Zyfer Caco/ Mensat sociale dhe bonot e privatizimit

721
Zoti Edi Rama dhe zoti Erjon Veliaj, kemi parë dhe dëgjuar për mensat sociale që po hap bashkia në disa lagje të Tiranës. Kjo mënyrë për momentin vërtet ndihmon disa të vobektë e në mjerim për të shuar urinë e momentit, por nuk është zgjidhja e problemit. Kemi parë edhe nga qeveritë e mëparshme, te sheshi pranë monumentit “Partizani i panjohur”, se si shuanin urinë me supën “sociale”, por problemi i varfërisë e i mjerimit nuk u zgjidh, sepse në Shqipëri të uriturit e në mjerim nuk numërohen e nuk i përballojnë dot këto mensa sociale, sepse të tillë janë një shtresë e gjerë në nevojë. Qeveria juaj është ose hiqet si qeverisje e majtë dhe si e tillë prioritet duhet të ketë zgjidhjen e problemit që kanë shtresat në nevojë, nga e cila ju votoheni e po qëndroni në pushtet. Në fakt ju nuk po e drejtoni qeverisjen për zgjidhjen e problemit të kësaj shtrese, por jeni fokusuar vetëm te kthimi i borxhit ndaj shtresës së pasur që është biznesi si dhe kthimin e pronave për ish pronarët e pasur. Ju nuk po kujtoheni se edhe ish punonjësit e ish të përndjekurit politikë në sistemin socialist kanë kontribuar në krijimin e pronës shtetërore, djersa e të cilëve nuk ishte paguar plotësisht. Ishte kjo arsye që në vitet e para të qeverisjes “demokratike” u mendua që të kompensoheshin në Letra me Vlerë. 

Natyrisht sistemi kapitalist shtresat e pasura ka të vetat dhe prej tyre mbahet, por si qeverisje e majtë duhet të mendoni se edhe ndaj popullit që përbën shumicën e shtresës në nevojë, kini borxhe që duhet t’i shlyeni. Prandaj merrni mundimin dhe pyesni ata që frekuentojnë këto mensa të varfërisë ekstreme në se e kanë atë Letër me Vlerë në formën e Bonove ose Lekëve të Privatizimit të shpërndara për ish punonjësit dhe ish të përndjekurit politikë që prej më shumë se 20 vjetëve. Me siguri do të merrni përgjigjen se ato mund t’i kenë harruar ose i ka zënë pluhuri në ndonjë cep shtëpie, ose i kanë shitur për një vakt buke të fëmijëve të vet si ai që po u jepni Ju në mensat e urisë e të mjerimit. Qeverisja ka kaluar sa majtas e djathtas, por as njëra prej tyre nuk është kujtuar për këtë borxh ndaj atyre që u marrin, ja u blejnë ose ja u vjedhin votën. 


Zoti Veliaj dhe zoti Rama: Nëse një pensionisti nga ata që ju i jepni lëmoshë, një vakt bukë urie, po t’ia kishit shndërruar në pronë ose aksione në privatizimet e bëra që në vitin 1996, ato 100 mijë lekët e tij në formën e Letrave me Vlerë kur ato ju dhanë për privatizimin e pronës shtetërore, atëherë ai do kishte marrë një pronë të barasvlershme me 3-4 apartamente dhe nuk do kishte nevojë për mensat tuaja të varfërisë. Por edhe juve si qeverisja e mbrapshtë e rrumpallë e Berishës, u mungon vullneti politik për të nxjerrë nga varfëria shtresat në mjerim e nevojë. Për ndryshe në 3 vjetët e qeverisjes tuaj do kishit marrë mundimin që të kishit bërë aksionerë edhe publikun që disponon Bono e lekë Privatizimi. Për ndryshe, ju nuk duhet ta quani veten forcë politike ose qeverisje e majtë. “Më mirë vonë se kurrë”, thotë populli, prandaj qe, edhe pse qeverisja juaj është 3 vjet e vonuar duhet të veprojë për tii shndërruar ato Letra me Vlerë në pronën e dhjetëra fishuar në çmim, nga e cila qeverisjet e mbrapshta kanë përfituar në dëm të publikut. E pra nuk duhet të vonoheni në shlyerjen e këtij borxhi publik të dhjetëra fishuar në uljen e çmimit të tij. Kjo duhet të ndodhë nëse ju zoti Rama me qeverisjen tuaj “të majtë” do të kini minimumin e vullnetit politik për t’u shërbyer shtresave në nevojë.
Sigal