Zhvillohet Simpoziumi Ndërkombëtar, në kuadër të festës së Sulltan Novruzit

779
Nga Kujtim BORIÇI
Marrin pjesë e përshëndesin Presidenti Sh.T.Z. Ilir Meta, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë z. Bernard Borchard, Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar z. Skënder Bruçaj dhe studiues nga shumë vende të botës
Ditën e djeshme, në mjediset e sallës ‘Balsha’ të Hotel Tirana Internacional’, u zhvillua simpoziumi ndërkombëtar “Vepra e Imam Aliut A.S midis traditës dhe modernes”, zhvilluar nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në këtë simpozium morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të besimeve fetarë në Shqipëri dhe studiues nga shumë vende të botës. Merrnin pjesë gjithashtu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri z. Bernard Borchard, Kryetari i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve zj. Loreta Aliko etj… Në panelin e hapjes, përshëndetën Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Kuvendit Z. Ilir Meta, Kreu i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj, OSBE-së në Shqipëri z. Bernard Borchard kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve zj. Loreta Aliko, z. Aziz Vardar nga Parisi etj… Rreth tematikës së simpoziumit folën studiuesit; Dr. Ali Grozni-Gjermani, Prof. Dr. Damir Mukhetdinov-Rusi, Prof. Dr. Ali Shamil-Azerbajxhan, baba Mumin Lamaj-Kosovë, Prof. Dr. Mahmoud Khalilzade-Gjermani, Dr. Lale Algun-Gjermani, Prof. Dr. Masud Idriz-Bosnje, Dervish Abdyl Mutalib Beqiri-Maqedoni, Dr. Blerina Hazizaj-Shqipëri etj…. Ja dy përshëndetjet e mëposhtme në këtë simpozium:

Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj
Simpoziumi i sotëm ndërkombëtar më jep mundësinë t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe më lejoni që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, t’ju uroj gjithë të mirat ju dhe familjeve tuaja. Allahu i Lartë, Haxhi Bektash Veliu dhe dymbëdhjetë imamët i paçim kurdoherë dritë, në udhëtimin tonë shpirtëror! Një veprimtari ndërkombëtare si kjo e sotmja, është një dritare e çelur më shumë, në diturinë dhe qëndrimet bektashiane. Një derë, e cila duke e çelur dalëngadalë na çon në ndijime parajsore, në ato thënie të urta dhe të mrekullueshme në ët cilat Abaz Aliu, aleqym selam, udhëhoqi mijërat e besimtarëve edhe në betejat më të vështira. Dhe kur nënvizoj togfjalëshin “betejat më të vështira”, nuk parashoh aspak ato me deve dhe shpata, por betejat e mëdha me nepsin njerëzor, me hipokrizinë, me padijen, me etjen për para dhe pushtet, me moralin e ndyrë të shoqërisë së asaj kohe. Imami ynë jo vetëm që diti të udhëheqë plot urtësi dhe durim, besimtarët në këto luftëra të gjata me vite, por me jetën dhe veprën e tij, zbuloi të vërtetën e madhe se një jetë e tillë ja vlen të jetohet edhe nëse koha fizike e saj shkon nëpër dallgë humbjesh dhe fitoresh. Pa dashur të bëj histori (sepse jam i bindur se studiuesit e sotëm do thonë fjalën e tyre) besoj se ne ndajmë të gjithë, idenë se Profeti Muhamed që në çastin e lindjes të nipit ndjeu së thelli tragjedinë dhe stoicizmin që do të shoqëronin jetën e tij. Ai e shenjtëroi imamin tonë me frymën e tij, i dha forcë e guxim duke dashur ta përgatisë për fatin që e priste. Janë me mijëra tregimet, mbresat, fjalët që na kanë ardhur deri në ditët e sotme për këta dy shtylla të Islamit, por unë do t;u kujtoj vetëm një sentencë madhështore. Dikur, Profeti ynë i tha imamit: “O Ali, Allahu të ka zbukuruar me virtytin më të bukur. Ai të ka dhuruar dashurinë krejt njerëzve të pafuqishëm.”. Ja pra, ky ishte dhe mbeti misioni i madh i Imam Aliut, t’ju shërbej pikërisht njerëzve të pafuqishëm të kësaj bote. Historia e Islamit dhe veçmas ajo e imamatit dëshmoi se askush si Ima Aliu, nuk mund të mbante në supe një peshë kaq të rëndë në kontekstin e urtësisë dhe devocionit ndaj Krijuesit. Padyshim, jeta e imamit tonë ishte një shembull jo vetëm për ndjekësit e Islamit, por edhe të tjerë, që konceptet njerëzore nuk i masin aspak me egon e tyre, por në diçka shumë më të shenjtë që mund t’i shërbejë së ardhmes. Por lapidare do të mbeten edhe fjalët e tij të fundit, ndaj vrasësit të pabesë. Ja kush ishte porosia e 

fundit dhënë familjarëve të vet: “Nëse jetoj, çështja e vrasësit është në dorën time. Nëse vdes, puna e tij mbetet në dorën tuaj. Nëse vazhdoni të zbatoni ligjin, atëherë mjafton vetëm një goditje. Por nëse e falni, dijeni se falja është më afër devotshmërisë”. Unë kam bindjen e plotë se fjala e studiuesve të sotëm, do të na bëjë më të vetëdijshëm, jo vetëm për trashëgiminë tonë identitare dhe fetare, por edhe për të sotmen, sepse në fund të fundit, vështrimi i Imam Aliut, i ka kapërcyer shekujt dhe vjen sot tek ne, si një ogur i bardhë për ta ndjekur me vëmendjen e madhe dhe devocionin e thellë.

Kreu i Komunitetit Mysliman z Skënder Bruçaj
Më lejoni ta filloj fjalën time të shkurtër më një citim nga Dede Reshat Bardhi (Zoti e mëshiroftë!), i cili shprehej kështu: “Udha bektashiane si një pjesë e pandarë e Islamit, e ushqyer nga burimi i Ehli Bejtit (familjes së Profetit Muhamed a.s.) si një frymëzim mistik, qe ka për qëllim lartësimin e shpirtrave, pastrimin e zemrave dhe edukimin e unit, egos së njeriut, që me frytet e veta ushqeu zemrat e etura të besimtarëve,ka ndikuar në vendosjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të mira mes anëtarëve të shoqërisë dhe bashkësisë së këtyre trevave me përkatësi të ndryshme fetare”. Mirëkuptimi dhe toleranca ndërmjet qytetërimeve e përjetuar në Ballkan gjatë një periudhe disa shekullore është rezultati më i bukur i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare dhe një rol të rëndësishëm në konsolidimin e kësaj bashkëjetese ka padyshim edhe Komuniteti Bektashian. Rrugëtimi shpirtëror i Bektashinjve, i brumosur dhe i frymëzuar nga mësimet islame, dhe tradita e Ehli-Bejtit arriti të bëhej një urë komunikimi dhe bashkëpunimi, e cila la gjurmë të thella në Ballkan dhe në popullsinë e trevave shqiptare në veçanti… Pothuajse të gjithë idealistët frymëzohen nga heronjtë e tyre dhe formësojnë identitetet e veta duke u përpjekur ndjekin rrugën, veprat dhe sjelljet e këtyre heronjve. Imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, personifikon një njeri model për të gjithë heronjtë vetë sakrifikues të shumëpritur nga bota e së nesërmes. Kjo për faktin se ai u rrit e u edukua nga vetë dora e udhërrëfyesit më të madh të njerëzimit, profetit Muhamed (alejhi selam). Ai u mor nga Profeti Muhamed që kur ishte fëmijë dhe u rrit nën mbikëqyrjen e tij afër sofrës hyjnore. Prej Profetit A.S. mësoi nderin, fisnikërinë, besën dhe virtytet më të larta njerëzore. Ky bashkim e mbrojti gjithashtu edhe nga papastërtitë e injorancës dhe e përgatiti si njeri e lider për një jetë të pastër e dinjitoze. Imam Aliu është simbol i rezistimit kundër të keqes dhe të ligës, dhe simbol i trimërisë në përpjekjen për shërbim të sinqertë ndaj Zotit. Ai nuk ishte vetëm një simbol i guximit dhe trimërisë, por gjithashtu një personalitet udhëheqës në thellësitë e botëve metafizike dhe shpirtërore. Të njohësh personalitetin, veprat, bindjet e Hazreti Aliut (A.S.), do të thotë të njohësh nga afër një mysliman të vërtetë, njeriun e një morali të lartë, njeriun model që bota e sotme moderne, e trazuar dhe me shumë dhimbje, ka nevojë ta ndjekë sot më shumë se kurrë si shembull i përkryer për të gjithë njerëzimin. Si një udhëheqës dhe drejtues shteti ai besonte se: Nëse në një shoqëri, të dobëtit nuk mund të dalin para të fuqishmëve dhe pa kurrfarë frike të mund të kërkojnë të drejtat e tyre, shoqëria e tillë nuk mund të anojë në shenjtëri dhe pastërti, dhe nuk mund të shpëtojë nga papastërtitë, turpi dhe të këqijat”. Së fundmi më lejoni t`i uroj suksese këtij simpoziumi ‘Vepra e Imam Aliut A.R midis traditës dhe modernes’ dhe të gjithë panelistëve dhe studiuesve që do marrin pjesë në këtë simpozium dhe ta mbyll fjalën time me një fjalë të urtë të Imam Aliut: “Këto janë katër cilësitë që janë më të vështirat për t’u arritur: 

të falësh kur je i nevrikosur, të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë, ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin dhe t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të”.

Brenda këtyre rreshtave mund të gjejmë edhe shërimin e shumë sëmundjeve shpirtërore që përjeton njeriu i sotëm i kohëve moderne. 
Sigal