Zbulohet skandali i kryegjyqtares së Kavajës, liroi kriminelin

119
Zbulohet skandali i kryetares së Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula. Lirimi i një personi të akuzuar për vepra të rënda penale është bërë shkak për një ankesë zyrtare të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj vendimit të dhënë nga gjyqtarja Entela Shedula.
Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula
Fjala është për lirimin e një shtetasi të akuzuar për tri vepra penale, të cilin kryetarja e Gjykatës së Kavajës e ka liruar nga burgu, në kundërshtim edhe me kërkesën e Prokurorisë.
Letra zyrtare e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtuar Presidentit Bujar Nishani, mban datën 18 prill 2014, dhe ka numër protokolli 2630/3. Ankesa për gjyqtaren e Kavajës është pjesë e një sërë vendimesh të dhëna nga gjykatat, të cilat, sipas Ministrisë së Brendshme, mund të konsiderohen flagrante.
“Kanosje me armë, gjyqtari vendos detyrim paraqitje”, kështu titullohet ankesa që kreu i Ministrisë së Brendshme ka bërë më shumë se dy vite më parë ndaj gjyqtares Entela Shedula. Kjo e fundit qëndron ende në detyrë, pavarësisht ankesës së drejtuar Presidentit Bujar Nishani, të cilit mësohet se letra i është dërguar në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
LETRA E TAHIRIT
“Më datë 27.11.2013, u arrestua në flagrancë shtetasi Ilirjan Allaman Beu, për veprat penale të ‘Kanosjes’, ‘Dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta’, parashikuar nga nenet 84, 90 dhe 279 të K.Penal”, thuhet në letër. Sipas shkresës së ministrit të Brendshëm, prokurori i çështjes, z. Edmond Kariqi, kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Duket se kjo masë sigurie ishte kërkuar për shkak të tri veprave penale, për të cilat akuzohej shtetasi i arrestuar në flagrancë nga ana e policisë. Por ministri i Brendshëm evidenton në letër se pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg”, nga ana e Gjykatës, me gjyqtare të çështjes znj. Entela Shedula, është ndryshuar masa e sigurisë, duke vendosur “detyrim paraqitje”.
Faksimile e ankesës së ministrit Tahiri
Në këtë mënyrë, sipas ankesës së ministrit, është bërë lirimi i personit që ishte arrestuar me akuzën e kryerjes së tri veprave penale. Pasi është liruar nga qelia me vendim të gjyqtares Entela Shedula, i dyshuari është lënë në masën e detyrimit për t’u paraqitur periodikisht në Policinë Gjyqësore.
ANKESA E MINISTRIT
Vendimi i gjyqtares Entela Shedula për lirimin e të akuzuarit për kryerjen e tri veprave penale, ka qenë pjesë e një liste me vendime gjykatash, për të cilat ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është ankuar zyrtarisht te Presidenti Bujar Nishani.
Në letrën shpjeguese të listës së vendimeve, shpjegohet edhe shkaku pse ministri Tahiri e ka paraqitur ankesën. “Në këtë kontekst ministri Tahiri kërkon ndërhyrjen e Presidentit për të vënë në lëvizje KLD-në, për të shqyrtuar zbatimin e ligjit dhe standardet e dhënies së drejtësisë për qytetarët, qoftë të akuzuar apo më shumë akoma, të dëmtuar nga vendimet e përmbledhura në listën bashkëngjitur letrës”, thuhet në tekstin shoqërues të letrës.
Më tej, aty theksohet se “sipas ministrit të Punëve të Brendshme, këto vendime të gjykatave janë “më së paku të diskutueshme, në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt shkatërrues mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë”.