ZRPP e Elbasanit, e zhytur në korrupsion dhe paaftësi

629
Hipoteka e Elbasanit mbetet e zhytur në batakun e korrupsionit, e përfshirë në lojën dhe diktatin e sekserëve të cilët nuk mungojnë edhe nga radhët e uniformave blu. Qytetarë të Elbasanit, dhe kryesisht ish-pronarë, nuk ka ditë të mos bien në kurthin e sekserëve që mbushin xhepat e zyrtarëve të korruptuar. Hallexhinjtë presin me muaj dhe vite tek korridoret dhe porta e jashtme e ZRPP, me shpresën se do të marrin certifikatën e pronës, ndërkohë në sirtarët e zyrtarëve të atij institucioni fshihen qindra dosje që përdoren për të zhvatur para. Nuk ka ditë që qytetarët të mos bëjnë denoncimin dhe akuzat ndaj sportelisteve, juristëve dhe drejtuesve të ZRPP, për vonesat e qëllimshme, zvarritjet dhe mungesën e korrektësisë në zbatimin e detyrimeve ligjore dhe afateve të përcaktuara ligjërisht për marrjen e një certifikate pronësie. Ndoshta është i vetmi institucion zyrtar i shtetit, ZRPP, e cila ka mbarur dhe po mbart problematika të jashtëzakonshme që vijnë nga zvarritja që u bëjnë qytetarëve për një sqarim, për një firmë, për një dokument. 
Sekserët që mbushin xhepat e zyrtarëve

Por një veçanti tjetër që “Telegraf” ka zbuluar në ZRPP e Elbasanit, mbetet fakti se, sekserë të zellshëm që po mbushin xhepat me para të zyrtarëve kanë nisur të bëhen edhe punonjës policie. Ata të veshur me uniformë dhe shpesh edhe pa uniformë, futen dhe afrohen në institucionin e ZRPP , takojnë hallexhinjtë dhe u premtojnë atyre “marrjen e certifikatës pronës”, por duke paguar nën dorë para. Tjetër problem për qytetarët dhe kryesisht ish-pronarët e Elbasanit mbetet sorollatja që juristët e këtij institucioni u bëjnë atyre. Një ish-pronar u shpreh dje për gazetën “Telegraf” se “që prej 20 vitesh më është njohur prona, kam marrë një thes me shkresa, tani juristët dhe sportelistët më zvarrisin dhënien e certifikatës kërkuar më kërkuar “aplikim të ri” , pasi sipas tyre kam mungesa të dokumentacionit në dosje”, apo zvarritjet që vijnë nga përgjigje skandaloze si “nuk gjendet dosja jote, ka humbur” etj. Qytetarët e Elbasanit çdo ditë përballen me gënjeshtrat dhe mashtrimet që nisin nga sportelet e ZRPP, dhe mbarojnë tek zyra juridike që vetëm detyrën e interpretuesit ligjor nuk e ka bërë kurrë. 

Rekomandimet e KLSH

Në dy vitet e fundit, KLSH dhe Auditi kanë rekomanduar arrestimin e 4 ish-drejtuesve dhe dy juristëve, por edhe kur këto arrestime janë kryer, sërish ata janë lënë të lirë nga gjykatat. Një tjetër ish-drejtuese prej 6 muajsh ja ka mbathur dhe ka ikur në Kanada, duke gëzuar milionat e vëna kur kishte postin e drejtuesit të ZRPP. Fakti është se, akuzat e qytetarëve dhe denoncimet e tyre së fundi në organet e drejtësisë nuk kanë munguar edhe për afro gjysmën e zyrtarëve dhe drejtuesit aktualë të ZRPP, për të cilët thuhet dhe akuzohen për certifikimin e pronave duke shkelur ligjet. Kjo mbetet detyrë e organeve të hetimit dhe Krimit Ekonomik të zbardhë të vërtetën, por që deri sot nuk ka lëvizur asgjë. Të vërtetën e pronave dhe të akuzave që çdo ditë qytetarët dhe veçanërisht ish-pronarët e vjetër elbasanas hedhin ndaj zyrtarëve dhe drejtuesve të ZRPP Elbasan, e vërtetojnë edhe 3 mijë denoncimet e tyre në KLD dhe Presidencë. Asnjë kërkesë, asnjë shqetësim, asnjë denoncim, asnjë dosje ligjore nuk përkrahet dhe shqyrtohet nga drejtuesit e ZRPP, asnjë dosje me probleme nuk merr rrugën e zgjidhjes, asnjë dosje e akuzuar nuk merret seriozisht në shqyrtim nga ky juristët, që nuk dihet se përse akoma mbahen në atë institucion të përfolur për korrupsion. 

Problemet me pronat e tjetërsuara

Problemet me pronat e tjetërsuara, pronat e pushtuara me dhunë verbale dhe vula shtetërore, dhe grabitja e pronarëve autoktonë mbeten akuzat më të rënda për interpretuesit dhe zbatuesit e ligjit në ZRPP e Elbasanit. Vetëm në 3 muajt e fundit nga Elbasanit kanë vajtur në DPZRPP mbi 800 ankesa dhe denoncime për drejtuesit e degës lokale të ZRPP, ndërsa në Prokurorinë e Elbasanit dhe Krimin Ekonomik janë qindra kallëzime duke nisur nga falsifikimet e dosjeve, tek humbja e dokumentacionit, mbajtja e qëllimshme e dosjeve për të detyruar qytetarët të paguajnë tek sekserët. Në Elbasan janë grabitur prona, objekte, troje që llogariten në qindra hektarë, që kanë patur dhe kanë pronarë legjitimë, duke u zhdukur dosjet, duke u zhdukur dokumentet origjinale, duke u zhdukur deklaratat noteriale, duke u zhdukur dokumentacion dhe tapi 200 vjeçare. Qytetarët dhe ish-pronarët e Elbasanit nuk mund të heshtin dhe nuk mund të rrinë duarlidhur tek shohin zhvatjen e pronave të tyre. Qytetarët e Elbasanit dhe ish-pronarët, nuk mund tu falin pronat e tyre, pazarexhinjve, që mbushin xhepat me para sekserësh. 

Statistika që akuzojnë

Nisur nga molepsja e drejtuesve dhe zyrtarëve në afera korruptive, DPZRPP dhe KLSH kanë kryer kontrolle në ZRPP e Elbasanit, nga ku ka rezultuar se mbi 2200 dosje janë me probleme të rënda ligjore dhe akuzojnë ish-drejtuesit e ZRPP Elbasan, ish-juristët dhe juristët aktualë, ka mbivendosje pronash, falsifikime të dosjeve, regjistrave, zhdukje të dokumentacionit. Problematika ka edhe në marrjen e pajisjen me certifikata pronësie për blerësit e apartamenteve të reja. Shkelje ligjore janë konstatuar në tjetërsimin e pronave, duke u dhënë toka me pronar personave që kanë paraqitur vendime gjykate të blera, kjo e vërtetuar në 12 raste, ku më flagrante mbetet bërja pronar e 25 mijë metra katrorë një personi që kishte ardhur nga Gjinari para 32 vitesh në Elbasan. Probleme të shumta ZRPP e Elbasanit ka edhe me tokat e ish-NB, tokat e fshatarëve në pothuajse të gjitha fshatrat e qarkut, probleme të mbartura prej vitesh dhe që nuk marrin qëllimisht zgjidhje ligjore. Nga viti 2011 deri shtator 2015, nga Krimi Ekonomik dhe Prokuroria janë regjistruar mbi 2016 denoncime dhe kallëzime, dhe vetëm 40 për qind e tyre janë regjistruar si “çështje në hetim”, pasi shumica janë mbyllur rrugës pa u gjykuar fare.
Sigal