Zonat informale, Peleshi:Paralelisht me legalizimin vijon dhe urbanizimi

540
Sigal

TIRANE – Në Tiranë nisi të premten punimet konferenca rajonale “Informaliteti në territor, sfida dhe zgjidhje”, ku të pranishëm janë përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili përshëndeti konferencën, tha se rreth 1/3 e territorit të vendit tonë ose 200 zona janë informale, ndërsa deklaroi se qeveria është e vendosur ta zgjidhë shpejt dhe përfundimisht çështjen e legalizimeve.

“Paralelisht me legalizimin po ecim edhe me urbanizimin”, deklaroi Peleshi.

Ai bëri të ditur se po zbatohen disa projekte pilot për urbanizimin e plotë të tre zonave në qytetet Vlorë, Durrës, Sarandë dhe që më tej këto projekte do të shtrihen në të gjithë territorin.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, zv/kryeministri Peleshi theksoi se vendet tona kanë të përbashkët rrugën drejt integimit europian. Ndaj, vijoi ai, ky takim i shërben disktuimit dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira. “Tranzicioni politik prej 20 vitesh ishte edhe tranzicion i sistemit ekonomik.

Tranzicioni shtë bërë shpesh herë justifikimi i të gjitha qeverive tona për ato procese apo aspekte të zhvillimit ekonomik e shoqëror, ku politikat dhe qeveritë tona kanë dështuar. Shpesh herë justifikimi ka qënë, jemi vende në tranzicion. Keqpërdorimi i territorit me ndërtime pa leje apo me leje abuzive janë fenomene të tij, por nga ana tjetër, duhet ta pranojmë edhe ne si klasë pokitike shqiptare se nëse politika dhe qeveritë tona do të kishin qënë më të përgjegjshme, dëmi nuk do të kishte qënë kaq i madh”, u shpreh zv/kryeministri.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, tha se objektivi i qeverisë shqiptare është që brenda mandatit të parë të kësaj qeverisje të përfundojë shumica e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas saj, Shqipëria u prek nga migrimi dhe informaliteti dhe mungesa e planeve vendore ka krijuar precedent të dhimbshëm urban.

Sfidat tona, theksoi ajo, janë integrimi dhe urbanizimi i këtyre zonave informale, procese këto që do të kenë ndikim social, ekonomik dhe mjedisor. “Urbanizimi i këtyre zonave ka një efekt të drejtpërdrejt në reduktimin e shkallës së varfërisë në nivel kombëtar dhe vendor, duke shmangur fenomenin e ndarjes sociale dhe stigmatizimit. Fokusi ynë është në gjetjen dhe zbatimin e modeleve më të mira për urbanizimin e zonave informale, jo vetëm me qëllim zhvillimin social të tyre, por mbi të gjitha me krijimin e gjenerimin e mundësive të reja ekonomike për banorët e këtyre zonave”, theksoi Gjermeni.

Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Artan Lame, u shpreh nga ana e tij se procesi i legalizimeve është futur në rrugën e duhur, ndërsa kujtoi se qeveria aktuale ka bërë 21 mijë legalizime për 9 muaj, shifër kjo që, sipas tij, është më e madhe se ajo e qeverise paraardhëse përgjatë 8 viteve.
Informaliteti si dukuri e viteve ’90 me impakt të thellë demografik dhe urban preku në një rrafsh të tërthortë të gjithë sektorët jetikë të rajonit të Europës Juglindore. Legalizmi i informalitet si çështje akute që thërret zgjidhje konsiderohet tashmë si përkushtim politik në të gjitha vendet, të cilat e shikojnë veten të mobilizuara në plane konkrete veprimi të mbështetura në korniza ligjore me aktorë dhe institucione të zgjedhura përgjegjëse.

Por, rruga drejt formalizimit dhe integrimit urban mbetet ende e gjatë. Konferenca dyditore rajonale me përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonise, Kosovës e Malit të Zi, e para e këtij lloji, synon përveçse një pasqyrimi të problematikave dhe gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta edhe krijimin e një tradite të diskutimit dhe bashkërendimit të veprimeve.


Marrë nga//ATSH