Zgjedhjet e UT 2016, për herë të parë me vëzhgues të pavarur

661
Këshilli Rinor i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara është krijuar si iniciativë e Ambasadorit të ShBA-vë në vendin tonë, Z. Donald Lu dhe synon të luajë një rol shumë të rëndësishëm në fuqizimin e potencialit rinor në Shqipëri nëpërmjet arsimit, angazhimit të të rinjve në shërbimet komunitare, organizimit të projekteve me qëllim ngritjen e një kauze të veçantë si dhe këshillimin e Ambasadorit dhe stafit të tij për problematikat me të cilat haset rinia sot. 

Këshilli Rinor së bashku me Qendrën për Nisma Ligjore dhe Qytetare, në kuadër të implementimit të një projekti të Democracy Comission Small Grants Program të Ambasadës Amerikane në Tiranë, “Fighting Corruption in Higher Education System”, synon të jetë një agjent i pranishëm dhe efektiv në bërjen e universiteteve sa më shumë transparente, më pranë studentëve dhe larg elementeve korruptive. Në këtë kuadër, Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane vendosi të ndiqte nga afër zgjedhjet e 2016 për funksionet drejtuese në Universitetin e Tiranës, duke shpërndarë informacion për të drejtat e studentëe në ëebsite-in e tij si edhe , në sajë të bashkëpunimit me Komisionin Institucional Zgjedhor, të mund të ishte pjesë e këtij procesi. 

Transparenca dhe arsimi janë dy pika shumë të rëndësishme të Këshillit Rinor, prandaj edhe u vendos që këto zgjedhje Universitare, Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane dhe Komisioni Institucional Zgjedhor të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku anëtarë të këtij Këshilli do të vëzhgonin në çdo fazë procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës. Ky bashkëpunim synoi rritjen e transparencës dhe rritjen e nivelit të mbikëqyrjes në çdo Qendër Votimi në Fakultetet e UT në mbështetje të mbarëvajtjes së gjithë procesit nga njëra anë, si dhe vazhdimin e projektit të Luftës Kundër Korrupsionit në Universitete të ngritur nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane nga ana tjetër.

Nën mbikëqyrjen e vetë kryetares së KIZ Znj. Majlinda Keta filloi trajnimi i 20 vëzhguesëve të Këshillit në ambientet e Rektoratit, aty ku Komisioni Institucional Zgjedhor ka zyrën qendrore dhe nga ku drejtohet i gjithë procesi zgjedhor. Të gjithë u njohëm me rregulloren e këtij procesi, detyrat dhe të drejtat e vëzhguesit si dhe mënyrat e veprimit në rast konstatimi të një shkeljeje. Ishin dy ditë të mbushura plot me informacion, ku Znj. Majlinda Keta, anëtarë të tjerë të KIZ dhe gjithë stafi aty me mjaft profesionalizëm u treguan të gatshëm dhe shumë të durueshëm ti përgjigjëshin të gjitha pyetjeve dhe ndëryhyrjeve që vinin nga studentët, anëtarë të Këshillit. Grupi i vëzhguesëve të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane u nda në 15 vëzhgues që do vëzhgonin procesin në 6 Fakultete të UT, të cilët raportonin çdo parregullsi në 5 vëzhguesit e tjerë të cilët ishin të atashuar gjatë gjithë ditës në ambientet e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve.

Data 20 Prill për të rinjtë e Këshillit filloi që në orët e para të mëngjesit, edhe pse një ditë më parë ishin duke vëzhguar dorëzimin e bazës materiale nëpër Qendrat e Votimit deri në mesnatë. Niveli i lartë i njohurive dhe udhëzimet e qarta në raste konstatimi shkeljesh bënë që dita të rridhte e qetë dhe që ora 16.00 e mbylljes së votimeve të vinte shpejt. Sigurisht, nuk munguan as rastet e konstatuara të shkeljeve të cilat u raportuan dhe morën zgjidhje në kohë reale nga KIZ. Pati edhe raste kur vetë anëtarë të KIZ së bashku me ndërmjetës të vëzhguesëve të Këshillit Rinor shkuan nëpër Fakultete për të parë nga afër situatën problematike e cila shpesh merrte zgjidhje të menjëhershme.

Një pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor ishte edhe numërimi i vullnetit të stafit akademik dhe studentëve që votuan. Të gjithë vëzhguesit e Këshillit iu bashkuan këtij procesi duke siguruar edhe aty një nivel të lartë vëzhgimi dhe raportimi. Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane në Shqipëri do të zhvilloje edhe një pyetësor për të matur perceptimin e transparencës tek studentët lidhur me këtë proces.

Në të gjitha proceset e mëparshmë zgjedhore të UT, vetëm kanidadatët për pozicionet drejtuese kanë patur vëzhguesit përkatës pra qëndrave të votimit. Është hera e parë në historinë e proceseve zgjedhore në universitete që Komisioni Institucional Zgjedhor bashkëpunon dhe akrediton vullnetarë për procesin e monitorimit të zgjedhjeve. Kjo rrit transparencën dhe e sjell Universitetin më pranë studentëve, duke ju dhënë atyre një eksperiencë dhe mësim të mirë në procesin elektoral që është dhe një nga elementet bazë të demokracisë. Komunikimi i Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane dhe KIZ ishte shumë korrekt dhe shumë frutdhënës dhe ne e falendrojmë KIZ që mundësoi këtë risi dhe eksperiencë, si një precedent të mirë për proceset zgjedhore që do të vijojnë në të ardhmen.

Ne anëtarët e këtij Këshilli, i urojmë suksese funksionarëve të porsa zgjedhur në rolet e tyre drejtuese dhe besojmë se me dëshirën e mirë, përgjegjshmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin e duhur arrihet që të dalin rezultate mjaft të mira nga puna e të gjithë të përzgjedhurve në çdo pozicion.
Petraq Kosho
Sigal