Zoti kryeministër, krimi me emrin “Albtelekom”, gjendet vetëm… 15 cm mur ndarës me Gjykatën e Lartë 

1319
Sigal

Në mbështetje të shtetit, që kërkon të denoncojmë krimin dhe korrupsionin në Shqipëri

Kemi dëgjuar deklarata policie, drejtësie, shteti, qeverie, politike, sindikatash, qytetarësh, OJF-sh etj., të cilët bëjnë thirrje e betime për të zbuluar, kapur dhe ndëshkuar krimin, duke e ndjekur “hap pas hapi”. Mirë bëhet që krimi të ndiqet hap pas hapi, por ka krime që gjenden përballë e krahë policisë e drejtësisë, edhe në tavolina seminaresh “anti-korrupsion” e që edhe licencohen nga shteti. Ky krim jo vetëm nuk kapet e ndëshkohet, por edhe “përshëndetet”, madje prej policisë, qeverisë, shtetit e drejtësisë, edhe paguhen miliarda lekë për shërbimet që afrojnë këto krime. Ndoshta, goditjen e krimit që kapardiset përballë shtetit, e jep nisma e Kryeministrit Rama, për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik nëpërmjet denoncimeve. Kemi një bindje paraprake, se nëse Kryeministri nuk bie në kurthin e ministrave të tij sahanlëpirës e mafiozë, besojmë se do ta konkretizojë këtë nismë anti-korrupsion. Gazeta “Telegraf”, po i servir Kryeministrit, një nga mega-krimet ekonomiko-financiare që është bërë e po vazhdon të bëhet me pasuritë kombëtare dhe financat e shqiptarëve. Është fjala për “Albtelekom”. Kjo kompani, ka fillesë dhe vazhdimësi me krim ekonomik-financiar, qysh prej privatizimit e deri sot që flasim. Këtë aktivitet kriminal me emrin “Albtelekom”, shteti, policia dhe drejtësia nuk kanë nevojë ta kërkojnë as nëpër male, as me Interpol në shtete të tjera, as nëpër tunele e bunkerë, mbasi ai gjendet me seli në qendër të Tiranës. Madje gjendet e “punon” aq afër drejtësisë, sa me Gjykatën e Lartë Shqiptare e ndan vetëm 15 centimetër mur i përbashkët. Ne po e denoncojmë publikisht. Po ju, zoti Kryeministër a do ta rihapni “dosjen e zezë” të krimit që është bërë me shitjen e “Albtelekom”?

 Ja pasuritë që ka përfituar “Albtelekom”, të papasqyruara në aktin e blerjes

 Sa për dijeni, bashkë me pasurinë strategjike të shërbimit telefonik, nën logon “Albtelekom”, kompania turke “Çalik Holding”, ka përvetësuar në mënyrë mafioze, në bashkëveprim me ish-shtetarët shqiptarë, miliona dollarë pasuri, llogari bankare në lekë e në valutë të huaj, shërbime telefonie, teknologji, pajisje shërbimesh në gjithë territorin shqiptar, mjete transporti, ndërtesa. Ka zhvatur 36 mijë paga privatizimi dhe 3% aksione të 8000 punonjësve të ish-kompanisë shtetërore “Telekom”. Mjafton të hapësh letrat e procesit të blerjes dhe konstaton se në letra mungojnë pasuritë reale që “Çalik Holding”, ka zhvatur nga llogaritë dhe pasuritë e “TELECOM”. Zoti Kryeministër, shit-blerja e “Telekom” është krimi më i madh ekonomik-financiar që është bërë në ekonominë shqiptare. Sipas dosjes së blerjes, “Çalik Holding”, pas pazareve të pista me ish-shtetarët shqiptarë, e bleu këtë shërbim telefonik shqiptar me 120 milionë euro. E bleu pa garë, pa vlerësim real të pasurive dhe të ardhurave që krijonte kjo kompani. E bleu, duke zhvatur pa pasqyruar e pa llogaritur në vlerësim të çmimit 120 milionë euro të blerjes, 26 ndërtesat dhe pajisjet në qendër të rretheve, 59 objekte dhe pajisjet në qendër të qyteteve, 834 zyrat telefonike me pajisje në qendër të komunave e në fshatra. Nuk u pasqyruan e nuk u llogaritën në çmimin e shitjes 120 milionë euro, as 1.9 milionë faturat e papaguara të abonentëve familjarë dhe 287 mijë e 459 faturat e papaguara të abonentëve shtetërorë të viteve 2000-2004, të cilat iu lanë e drejtë e “vjeljes” kompanisë “Çalik Holding”, nën emrin “Albtelekom”, vlerë e cila u mblodh prej saj pas privatizimit në masën 92 %, ose afro 54 milionë dollarë. Nuk u pasqyruan dhe nuk u llogaritën në çmimin 120 milionë euro të shitjes, as 12 llogaritë bankare gjendje të ish-kompanisë shtetërore “ALBTELEKOM” në vlerën 11.7 milionë dollarë, 510 milionë lekë, 4.5 milionë euro etj., letrat e të cilave u zhdukën 1 javë pas aktit zyrtar, të shpallur të shit-blerjes.

U shit 120 milionë euro, vetëm investimet 1994-2004 ishin 360 milionë euro

 “Telekom” u shit për 120 milionë euro. Nuk do as “mend e as kandar”, që ky çmim është “5 kacidhe” në raport me vlerën reale që kishte “Telekom”-i shqiptar. Kujtojmë që në vitin 1995, kompani të huaja kërkuan ta blejnë “Telekom”-in me 500 milionë dollarë për vetëm 50% të aksioneve të saj. Ndërsa në vitin 2004, u shit me 120 milionë euro për 76% të aksioneve! Këtu nis pazari, këtu duhet të nisë edhe hetimi, mbasi afera korruptive, ose më saktë ky krim ekonomik mes palëve shtet shqiptar-“Çalik Holding” (“Albtelekom”), në akt-vlerësimin e shitjes kanë fshehur qëllimisht një tregues financiar, që është 3 herë më i madh se çmimi i shit-blerjes. E kemi fjalën për investimet e bëra në “Telekom” në 10 vitet përpara shitjes. Po flasim konkretisht: Gjatë viteve ’92-’97, në “Telekom” janë bërë investime që kapin shifrën 170 milionë USD. Në vitet 1998-2000 janë bërë investime bazë afatgjata, në vlerën 260 milionë dollarë. Në vitet 2001-2003 janë bërë investime në vlerën 900 mijë euro, për shtrirjen e kabullit nëntokësor për 20% të rrjetit telefonik të Tiranës. Në vitin 2004, u bë investimi për modernizimin e impiantit elektronik të sistemit numerik në vlerën 800 mijë euro. Në total, sipas përllogaritjes, rezulton se janë bërë mbi 360 milionë investime. Këto investime ekzistojnë edhe sot si pasuri e kompanisë turke “Albtelekom”, por si vlerë e pallogaritur në blerjen e “Telekom”! Llogaria është e thjeshtë: Me vlerat e godinave, të kullave për shërbim radiorele dhe e trojeve nën objektet e ish-“Telekom”, vlera e shitjes duhej të ishte minimalisht 800 milionë Euro. Mjafton të kujtojmë, që vetëm xhiroja vjetore e 2 viteve “Telekom”-it në vitet 2002-2003, ishte mbi 150 milionë euro, ndërkohë që u shit vetëm… 120 milion euro!

 —————————-

 10 milionë euro investim nga shteti për “Eagle Mobil”, 1 muaj pas blerjes prej “Albtelekom”!

 Siç dihet, kompania “Turk Telekom”, pjesë e kompanisë “Çalik Holding”, ka blerë pa asnjë “kundërshti” shtetërore shqiptare 76% të aksioneve të “Telekom”. Bashkë me 76% të aksioneve të “Telekom”, kompania “Çalik Holding” ka blerë edhe licencën e shërbimit të tretë celular “Eagle Mobile”. Edhe kjo licencë u ble me aferë dhe akt korruptiv, mbasi sipas pazarit, qeveria shqiptare, megjithëse e kishte shitur “Telekom”, 1 muaj më pas bëri investimin 10 milionë euro nga buxheti i shtetit vetëm për të instaluar pajisjet e operatorit celular “Eagle Mobil”, që në fakt ishte pronë e “Albtelekom” e jo e shtetit shqiptar.

————————————————

“Albtelekom”, 10 vjet që nuk derdh në arkën e shtetit shqiptar, fitimin e 24% të detyrimit si aksioner

 Skandali prej kompanisë “Telekom” vazhdon të jetë prezent dhe aktiv. Në vijim të investigimit tonë, në lidhje me aktivitetin e kësaj kompanie “krim ekonomik”, konstatuam se kjo kompani prej 10 vitesh nuk arkëton në buxhetin e shtetit shqiptar fitimin vjetor, që i detyrohet si aksioner në masën 24% të kompanisë. Në Ministrinë e Financave, na thonë se për periudhën 2005-2014, në “arkën’ e shtetit shqiptar nuk disponohet asnjë “faturë” financiare e arkëtuar prej kompanisë turke “Albetelekom”, si detyrim fitimi për aksionin 24%, që shteti shqiptar zotëron në bashkëpronësi me kompaninë “Albtelekom”. “Çuditërisht”, kësaj kompanie nuk iu ka kërkuar askush të arkëtojë detyrimin për masën e fitimit të përbashkët. Madje skandali, merr përmasa më alarmante, kur mëson se as në kontratë nuk është përcaktuar detyrimi, që prej aksionit 24%, shteti shqiptar do të përfitojë të ardhura financiare konkrete prej aktivitetit të “Telekom”, por është shkruar vetëm kaq: “Shteti shqiptar zotëron 24% të aksioneve”, pa specifikuar se sa për qind do të jetë masa e përfitimit, referuar bilancit financiar vjetor të kompanisë. Madje skandali vijon edhe më tej, kur shteti shqiptar, me të drejtën e aksionerit nuk ka kërkuar asnjëherë raport mbi bilancin e të ardhurave, shpenzimeve, investimeve e fitimeve të kësaj kompanie, edhe pse në kontratë është përcaktuar të jepet ky raport në çdo 6 muaj. Gjithashtu, nuk figuron asnjë “copë letër” nga financat shtetërore shqiptare, ku “Albetelekomi”-it t’i kërkohet masa e fitimit vjetor. Ajo që dëgjuam në Ministrinë e Financave është kjo deklaratë: Thuhet, se shteti shqiptar, ditën e shit-blerjes, ka bërë një marrëveshje gojore me “Albtelekom”, për të mos derdhur fitimin e masës 24% të aksionit në llogarinë e shtetit shqiptar për 15 vjet, duke ia njohur si investime”.

———————————————

 

Të ardhurat e “Telekom”

 

Viti 1999: 10 miliardë lekë

Viti 2000: 10 miliardë lekë

Viti 2001: 12.5 miliardë lekë

Viti 2002: 12.8 miliardë lekë

Viti 2004: 15.9 miliardë lekë

Fitimi i “Telekom”

Viti 1999: 4.5 miliardë lekë të reja

Viti 2000: 3.8 miliardë lekë të reja

Viti 2001: 2.7 miliardë lekë të reja

Viti 2002: 1.8 miliardë lekë të reja

Viti 2003: 1.72 miliardë lekë të reja

Viti 2004: 1.7 miliardë lekë të reja (i pritshëm)

———————————————–

Asete të tjera të “Telekom”, ditën e shitjes: 1.2 miliardë euro

Kapitali aksioner: 135 milionë euro

Xhiroja vjetore: Afro 12.5 miliardë lekë

Plani i investimeve: 3.3 miliardë lekë

Teknologjia e instaluar: ISDN, televizione kabllor, internet, transaksione financiare

 

Aseti shtesë: Licenca e tretë celulare (Eagle Mobile)

Asete specifike: Linjat e interkonjeksionit Bari-Stamboll, Mali Zi, Kosovë, Greqi.

Krahasimi: “Telekom”-i shqiptar u shit me 76% aksioneve, për 120 milionë euro, ndërsa “Telekom”-i maqedonas u shit me 56% e aksioneve, për 360 milionë dollarë

Përparim HALILI