Zef Preçi: Pse bizneset ndërpresin aktivitetin ekonomik?

211
Ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, komentoi të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, lidhur me sipërmarrjet që i japin fund aktivitetit ekonomik. “Sipas të dhënave zyrtare, numri i bizneseve me status pasiv është më i lartë se atyre me status aktiv, pak a shumë si të thuash se numri i makinave të parkuara është më i lartë se atyre në udhëtim”, shprehet Preçi në një koment. Sipas tij, ”përveç përpjekjeve për të shmangur taksat, kjo situatë është alarmante”. “Shkaqet mund të jenë të ndryshme për lloje të ndryshme të veprimtarisë ekonomike, por ndër to nuk mund të shmanget mungesa e qartësisë/vizionit mbi politikat fiskale të qeverisë në periudhën që vjen (qeveria u shpall, por mungon programi); pakësimi i numrit të konsumatorëve për shkak të largimit të qytetarëve jashtë vendit, sidomos të atyre në moshë të re; kushtet e rënda të kreditimit të sipërmarrjeve nga bankat tregtare; politika e ngrirjes së pagave (vjet, për herë të parë u shënua rënie në pagën mesatare të punës), e për rrjedhojë pamundësia e rritjes së konsumit të mallrave dhe shërbimeve; paralajmërimi për rifillimin e ‘aksionit anti-informalitet’ pa analizuar se çfarë ndodhi në tre vitet e fundit e duke harruar oligarkët – evazionistët e vërtetë”, nënvizon Zef Preçi.

Më tej, ai shprehet se në këtë panoramë optimiste vetëm për ata që lajmet ekonomike “i kapërdijnë pa i përtypur”, vjen një lajm i mirë: krijimi i postit të një ministri pa portofol (Ministër Shteti) për “Mbrojtjen e Sipërmarrjes”.