Zhduken tre dosje të rëndësishme të prokurorisë, 2 për pastrim parash dhe një për tender rrugësh

183
Skandal në Elbasan, “zhduken” tre dosje të rëndësishme të prokurorisë

Rikthehen hijet e skandalit në Elbasan. Zhdukja e tri dosjeve, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e policisë një prokurore të Elbasanit. Burime nga policia thanë për mediat, se në mesjavën e shkuar, prokurorja Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, ka këqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë. “Ka dyshime të forta” – thanë burimet policore – se fashikujt janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj”. Burimet sqaruan për mediat, që nga verifikimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një konflikt të lindur mes prokurores dhe drejtuesve të institucionit të akuzës në Elbasan. Me firmën e titullarit, prokurorja Armanda Xhaferri është transferuar në një seksion tjetër dhe sipas ligjit, duhet të bëjë dorëzimin e dosjeve që ka pasur në hetim dhe tashmë pretendohet se janë zhdukur. Para hetuesve ajo ka pretenduar se bëhet fjalë për dosjet tejet të rëndësishme dhe me impakt të lartë publik e për këtë arsye këmbëngul që hetimin e këtyre çështjeve duhet ta vijojë ajo. Ndaj, siç mësohet të jetë shprehur prokurorja, ajo ka refuzuar të bëjë dhe dorëzimin e fashikujve, të cilët më pas nuk i ka gjetur në zyrën e saj të punës, por janë marrë prej andej nga administrata e prokurorisë dhe i janë dorëzuar një tjetër prokurori. Për sa u përket emrave të personave që po hetohen për pastrim parash e korrupsion burimet policore janë të rezervuara, por i paqartë mbetet konflikti i lindur në organin e akuzës. Për momentin po hetohet për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “zhdukja ose humbja e fashikullit”.