasi shumë mbështetës të opozitës mendojnë se ndryshimi i emrit është një vendim i turpshëm për Greqinë dhe se qëllimi përfundimtar, hyrja në BE , nuk mund të realizohet kurrë.

Marrëveshjet e firmosura

Ndërkohë që Tsipras duket së është duke e përdorte vizitën për të rritur meritat e tij personale si një shtyllë për stabilitetin rajonal, shumë biznesmenë grekë duket se kanë vendosur të përfitojnë nga klima e mirë e marrëdhënieve dypalëshe. Përpara vizitës, ai tha për “AFP” se investime të reja greke do të kapnin e vlerën e 500 milionë euro.

Kryeministri grek deklaroi se Shkupi dhe Athina kishin firmosur një marrëveshje për shkëmbimin e mallrave dhe se qeveria greke ka ndarë 100 milionë euro buxhet për Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi disa biznese greke që tani për tani janë aktive në Maqedoninë e Veriut dhe kanë qenë edhe më herët, por gjithashtu kemi marr me vete rreth 100 sipërmarrës që do të mund të shkëmbejnë idetë për bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Kemi diskutuar rreth shkëmbimit të mallrave dhe rritjen e investimeve greke, qeveria jonë ka parashikuar 100 milionë euro buxhet që do të investohen në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras në Shkup

Kryeministri grek, Aleksis Cipras mes tjerash theksoi se po shqyrtohet dhe është diskutuar rreth hapjes së një pike të re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në Promahoi, për të lehtësuar qarkullimin e lirë mes dy shteteve por edhe rritjen e turizmit.

Një tjetër fushë mund të pritet përparim është në fushën e lidhjeve energjetike. Kompanitë greke kanë qenë prej kohësh aktive në transportin e karburantit në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet Selanikut dhe një tubacion i financuar nga Greqia është tashmë një nga kanalet kryesore të importit të energjisë në vendin fqinj. Duke informuar shtypin përpara udhëtimit të Tsipras, Ministri grek i Mjedisit dhe Energjetikës Giorgos Stathakis deklaroi se kompanitë greke të energjisë po tregojnë interes të madh për zgjerimin e rrjeteve të gazit, energjisë elektrike dhe naftës mes Greqisë dhe fqinjit të saj verior.

A duhet të vizitojë Zaevi Athinën?

Duke cituar burime , gazetarët në Greqi, thonë se pas vizitës së Tsipras në Shkup, edhe Zoran Zaev do të vizitojë Athinën gjatë pashkëve,.

Ndonëse do të ishte e udhës që edhe Zaev të vizitonte Athinën, media greke paralajmërojnë se një lëvizje e tillë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare greke mund të rezultojë e gabuar.

Mediat greke shkruajnë se një vizitë në Athinë me siguri do të dëmtojë Maqedoninë e Veriut nëse Demokracia e Re do të drejtojë qeverinë e ardhshme greke, pasi një vizitë në muajt e ardhshëm do të përforcojë përshtypjen se marrëdhënia e Shkupt me Greqinë varet nga Syriza.

“Zaev duhet ti planifikojë me kujdes veprimet e tij të ardhshme nëse viziton Greqinë para zgjedhjeve ose kur diskuton çështjen e nacionalitetit për të shmangur provokimin e qytetarëve grekë”, shkruan “Kathimerini”.