Zuckerberg tërhiqet nga blerja e fermës masive në Hawaii

Mark Zuckerberg ka thënë se po tërhiqet nga tentativa e tij për blerjen e një parcele të gjerë toke në ishullin amerikan të Paqësorit, Hawaii. Lëvizja vjen pas protestave të banorëve lokalë të ishullit, për të cilët veprimi arbitrar i Zuckenberg ishte në kundërshtim me ligjet vendase.

Miliarderi ekzekutiv i rrjetit Facebook e konfirmoi lajmin të mërkurën me një postim: “Bazuar në reagimin e komuniteteve lokale, ne po rishikojmë procesin e blerjes së tokës, pasi duam të sigurohemi që veprimi të respektojë të zotët e tokës, traditat e popullsisë vendase dhe ambientin”.

Zuckerberg raportohej të kishte paguar rreth 100 milionë dollarë për plantacionin Kahu'aina dhe plazhin ngjitur me të Pila'a Beach në vitin 2014.

Pas nisjes së debateve me banorët vendas, avokatët e Zuckerberg u kërkuan gjykatave plotësimin e dokumentacionit për dëmshpërblimet e pronarëve, por gjithsesi është quajtur “kolonizator arrogant modern” nga kritikët.