ZBULOHET SUPERSKANDALI I PEDOFILIT 40-VJEÇAR

536
Pedofilia, 40-vjeçari josh fëmijët në “Facebook”
Emisioni “Fiks Fare” zbulon rrjetin. I tregojnë organin seksual 13-vjeçarit, por ligji i lidh duart policisë
Emisioni “Fiks Fare” ka zbuluar një rrjet pedofilësh që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Gazetarët e “Fiks Fare” treguan mbrëmjen e djeshme sesa lehtë bien pre e këtyre abuzuesve fëmijët minorenë. Mangësia që ka Kodi Penal në Shqipëri, i cili nuk e parashikon krimin e pedofilisë në rrjetet sociale, ka çuar në lulëzimin e këtij fenomeni kohët e fundit. Në “Fiks Fare” erdhi një informacion për një burrë mbi 40 vjeç, i cili përdorte rrjetet sociale për t’u afruar me fëmijë, kryesisht djem të vegjël, për t’iu kërkuar më vonë favore seksuale, duke abuzuar me padijen e tyre për shkak të moshës. Gjatë komunikimit me fëmijët, ai thotë se nuk i intereson mosha, duke i shprehur dashuri dhe i kërkuar të flasin nëpërmjet “Facebook” me mesazhe, por edhe me video telefonata. Pas këtij informacioni, fillimisht u verifikua faqja e tij në “Facebook”. Ai kishte mbi 4000 miq, mbi 80% e tyre, nga fotot ishin minorenë. Nga komentet e bëra në “Facebook” nuk heziton të vendosë zemra apo të shprehë dashurinë për “vëllezërit” e tij, siç edhe i referohet në shumicën e kohës.
Për të vërtetuar, nëse ky ishte një rast i izoluar ose jo, gazetarët e “Fiks”-it hapën 2 profile në “Facebook” atë të një djali dhe një vajze, përkatësisht 13-vjeçarë. Pas ftesave dhe pranimeve, filloi komunikimi, ku në chat privat kërkonin informacion për moshën dhe, nëse ishe aktiv apo pasiv e më pas bënin bisedë seksuale. Në bisedat që djali minoren, 13-vjeçari i “Fiks”-it, ka bërë me djem të moshës 20 vjeç dhe burra deri në 50 vjeç, që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë, i është kërkuar të bëhet i dashuri i tyre, të dërgojë foto të vetes dhe organit të tij seksual, të japë të dhëna për vendin ku jeton, shkollën, preferencat seksuale, gjatësinë etj. I është kërkuar të flasë me ta në video nëpërmjet “Facebook” dhe për më tepër, një 13-vjeçari i kanë dërguar foto të organit seksual, duke e pyetur, nëse i pëlqen. Më pas i kanë treguar se si do ia heqin turpin apo se si do të bëjnë marrëdhënie seksuale me të, nëse ai shkon t’i takojë. Madje njëri prej tyre i tregoi djalit 13-vjeçar se ky favor kushtonte 50 euro apo lekë.
Rasti më flagrant është ai i një 50-vjeçari, i cili i tregon djalit 13-vjeçar që është i martuar, pasiv dhe i kërkon atij ta takojë. Ai i tregon se çfarë do t’i bëjë gjatë aktit seksual dhe i lë takim në darkë për të folur. Kur djali nuk i përgjigjet ai e merr më shumë se 10 herë në telefon nëpërmjet “Facebook” deri në orët e vona të natës. Në profilin e vajzës ftesat për miqësi vërshuan lumë. Nuk munguan kërkesat për favore seksuale, pavarësisht se merrnin vesh moshën e saj të vogël. Më e rënda është rasti i një 30-vjeçari, i cili i thotë, që është e njomë dhe pyet nëse është e “prishme” apo e virgjër. Ai i tregon se në çfarë mënyre mund të kryejë marrëdhënie me të, edhe pse është e ndaluar me ligj. Ai i tregon se ka mënyra të tjera për të bërë seks pa humbur virgjërinë. Në “Facebook” mban emrin Çuni Pasiv. 
Rreziku që vjen nga përdorimi i rrjeteve sociale nuk parashikohet në ligj
“Fiks Fare” u interesua edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lidhur me këtë ngjarje. Një specialiste e krimit kibernetik konfirmon se për ta është e ndaluar të stimulojnë raste si ky i “Fiks Fare”, për të zbuluar apo arritur tek pedofilët apo abuzuesit. Sipas saj denoncime të ngjashme, që kanë ardhur për raste të tilla, janë vetëm 2, dhe ato kanë ardhur nga shteti italian për dy shtetas shqiptarë. Ndërsa shumë denoncime nga Shqipëria bëhen për vjedhje të identitetit të personave. Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, thotë për “Fiks Fare” se kjo është pedofili. Ligji nuk e parashikon këtë lloj krimi që vjen nga rrjetet sociale, ndërsa specialistëve të krimit kibernetik nuk u lejohet të stimulojnë apo infiltrohen në rrjetet sociale për të zbuluar abuzuesit. “Në muajin nëntor kemi kërkuar pranë Kuvendit, Komisionit të Ligjeve, ndryshimin e 13 neneve të Kodit Penal pikërisht për këtë situatë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Për këtë arsye do ta ripërsëritim këtë kërkesë edhe në muajin maj”, shtoi ai. 
“Fiks Fare” intervistoi edhe Vasilika Hysin, nënkryetare e Komisionit parlamentar të Ligjeve, e cila thotë se situata duhet të ndryshohet menjëherë dhe duhet filluar që nga ligji. Sipas një nisme edhe të UNICEF-it, situata në rrjetet sociale është alarmante dhe në to përfitojnë abuzues dhe pedofilë. 
Sigal