Zoti President, dekoratat u takojnë çlirimtarëve dhe jo kriminelëve që bashkëpunuan me pushtuesit

522
Ka kohë që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke qenë në shërbim të forcave të ekstremit të djathtë, nuk ka lënë kriminelë nga ata që bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë kundër popullit shqiptar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare pa i dekoruar e shpallur disa martirë e disa patriotë. Këtë bëri ai edhe kohët e fundit kur shkoi në Malësinë e Madhe dhe akordoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, për autorët e ngjarjes së Postribës të 9 Shtatorit 1946, duke e cilësuar në kundërshtim me të vërtetat historike, si kryengritje antikomuniste. Për të gjykuar, sesa i gabuar, antihistorik e antikombëtar është veprimi dhe prononcimi i Presidentit, le t’u referohemi fakteve të vërteta historike, se kush ishin ata që organizuan atë ngjarje, cilët qenë pjesëmarrësit e vërtetë dhe për çfarë qëllimi u krye ajo. Pas çlirimit të Shqipërisë që erdhi si rezultat i asaj lufte legjendare të partizanëve trima, së bashku me popullin shqiptar, ballistët, zogistët dhe krerët bajraktarë e reaksionarë të veriut, të bindur se do të jepnin llogari për krimet e kryera prej tyre, një pjesë u larguan jashtë shtetit së bashku me forcat gjermane, disa të tjerë u arratisën më pas , ndërsa një numër prej tyre mbetën të fshehur maleve të veriut, të cilët kryenin krime e vrasje për të ngjallur panik e pasiguri dhe më në fund hartuan plane për të sulmuar në fillim Shkodrën e më pas Tiranën, për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor i ardhur në fuqi me luftën çlirimtare e sakrifica e me votën plebishitare të popullit shqiptar më 2 Dhjetor 1945. Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale në Postribë, ishin shërbëtorë të nazi-fashizmit, që gjatë LANÇ i kthyen armët popullit, siç ishin: Llesh Marashi, Preng Cali, Jup Kazazi, Hasan Isufi etj.

Këta kriminelë, të cilët i kërkonte drejtësia për krimet e kryera, të inkurajuar dhe nga reaksioni i jashtëm, i cili në Konferencën e Paqes në Paris 1946 u përpoqën ta copëtonin Shqipërinë, por fjala e Enver Hoxhës ua dogji kartat në duar, kriminelët në fjalë, hartuan plane, grumbulluan armë, vunë në shërbim të tyre dhe disa klerikë reaksionarë, mashtruan disa fshatarë hallexhinj duke ju premtuar se: “Kur të marrim Shkodrën do tu mbushim thasët me ushqime etj.”, ju futën aventurës duke sulmuar drejt Shkodrës, të cilët i udhëhiqte krimineli Jup Kazazi, por populli i Shkodrës dhe forcat e tij të armatosura u dhanë përgjigjen e merituar duke dështuar me turp dhe kjo përpjekje e fundërrinave të Shqipërisë. Kjo është e vërteta zoti President dhe jo ajo që thatë ju dhe ata myteberë që drejtonin atë tubim. Shkoni e shfletoni arkivat dhe pyetni popullin e Shkodrës e të Postribës tu thonë të vërtetën, e jo Ndregjoni, i cili s’ka asgjë të përbashkët me të përndjekurit politikë. Ai s’ka qenë në burg apo i përndjekur, veç babait të tij i dënuar për armë mbajtje pa leje. Po të kishte qenë i përndjekur Besim Ndregjoni, nuk do të kishte pasur detyrën e Kryetarit të Bashkimeve Profesionale në Hidrocentralin e Fierzës. Por, si pehlivan që është, pas ndryshimit të sistemit, ai ndërroi dhe identitetin nga, Ibrahimaj në Ndregjonaj, e me falsifikime të ndryshme ka arritur që sot padrejtësisht të drejtojë shoqatën e të përndjekurve politikë. Në këto rrethana të vërteta do të ishte në nderin tuaj zoti President, që këto dekorata të larta t’ua jepnit atyre që bënë historinë e këtij populli, atyre që u përballën me pushtuesit, atyre që çliruan Shqipërinë, atyre që siguruan pavarësinë e Shqipërisë që gëzojmë ne sot. E të tillë janë çeta e parë partizane e Pezës, e para në Evropë, që u drejtua nga komandanti legjendar Myslym Peza, çeta e Skraparit, çeta Plakë e Vlorës, ajo e Mallakastrës etj. etj. dhe jo atyre që u bashkuan me pushtuesin dhe kanë kryer krime. Më kot, mundoheni që me atë të ashtu quajtur “luftë kundër komunizmit”, të maskoni atë goditje që doni tu bëni çlirimtarëve, për të rritur kredibilitetin tuaj dhe të atyre forcave që ju ngjitën në atë karrige. Ne veteranët, invalidët dhe pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve të LANÇ-it ju sigurojmë se me këto veprime antihistorike e antikombëtare që jeni duke kryer, i bëni një shërbim të keq institucionit të Presidentit. Prandaj ne ju bëjmë thirrje që Ju, si përfaqësuesi i unitetit të kombit të çmoni dhe të vlerësoni vlerat dhe jo antivlerat kombëtare. Ndryshe do mbani përgjegjësi para historisë, para popullit dhe vendit tonë!
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ
Sigal