Zhvillohet në Berat takimi “Urat e Ballkanit Flasin”

512
Sigal

BERAT- Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s Irini Bokova dhe Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro kanë qenë të pranishme në takimin rajonal “Urat e Ballkanit flasin” ,të organizuar mesditën e djeshëm në Berat, në prani edhe të drejtuesve vendore,të ambasadores sonë në UNESCO dhe deputetëve të qarkut. Në fillim të eventit Kryebashkiaku Fadil Nasufi i ka dhuruar zonjës Irini Bokova titullin “Qytetare Nderi” me motivacionin “Në mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen për nismën-Kultura, një urë drejt zhvillimit-iniciativë, e cila promovon vlerat kulturore dhe historike të Beratit dhe forcon marrëdhëniet kulturore midis vendeve të Ballkanit”… Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro është shprehur se, Shqipëria është një vend shumë i pasur me trashëgimi kulturore, me kultura të të gjitha epokave e prej shumë origjinash dhe kjo e bën atë të mos ndihet inferiore përballë qytetërimeve të tjera që e rrethojnë. Në Shqipëri,-ka thënë ajo-ka shumë vite e sidomos vitet e fundit, që flitet për trashëgimi kulturore sepse asnjëherë më parë se këto vitet e fundit trashëgimi kulturore nuk ka qenë kaq e rrezikuar dhe ne jemi dëshmitarë të raportimeve në media për keqpërdorimin të trashëgimisë kulturore, por jo të fajtorëve, të shkeljeve ligjore, por jo të shkelësve sepse në Shqipëri ka ndërtime pa kokë, pa formë, pa këmbë që i afrohen qendrave kulturore dhe që i qepen kalave, siç është kalaja e Krujës që tashmë nuk është e Skënderbeut, por duket sikur është e guroreve dhe fabrikave të çimentosh, të ndërtuara në vitet e fundit…. Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s Irini Bokova, pasi falënderoi bashkinë për titullin e nderit, ka referuar në fjalën e saj se trashëgimia kulturore nuk është vetëm gurë dhe mure, por është një mesazh që gjeneratat ja transmetojnë gjeneratave më të reja dhe është pikërisht kjo që duam të promovojmë te UNESCO. Ajo është shprehur optimiste për dhënien e fondeve të rëndësishme për Beratin nga qeveria shqiptare, pasi-siç edhe u shpreh-gjatë takimit të djeshëm me Kryeministrin Rama ajo kuptoi vlerësimin e qeverisë për trashëgiminë kulturore dhe vlerësimin e Kryeministrit për qytetin e Beratit. Ne e mbrojmë trashëgiminë kulturore-ka thënë Bokova-për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm që në një perspektivë të gjatë do të krijojë vende të reja pune, por ne duhet ta transmetojmë e ta përfshijmë këtë trashëgimi në strategjitë kombëtare dhe në ngritjen e zhvillimit ekonomik të komuniteteve. Bokova falënderoi Shqipërinë dhe shqiptarët për tolerancën ndërfetare mes ortodoksëve dhe myslimanëve, gjë që pasqyrohet mjaft qartë në monumentin e Urës së Goricës dhe në ndërtimet afër njëra-tjetrës së kishave e xhamive në këtë qytet dhe ne – ka vijuar Bokova – na nevojitet shembulli shqiptar i paqes që t’i tregojmë botës që komunitete të ndryshme e fe të ndryshme mund të jetojnë së bashku dhe mund të ndërtojnë së bashku të ardhmen.

Pas takimit, në një intervistë të dhënë për mediat Irini Bokova tha: “Nuk kam ardhur për të inspektuar, por për të vlerësuar vlerat e mëdha të arkitekturës dhe historisë së qytetit të Beratit”.