Zëvendës dekani Ervin Demo: Pranohen automatikisht në vitin e dytë të studimeve

94

Fakulteti e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës hap dyert për më të mirët nga universitetet private, ja kush përfiton

Maturantët, të cilët kanë rezultuar fitues në Fakultetin Ekonomik, por që kanë nxituar të regjistrohen në universitete private për të pasur një shkollë të lartë të sigurt, do të mund të transferohen vitin e dytë në universitetin publik. “Duke parë cilësinë e studentëve, të cilët për shkak të ankthit u detyruan të regjistrohen në një fakultet të ngjashëm me tonin, duke iu referuar pikëve që ata kanë marrë në renditjen e këtij procesi regjistrimi, ne do t’u japim të drejtën automatike, që vitin tjetër akademik ata të gjithë të transferohen në Fakultetin Ekonomik”, tha Ervin Demo, zv.dekan i Fakultetit Ekonomik. Kur ka mbetur vetëm një ditë për pranimin e maturantëve në universitete, parashikohet që vetëm në Universitetin e Tiranës të mbeten rreth 500 kuota bosh, ndërsa në të gjithë sistemin publik plot 5.000. “Numri i kuotave që mbeten bosh, siç parashikohet nga strukturat e fakultetit duhet të jetë rreth 150 të tilla. Fakulteti Ekonomik, në cilindo rast, këto kuota nuk do të lejojë që të mbeten bosh. Ne mendojmë që edhe ligji i arsimit të lartë i ka hapësirat e nevojshme që universiteti të marrë vendimet e duhura, që të mos lerë kuotë bosh, e cila është miratuar paraprakisht”, tha më tej Ervin Demo. Burime nga Ministria e Arsimit shpjegojnë se do të pritet rezultati përfundimtar i regjistrimeve i datës 27 tetor, e më pas do të ketë një vendimmarrje nga ky dikaster lidhur me kuotat bosh që pritet të mbeten, pasi parashikohet të jenë rreth 20% e tyre në total.