Zhuliana Jorganxhi/Në konvikt

614
Sigal

Hyri me Lilin dashuria,

Si para gjyqit, në konvikt.

Tre nga ne e mbrojtën si jetën,

Dy i druheshin si një babai fanatik.

 

Pse u var kështu heshtja,

Bashkë me pardesynë blu të Lilit prapa derës?

Të shqetësuara lexojnë ndër rreshta

Shoqet që shikimin ulin njëherësh.

 

Sa gjëra të bukura do të flasë Lili!

Në shikim i lundron dashuria,

Por… ç’kanë kështu shoqet, ç’kanë?!

Pse vështron e heshtur Bukuria?!

 

«Hë, flisni,

godet heshtjen Ana

Ju që gjer tani folët aq shumë!»

Lili mbledh supet e njomë

Dhe mendimet e mbytin si lumë.

 

«Unë nuk thashë asgjë,

vërtet nuk thashë…»

Bluan nëpër dhëmbë një vajzë.

Lili hedh shikimin nëpër shoqe

Sikur do të hidhet nëpër dallgë.

 

Hyri me Lilin dashuria,

Si para gjyqit, në konvikt,

Tre nga ne e mbrojtën si jetën.

Dy i druheshin si babe fanatik.

 

E solli Lili dashurinë

Këtu në dhomë, në konvikt,

Si një pranverë të bukur,

të ngrohtë

Që akuj fanatizmi zë e shkrin.