Zemra e balsamosur e Avni Rustemit qëndroi 40 vjet nëpër farmacitë e Vlorës

464

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, studiuesi, Agim Hametaj: “Është e vërtetë, e kam parë me sytë e mi”

Nëse këtë histori do të tregonte dikush tjetër, zor se do ta besonte kush, por kur ke përballë një studiues të mirëfilltë të historisë e ngjarjeve të Vlorës, që vlerësohet nga historianët si “thesar”, padyshim e bën publike për herë të parë për shtypin e shkruar edhe pse gjithçka është përjetuar plot një gjysmë shekulli më parë. Kjo është një nga ngjarjet, që del nga “Arkivi i historisë” në kujtesën e Agim Hametaj. Studiuesi tregon ekskluzivisht për “Telegraf” se, pas vrasjes së Avni Rustemit në Tiranë nga Isuf  Reçi, si hakmarrje për vrasjen e Esat Toptanit, ka qenë doktor Zyma, që i nxori zemrën dhe e balsamosi atë. “Unë e kam parë me sytë e mi dhe ajo ngjarje më ka mbetur në kujtesë”, tha për gazetën Hametaj.

E pabesueshme z. Hametaj, në ç’rrethana, e mbështesni këtë fakt, që nuk është bërë kurrë publik?

Unë jam dëshmitar okular dhe ju besoj syve të mi. Kam qenë pak më shumë se 10 vjeç dhe teksa gjyshi më kish marrë përdore, u futëm në një nga farmacitë e qytetit të Vlorës, ku shërbente Thanasjo. Aty mësova faktin, që edhe sot nuk është zbardhur plotësisht, që ka të bëjë me zemrën e balsamosur të Heroit Avni Rustemi. Farmacisti, ose sikurse quheshin në atë kohë, “spicieri”, që nuk kishin arsimin përkatës, por mbështeteshin në përvojën e tyre, na tregoi një vazo që e mbante në këndin e farmacisë. Brenda në të, ishte zemra e Avni Rustemit, e balsamosur. Thanasko, një ndër farmacistët më të njohur të kohës, meqenëse e kishte mik gjyshin tim, i tregoi vazon, në brendësi të së cilës ishte një gjë e çuditshme dhe me gojën e tij na tha: Kjo është zemra e Avni Rustemit. Kur dolëm nga farmacia, gjyshi më ndaloi dhe më tha: Aty është zemra e djalërisë!

Mësuat historinë se si u gjend zemra e Avni Rustemit në këtë farmaci?

Sigurisht, që mësova edhe historinë, që në vija të përgjithshme është kjo: Pas vrasjes së Avni Rustemit nga Isuf  Reçi, që e qëlloi me dy plumba në ije, si hakmarrje ndaj vrasjes së Esat Toptanit, Doktor Zyma i nxori zemrën dhe e balsamosi. Zemra e tij në vazo, frymëzoi djalërinë shqiptare për t’u përfshirë në revoltat, që çuan në Revolucionin Demokratik të Qershorit të vitit 1924. Më pas zemra, së bashku me trupin, u transportuan për në Vlorë. Zemra e Heroit, u ribalsamos nga mjeku i njohur i asaj kohe Shezai Çomo, i cili ka qenë jo vetëm drejtori i parë i Spitalit të Vlorës, por ishte edhe daja i Avni Rustemit.

Zemra u vendos sërish në gjoksin e heroit kur u varros?

Jo, patën fate të ndryshëm zemra nga trupi. Trupi i Avniut i balsamosur, u varros në një mjedis publik të qytetit, aty ku ndodhet edhe sot, në lulishten afër Teatrit “Petro Marko”. Mbi varr është ngritur shtatorja prej bronzi e heroit. Për zemrën, u ngrit një komision zyrtar, që iu besua farmacistit të njohur, Nasho Qirko, i cili e mbajti atë në farmacinë e tij, që ndodhej në qendër të qytetit, ngjitur me “Kapelen”, sikurse njihet nga vendasit edhe në ditët e sotme. Vlonjatët e moshuar e mbajnë mend mirë këtë fakt, ashtu sikurse më ka mbetur edhe mua në kujtesë edhe pse isha fëmijë.

Dini se ku ndodhet sot zemra e balsamosur e Avni Rustemit?

Zemra e Heroit, ka qenë në mjediset e kësaj farmacie deri në vitin 1963, por më pas nuk e di çfarë ka ndodhur. Jam interesuar gjatë gjithë kohës, për këtë objekt të rrallë, i cili qëndroi për 40 vjet në mjediset e farmacive të njohura të qytetit, por nuk kam mësuar asgjë më shumë, nga ajo ç’kam përjetuar vetë.