Zbulohet skandali i radhës, në Kavajë dëshmorët figurojnë të gjallë në gjendjet civile

1231
Sigal

Mbesa e Sami Hamid Karriqit, vrarë në vitin 1944 në Zemun tregon peripecitë që po heqë pasi nuk e çregjistrojnë

Në qytetin e Kavajës paraqitet rasti i dytë, kur persona ndryshëm të vrarë në luftë dhe të shpallur edhe dëshmorë me vendime të rregullta qeverie të asaj periudhe, nuk janë të çregjistruar nga gjendjet civile dhe madje tashmë u janë hapur problem edhe familjeve të tyre, pasi në certifikatat familjare që u duhen për problem të ndryshme, u vendosen edhe emrat e të rënëve dëshmorë. Para disa muajsh, në gazetën “Telegraf”, kemi botuar dokumentet e një të rëni në luftë për çlirimin e viseve të ish-Jugosllavisë së asaj periudhe Nebi Hoxhën. Personi që ishte zhvarrosur 3 herë dhe shpallur dëshmor 2 herë nuk çregjistrohej nga zyrat e gjendjes civile në Kavajë. Por 4 muaj më vonë konstatojmë se është përsëritur e njëjta gjendje po me një dëshmor të vrarë në kampet e përqendrimit të nazizmit. Është fjala për dëshmorin kavajas, Sami Hamid Karriqi. Vrarë në vitin 1944 në Zemun.

HISTORIA

Në Muzeun Rajonal të qytetit të Durrësit është drejtuar mbesa e dëshmorit Karriqi, e cila tashmë banon në qytetin e Tiranës. Ajo ka kërkuar ndihmë në këtë institucion për arsye se u kanë dalë familjarëve probleme me lëshimin e certifikatave. Në trungun familjar, sipas certifikatave, ndodhet edhe personi, i cili ka 60 vite që ka vdekur. Mbesa e dëshmorit ka kërkuar një vërtetim nga Muzeu për ta ndihmuar që të kryhej çregjistrimi i dëshmorit Karriqi. Ajo tregon se, as familja e saj nuk e di, cila është arsyeja që nuk është kryer çregjistrimi, në një kohë që të gjitha dokumentet vite më parë janë dorëzuar të gjitha.

DOSJA E DËSHMORIT

Kartela e dëshmorit Sami Karriqi është plotësuar tërësisht me 20 maj të vitit 1987 dhe është e firmosur nga Halil Zeneli. Kryetari i Komitetit të Veteranëve të Rrethit të Durrësit. Sipas kësaj certifikate mësohet se, dëshmori më 25.04.1942 ka qenë pranuar Anëtar i Rinisë Komuniste dhe në të ai ka qenë një aktivist i dalluar. Ka shpërndarë trakte si dhe ka mbledhur ndihma për partizanët në mal. Po ashtu, nisur nga biografia e shkurtër e Kartelës së dëshmorit, mësohet se ai edhe i ka strehuar partizanët në banesën e vet modeste si dhe ka grumbulluar material në ndihmë të ushtrisë Nacional Çlirimtare. Për aktivitetin e vet revolucionar me 21 nëntor 1943 arrestohet nga forcat gjermano-balliste dhe internohet në Zemun. Ra dëshmor në mars 1944 në kampin e përqendrimit të Zemunit. Sami Karriqi është i dekoruar nga Kuvendi Popullor me “Urdhrin e Naim Frashërit” si dhe me Medaljet e Trimërisë dhe të Kujtimit.

SHPALLJA DËSHMOR

Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit në mbështetje të dekretit NR. 4558 dt. 18.10.1969 të Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi “Dëshmorët e Atdheut” si dhe pikën 2 të Udhëzimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi dëshmorët dhe varrezat e tyre ka vendosur: Të shpallet Dëshmor i Atdheut, Sami Hamid Karriqi, vdekur në Kampin e Përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë në vitin 1944. Ky vendim, sipas dokumentit bazë, hyn në fuqi menjëherë. Shkresa zyrtare e shpalljes “Dëshmor i Atdheut” është nënshkruar Për Komitetin Ekzekutiv të KP të Rrethit Sekretar (Hasan Sulejmani) si dhe Kryetari (Isa Kurti).

DËSHMORI ISH- FUTBOLLISTI I “BESËS”

Në dosjen e dëshmorit Karriqi, është shënuar edhe fakti se ai megjithëse i varfër ka qenë i apasionuar pas futbollit dhe ishte një futbollist i njohur i skuadrës së tij të zemrës “Besa”. Ai ka debutuar në këtë skuadër, sipas një shkrimi të botuar në gazetën lokale të Durrësit në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar rreth 3 vite. Madje, në një ndeshje të imponuar me një skuadër ushtarake futbolli italiane, ka qenë promotor i mbajtjes se një minuti zije në fushë për të rënët në luftën për çlirimin e atdheut. Përveç faktit që futbollisti përmendej edhe si një atentator i njohur në atë zonë. Këto shënime historike, janë të publikuara dhe te dokumentuara, së bashku me faktin se ka strehuar në shtëpi edhe “Heroin e Popullit”, Myslym Shyri.