Zyra e Auditimit të Qeverisë (GAO) së SHBA: Një model suksesi në fushën e auditimit

493

Nga : Alfonc Gabili, Auditues i Lartë, KLSH

Falë mbështetjes së Kryetarit të KLSH z. Bujar Leskaj, së bashku me një kolege patëm fatin të jemi pjesë e “Programit Ndërkombëtar të Praktikës së Audituesve 2018 (International Fellowship Auditor Program)”, për 4 muaj pranë Zyrës së Auditimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Government Accountability Office – GAO). Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO), është një agjenci e pavarur, jo partiake që punon për Kongresin dhe që është pjesë e pushtetit legjislativ. E njohur ndryshe si “Watchdogu i Kongresit”, GAO auditon si Qeveria Federale shpenzon paratë e taksapaguesve. GAO udhëhiqet nga Kontrollori i Përgjithshëm për një mandat 15 vjeçar, i cili emërohet nga Presidenti në bazë të listës së propozuar nga Kongresi. Z. Gene L. Dodaro nga data 22 Dhjetor 2010, është aktualisht Kontrollori i 8-të i Përgjithshëm i GAO, pasi u konfirmua nga Senati dhe u emëruar në këtë detyrë nga Presidenti Obama. Ai ka shërbyer si Kontrollor i Përgjithshëm i Komanduar që nga Marsi 2008. GAO, u themelua në vitin 1921. Në këtë vit, Akti i “Buxhetit dhe Kontabilitetit”, transferoi përgjegjësitë e auditimit, kontabilitetit dhe ankesave nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve, tek një agjenci e re. GAO u krijua sepse menaxhimi financiar federal kishte hasur probleme pas Luftës së Parë Botërore. Lufta kishte rritur borxhin publik dhe për këtë arsye Kongresi pa të nevojshme të kishte më shumë informacion dhe kontroll më efektiv mbi fondet publike. Akti e krijoi GAO të pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe i dha një mandat të gjerë të hetojë mbi mënyrën e përdorimit të fondeve federale. Akti gjithashtu i kërkonte Presidentit të SHBA`ve të përgatisë një buxhet vjetor për qeverinë federale. Akte të tjera të mëvonshme qartësuan dhe zgjeruan rolin e GAO`s, por Akti i “Buxhetit dhe Kontabilitetit” vazhdojnë të shërbejnë si baza kryesore e veprimtarisë së GAO`s. GAO i kryen detyrat e saj audituese, në pjesën më të madhe (rreth 90%), në bazë të kërkesave të ardhura nga Kongresi, komisionet dhe/ose nënkomisionet parlamentare dhe pjesën tjetër me inicimin e Kontrollorit të Përgjithshëm. Çdo vit GAO prodhon më shumë se 900 produkte të ndryshme si raporte auditimi, dëshmi para Kongresit dhe/ose komisioneve parlamentare, etj.

Deri më tani GAO ka ndihmuar Kongresin dhe Qeverinë Federale në kursimin e Buxhetit Federal nga shpenzimet jo efektive në vlerë rreth 175 miliard dollarë! Përgjegjshmëria dhe transparenca janë elementët kyç në përmirësimin e qeverisjes, e për pasojë institucionet supreme të auditimit (SAI), luajnë një rol kritik në përmirësimin e performancës së qeverisjes. Për këtë arsye, Programi Ndërkombëtar i Praktikës së GAO`s (International Fellowship Auditor Program – IAFP)”, një kurs intensiv studimi 4 mujor, është dizajnuar për të fuqizuar kapacitet e SAI-ve pjesëmarrëse në përmbushjen e misioneve të tyre, si dhe për të rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë e qeverisjes në mbarë botën. GAO e inicioi këtë program në vitin 1979, në përgjigje të rritjes së shpenzimeve të qeverisë federale jashtë vendit dhe nevojës për të përforcuar llogaridhënien mbi këto fonde, si dhe nën moton e INTOSAI “Experientia Mutua Omnibus Prodest” (nga eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë). Mbi 580 zyrtarë të niveleve mesatare dhe të lartë, të SAI`ve nga mbi 105 vende pjesëmarrëse, janë diplomuar nga ky program. Shumë nga këta pjesëmarrës më vonë janë promovuar në detyra të ndryshme shtetërore si Auditorë ose Zëvendës Auditorë të Përgjithshëm, Ministra dhe/ose funksione të tjera të larta shtetërore. Për këtë vit marrin pjesë 20 përfaqësues nga 15 shtete të ndryshme të botës. Në këtë program intensiv studimi 4 mujor, përveç temave të ndryshme të prezantuara nga lektorët e GAO`s, pjesëmarrësit kanë mundësinë të ofrojnë dhe praktikat më të mira të auditimit të cilat zbatohen në vendet e tyre respektive. Na bën të ndjehemi krenarë fakti se edhe pse jemi ndër SAI më të vegjël pjesëmarrës, prezantimi i kryer nga ne mbi rolin, detyrat, përgjegjësitë dhe sidomos performancën e KLSH`së, ishte një ndër prezantimet që tërhoqën vëmendjen dhe pati pëlqyeshmërinë më të lartë të pjesëmarrësve. Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për 10-vjeçarin e fundit, kjo është pjesëmarrja e tretë në këtë program, me një total prej 5 audituesish. Nën moton e INTOSAI “Experientia Mutua Omnibus Prodest” (nga eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë), KLSH ka sjellë në shqip “Standardet e Auditimit të Qeverisë” ose ndryshe “Libri i Verdhë”, një botim i GAO`s, si dhe është në proces përkthimi të botimit “Standardet e Kontrollit të Brendshëm në Qeverinë Federale” ose ndryshe “Libri Jeshil”. Këto dy manuale shërbejnë si një udhërrëfyes në përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe qeverisjes së përgjithshme. Vlen të theksohet dhe fakti që për herë të parë në historinë e tyre, këtë vit marrin pjesë dhe 2 audituese nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës. Edhe pse është pjesë aktive e INTOSAI dhe EUROSAI, Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, në këto organizata përfaqësohet në cilësinë e vëzhguesit. Ky program ofron mundësinë për të shkëmbyer pikëpamjet dhe për të ndarë përvojën e SAI`t të Kosovës me atë të SAI`ve të tjerë pjesëmarrës.