Zyhdi KROJ*/ “29 Nëntori”, vendimi i Këshillit të Ministrave që e çnderon Qeverinë

513
Sigal

Nëpërmjet mediave jemi njohur me një VKM që ka miratuar një fond prej 94 milionë lekë në nderim të festimit të 70- vjetorit të çlirimit të Atdheut. Por me një VKM tjetër, nga kjo shumë, vetëm një milion lekë do të përdoren për restaurimin e varrezave të Dëshmorëve në Tiranë. Dilema e vetme që më lindi është çdo të bëhet me restaurimin e varrezave, lapidarëve, muzeve e memorialëve të tjera në të gjithë vendin që janë në gjendje të mjerueshme!? A do të bëhet parada ushtarake në nivelin që i takon një vendi anëtar i NATO-s!? Natyrisht, nuk mendoj fare për ato që një gazetë me të drejtë i quan salltanete. A po shihet këtë radhë një përpjekje për një vlerësim më të drejtë e respekt për partizanët, heronjtë e dëshmorët e luftës, që luftuan me heroizëm, u vranë apo u gjymtuan në betejat e shumta me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët kolaboracionistë vendas? A do të ketë një respekt në rritje për simbolet e kësaj lufte, që e renditi Shqipërinë në një kamp me aleatët?. A do të marrë fund përdhosja e kësaj lufte e protagonistëve të saj që nuk ka reshtur gjatë këtyre 24 viteve jo vetëm nga pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, por dhe persona apo grupime të lidhura me interesa të ngushta dashakeqe?. Shpresojmë të gjithë, se kështu duhet të ndodhë. Së fundi, të ndodhë ajo që ndodh në shtetet e tjera të Europës që ishin në koalicionin fitues, ku lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është dhe vlerësohet si e shenjtë. Po a po ndodh!?. Mjerisht, siç po duket, nuk po ndodh pika e kthesës që duhet… Për sa më sipër dëshiroj të shfaq opinionin tim, paçka se dikujt, në pushtet dhe opozitë, mund të mos i pëlqejë.

Së pari: Fondi për 70- vjetorin e çlirimit nuk paraqet realisht respektin e nderimin për këtë ngjarje nga më madhoret në historinë e shtetit por mentalitetin e tij, ndaj e quaj një VKM që e çnderon Qeverinë. Nëse fondet janë dhënë apriori, ky është saktësisht mentaliteti i Qeverisë, nëse ka studime konkrete duhej shoqëruar me projekte përkatëse. Të tillë Qeveria nuk ka publikuar, por vetëm organizata e veteranëve të LANÇ dhe shoqata e familjeve të dëshmorëve i kanë paraqitur asaj dy projekte e si duket ato janë arkivuar pa i lexuar sektori përkatës në Qeveri. Mësohet se, këto dy projekte të hartuara nga shoqata e veteranëve të luftës, në konsultë me specialistët ka kohë që ndodhen në sirtarët e qeverisë. Por në fakt, ata jo vetëm që nuk janë vënë në zbatim, por nuk ka ndodhur as dhe ajo më minimalja, një përgjigje zyrtare palës së interesuar. E kështu dilema mbetet e pazgjidhur, por një gjë dihet, fondet për dekore, dreka apo darka (i quajmë pritje) janë të bollshme. Do të bëhet paradë ushtarake, cili do të jetë formati i saj dhe kostoja edhe kjo nuk është bërë e ditur.

Së dyti, ndonëse qeveritë kanë ndryshuar, vlerësimi dhe respektimi i LANÇ-it është i njëjtë. Përveç heshtjes të shumicës së mediave, të paktën televizori publik shqiptar deri tani nuk ka bërë asnjë emision për ngjarje të veçanta të luftës, operacioneve, përvjetorëve të krijimit të formacioneve partizane, përvjetorë heronjsh etj.. Kështu e festoi Qeveria e Berishës 65- vjetorin e çlirimit e natyrisht edhe qeveria aktuale po ndjek të njëjtën rrugë, që unë e konsideroj se kanë të njëjtin mentalitet. Vëremë me kujdes se me sa seriozitet e mobilizim po punohet për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza”. Entuziazmohesh, kur shikon punimet, krenohesh për cilësinë e tyre por pezmatohesh kur e krahason këtë punë me masat për 70- vjetorin e çlirimit të vendit. Pa bërë krahasime midis dy ngjarjeve, konstatimi i vetëm është se përse Qeveria dhe strukturat përkatëse nuk punojnë me të njëjtin seriozitet e të njëjtin ritëm për të dyja ngjarjet?

Së treti, ndonëse është vonë, por më mirë vonë se kurrë thotë një fjalë e urtë, mendoj se në mënyrë urgjente duhet të japi alarmin organizata e Veteranëve dhe shoqata e familjeve të Dëshmorëve dhe strukturat shtetërore të reagojnë pozitivisht duke u dhënë organeve të pushtetit Qendror, fonde për të riparuar sa të jetë e mundur simbolet e shkatërruara. Këto simbole, në kryeqytet e në mbarë vendin, janë përdhosur, janë shkatërruar nga vandalët, janë dëmtuar enkas dhe nga grupime që as nuk e kanë dashur dhe as nuk e duan luftën Nacionalçlirimtare që solli lirinë e Shqipërisë. Të mos hezitohet, por të punohet me vendosmërinë e Berishës që rehabilitoi tradhtarin Ahmet Zogu dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve me buste, pllakate e ceremoni solemne. Pra, të punohet për tu rikthyer sa të jetë e mundur të rënëve, respektin e shtetit. Mendoj se drejtuesit e pushtetit vendor apo nëpunësit e caktuar për organizimin e evenimenteve të 70- vjetorit të çlirimit të mos e zbatojnë porosinë e dhënë nga lart që në këto veprimtari  të mos përmendet emri i Enver Hoxhës, organizatorit, udhëheqësit dhe komandantit të partizanëve. Të mos kenë frikë t’i japin secilit meritat, të urdhërojnë edhe me grusht se ky është riti i partizanëve që duhet respektuar. Duam apo nuk duhem ne, historia është shkruar me fakte në kohë reale, e ne nuk mund ta ndryshojmë. Mund të tentohet me një mijë makinacione të lihet në hije e vërteta, të ‘harrohet’ përkohësisht, por kurrë nuk do të ndryshohet. Enver Hoxha ishte kryekomandanti i luftës, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që planëzoi e drejtoi beteja e operacione luftarake kundër pushtuesve. Ushtria Nacionalçlirimtare ishte një ushtri e rregullt, me struktura të rregullta e me shtabe drejtuese… Po si mund të harrohet Enver Hoxha për atë që bëri e dha gjatë kësaj lufte. Ai duhet të përmendet e vlerësohet pa asnjë hezitim për atë që ka bërë. Nuk është koha e momenti tani të analizohet figura e Enverit pas luftës derisa vdiq…

Së katërti, apeli im është për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe të gjithë politikanët aktivë që kanë marrë pjesë në ngjarjet që lidhen me dy Luftërat Botërore në vende të ndryshme, të imponojnë sado pak seriozitetin, vlerësimin dhe përkujtimin e tyre, sepse vetëm kështu i rrisim vlerat jo vetëm të rënëve por edhe Shqipërisë. Së fundi, por jo nga rëndësia, theksoj se sa herë përkujtohen ngjarje të LANÇ apo figura të saj në këto 20 vitet e fundit, nga vrima e gjirizit ku i futi historia, pinjollët e zogistëve e ballistëve belbëzojnë e përgojojnë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe partizanët sikur na qenka luftë civile, sikur data 29 Nëntor është ditë e zezë e përralla të tjera. Është provuar nga shqiptarët dhe aleatët  e luftës se Shqipëria është nga vendet me kontributin më të madh, se ajo u çlirua nga partizanët e vet, e nëse sot krenohemi që kemi qenë dhe jemi me aleatët europianë dhe SHBA, kjo është falë asaj lufte që gojët e liga e përgojojnë. Ndërsa roli dhe kontributi i Enver Hoxhës është i padiskutueshëm në organizimin dhe drejtimin e saj, ajo çka ndodhi pas vitit 1945 është një kapitull tjetër i historisë tonë dhe nuk duhet ngatërruar me LANÇ. Përmenda më sipër që 29 Nëntori erdhi, e ka shumë pak kohë. Tashmë, financimi i qeverisë për festimet e kësaj dite, është një fakt i kryer. Por gjithmonë ka kohë e vend, apo më saktë gjendet, për të bërë ditka më të mirë. Shpresojmë, ndonëse dyshojmë jo pak… Kjo për faktin se mllefi i atyre që tentojnë të nxijnë luftën dhe protagonistët e saj, në mos kanë gjetur strehë dhe në qeverisjen aktuale, në këtë qeverisje ka tulatje të përballen me realitetin, në mënyrë që luftës e partizanëve, tu kushtojnë vëmendje, ta vlerësojnë ashtu siç ata e meritojnë.

*President Nderi i Shoqatës Kombëtarëve të Ushtarakëve Rezervë e në Pension