Zv/ambasadori Amerikan Jardine, zhvilloi një takim në lidhje me demokracinë dhe rolin e të rinjve

88
Henry V. Jardine, zëvendës ambasador i SHBA-së në Tiranë, mbajti një leksion të hapur në Universitetin Bedër me temë: “Vlerat e demokracisë dhe roli i rinisë”. Zëvendës ambasador i SHBA-së u shpreh se ai zgjodhi pikërisht këtë temë, duke pasur parasysh ndikimin që mund të ketë rinia në instancat vendimmarrëse, si edhe faktin që zgjedhjet lokale do të mbahen së afërmi. Leksioni u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku Jardine fillimisht pyeti studentët se si e perceptojnë ato rolin që duhet të ketë rinia në zhvillimin e demokracisë. Ndërkohë, i pyetur për mënyrat e ndërgjegjësimit të rinisë, në lidhje me demokracinë, Jardine u shpreh se varet nga interesat e grupit rinor, por ndër bazat kryesore përmendi nxitjen për angazhime nëpërmjet rrjeteve sociale, tashmë si një ndër format kryesore të komunikimit. Gjithashtu, ai u shpreh se Ambasada Amerikane është e hapur për të ndihmuar dhe mirëpret idetë që studentët mund të kenë për të vënë në zbatim plane, në lidhje me demokracinë dhe rolin e tyre. Gjatë vizitës së tij në Bedër, z Jardine u prit nga Rektori i universitetit, Dr. Ferdinand Gjana, i cili përpos njohjes me ambiente të ndryshme të institucionit, si biblioteka, qendra e medias dhe muzeun e medias dhe komunikimit e njohu gjithashtu me misionin, vizionin, si dhe aspiratat për të ardhmen e Universitetit Bedër. 
Ambasada Amerikane dhuron një kontingjent librash për bibliotekën e Universitetit Bedër, “Hëna e Plotë” 
Fondit të bibliotekës së Universitetit Bedër iu shtuan rreth 250 tituj librash nga Ambasada Amerikane. Librat iu dorëzuan bibliotekës gjatë një ceremonie ku mori pjesë zëvendës ambasadori amerikan në Tiranë, z. Henry V. Jardine dhe Rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana. Librat e dhuruar u përkasin kryesisht fushave të tilla, si: drejtësi, komunikim, letërsi, histori, filozofi etj. Dr. Gjana falënderoi Ambasadën Amerikane për kontributin në pasurimin e fondit të bibliotekës së Bedër dhe u shpreh se këta tituj të rinj do të ndihmojnë studentët dhe stafin akademik në punën e tyre kërkimore.