Zëri i Amerikës/ Krujë: Tërmeti, dimri dhe përpjekjet për të kapërcyer pasojat

817
Sigal

Midis fshatrave të shumta, që goditi tërmeti i 26 nëntorit, Bubqi i Krujës është një nga më shumë të dëmtuarit. Për fat të mirë, nuk pati viktima në njerëz, por dëmet materiale janë të jashtëzakonshme. Banorët tronditen sa herë që e kujtojnë tërmetin e asaj nate.

Sude dhe Sherif Ajazi kujtojnë si dolën atë natë nga shtëpia, duke nxjerrë së pari nipat dhe fëmijët.

“Këtë shtëpi e goditi edhe tërmeti i 1979-ës, por nuk e dëmtoi kaq shumë sa sot” – Sherifi, ndërsa futet tek tenda prapa shtëpisë

Kryqi i Kuq Shqiptar është një nga shoqatat humanitare që ka ndihmuar më shumë në këtë krahinë dhe në gjithë zonat e prekura nga tërmeti. Brenda një muaji janë shpërndarë rreth 1 mijë e 300 pako ushqimore mujore, afro 6 mijë batanije, afro 1 mijë e 500 kite higjienike mujore, dhe 21 mijë kg miell.

Kjo është e disahata herë që kamionat e Kryqit të Kuq Shqiptar erdhën në Bubq; fillimisht për të sjellë çadra dhe shtroje, e më pas ushqime për një muaj herë pas here.

“Sot po ndajmë ndihma të USAID-it në këtë fshat, ku kemi edhe më parë, me pako ushqimore mujore, batanije, veshje e shtretër. Jemi shpesh të pranishëm këtu për t’u treguar banorëve se nuk janë vetëm” – tha Luljeta Hidi, vullnetare e Kryqit të Kuq Shqiptar.

Në zonën e Bubqit afro 270 shtëpi janë dëmtuar ndjeshëm, një pjesë më pak dhe shumë banesa kanë në oborr nga një çadër, ndërsa tërmeti erdhi bashkë me dimrin.

Qysh nga dita e parë e tërmetit dhe deri sot Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndihmuar me 350 vullnetarë të vet në në Durrës, Tiranë, Krujë, Laç, Lezhë dhe Shijak mbi 6 mijë persona ushqime, veshje dimri, ujë dhe shtroje nëpër qytete dhe 16 fshatra, nëpër spitale dhe qendra emergjence dhe kudo ku ishin, dhe 2 mijë të tjerëve iu dha mbështetje psiko-sociale.

Ndërsa objektivi afatgjatë është që të ndihmohen 4 mijë familje një pjesë me ushqime për një vit dhe dhe në vazhdim me të holla, që të blejnë vet sipas nevojave të tyre”thotë Artur Katuçi, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar.

Shqipëria u godit mëngjesin e 26 nëntorit nga një tërmet i fortë, në bregdetin perëndimor, që la pas 51 të vdekur dhe mijëra dëme në objekte me miliona euro, por ende nuk ka një raport të plotë të këtyre dëmeve pas dy javësh dhe mbetet në pritje të një konference ndërkombëtare donatorësh gjatë janarit të ardhshëm.