Zgjedhjet në Kolonjë, djali i kryetares së PS rrihet dhe përfundon në Spital

475
Ditën e sotme mbahen zgjedhjet e pjesshme për kreun e Bashkisë së Kolonjës. Ndërkohë, në garë janë Ilia Stefo nga ana e koalicionit të majtë dhe Dritan Hajro.
Sigal

Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 me hapjen e 36 Qendrave të Votimit. Janë 8 njësi administrative në Kolonjë, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e votës 16 mijë votues.

Por  zgjedhjet e sotme në Kolonjë kanë shënuar edhe incidentin e parë, ku djali i kryetares së Partisë Socialiste në fshatin Bramash është goditur nga disa persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në dalje të qendrës së votimit në Bramash.

Mësohet se Gledis Zace është dërguar me urgjencë në spitalin e Ersekës, ndërsa nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore. Bëhet e ditur se Zace dyshohet se është plagosur nga disa persona që nuk janë nga Kolonja. Sakaq, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të bashkisë Kolonjë erdhën pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-kryebashkiakut, Arben Malo. Në garë marrin pjesë dy kandidatë, Ilia Stefo i PS-së, i mbështetur nga LSI, ndërsa opozita garon me Dritan Hajron, që vjen nga radhët e Partisë Agrare Ambientaliste.