Zjarri masiv në Gjirokastër, policia zbulon autorin… është një i moshuar 71 vjeçar

631
Zjarri në Jorgucat të Gjirokastrës ra këtë të mërkurë rreth orës 16:00 dhe mori përmasa të mëdha duke u përgapur në afërsi të Qafës së Muzinës.
Por pas disa orësh në luftë me zjarrin, policia ka mundur të identifikojë dhe procedojë penalisht një qytetar, i cili është bërë përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme.
Qytetari në fjalë, shtetasi me inicialet E.G është në fakt një i moshuar 71 vjeçar. Lajmin e ka konfirmuar policia e cila saktëson se ai është autori i dyshuar i zjarrit të rrezikshëm që dogji të paktën 10 ha pyje.
I moshuari ka vendosur zjarr në kullotën që ka në përdorim, por flakët kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit të tij dhe situata është përshkallëzuar seriozisht. Madje për shuarjen e flakëve është dashur dhe përdorimi i një helikopteri.
Ky ishte një tjetër rast ku zjarrvënia është faktuar nga autoritetet si e qëllimshme. Pak orë më parë, policia vuri në pranga një 27 vjeçar po në Gjirokastër, si përgjegjës për zjarrvënie. I riu i kishte vënë flakën tokës së tij (kullotës) në fshatin Humelicë, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë djegur rreth 6 dynym tokë.
Edhe ditën e djeshme policia ka arrestuar dhe shoqëruar persona të dyshimtë për zjarrvënie të qëllimshme. Shqipëria po kalon një situatë të vështirë me zjarret ku thuajse çdo ditë krijohen dhjetëra vatra të reja zjarri. Për shkak të sasisë së madhe të zjarreve, qeverisë shqiptare i është dashur të kërkojë dhe ndihmën e shteteve fqinje si Italia dhe Greqia
Sigal