Zbulohet mbishkrimi i rrallë: “Zot ndihmojë shërbëtorin tënd Aleksandrin”

606
Sigal

Kapela bizantine, mrekullia e Amfiteatrit gati për sezonin turistik

Zbulimet e rralla nuk kanë të sosur në amfiteatrin e Durrësit, i cili mund të quhet edhe si mrekullia e nëntokës shqiptare. Punimet restauruese në mozaikun mural të amfiteatrit të Durrësit, i cili njihet ndryshe si “Kapela Bizantine”, pothuajse janë në fazën përfundimtare dhe Amfiteatri është gati të presë turistët e shumtë. Mozaiku gjendet në një prej galerive të amfiteatrit dhe është i ndërtuar qysh  në shekullin e V pas Krishtit. Punimet për pastrimin dhe restaurimin e tij janë kryer nga dy arkeologë restauratorë, një nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës Durrës dhe tjetri nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe IMK. Këto punime u kryen për shkak se mozaiku kishte marrë papastërti dhe alga të gjelbra që krijohen nga lagështira dhe vendi ku ai është ndërtuar. Kapela Bizantine, është mjaft e vizituar nga turistët e huaj gjatë muajve të fundit dhe bëhet me qëllimin që të jetë gati për vizitat e turistëve. Punimet u kryen sipas parametrave shkencorë, dhe sipas arkeologëve “në përfundim të këtyre punimeve mozaiku ka nxjerrë ngjyrat dhe cilësitë e tij të veçanta”. Mozaiku është tepër i rrallë, kjo pasi mozaikët muralë janë mjaft të rrallë dhe në vendin tonë mund të jenë shumë pak të tillë. Kapela Bizantine,  merr rëndësi të veçantë sepse 3 shekuj pas ndërtimit të amfiteatrit ajo u bë përsëri e përdorshme. Ajo se çfarë tregon ky mozaik, ende nuk është përcaktuar me saktësi, por mendohet se aty tregohen figura të shenjtorëve, ose ajo e perandorit bizantin Aleksandër. Një gjë është e sigurt se mbishkrimet e shkruara në gjuhën greke në mozaik i dedikohen atij dhe ato përkthehen “Zot, ndihmoje shërbëtorin tënd, Aleksandrin”. Durrësi trashëgon pasuri të konsideruara arkeologjike një pjesë e të cilave janë bërë objekt i zbulimeve, ndërsa të tjera presin fonde për të dalë në dritë. Amfiteatri i Durrësit ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve të shumtë ndërkombëtar, një pjesë e të cilëve i janë përkushtuar zbulimeve në Durrës. Dy vite më parë në vendin e quajtur “Çezma e Ferrës” janë nxjerrë në dritë 180 kg material të terakotës dhe qindra figurina të saj janë bërë objekt zbulimi nga arkeolog shqiptarë e francez. Universiteti Liles në Francë ka organizuar ekspedita kërkimi e zbulimi në Durrës nisur nga harta e gjetjes së rrënoja me pasuri të veçantë arkeologjike. Kërkimet në Durrës kanë vijuar për disa muaj deri sa arkeologët janë bindur të konkluzionet e tyre lidhur me praninë e një pasurie të hershme arkeologjike në Durrës. Zbulimet e realizuara ne vendin e quajtur “Çezma e Ferrës” kanë dhënë dëshmi të reja, duke krijuar bindjen lidhur me pasurinë e madhe arkeologjike që strehon Durrësi në disa zona të njohura si vendbanime të hershme apo edhe punishte. Gjithnjë sipas studiuesve të arkeologjisë dhe departamentit përkatës në Tiranë të gjitha zbulimet tek “Çezma e Ferrës” duhet t’i përkasin shekullit IV-V p.e.s. Figurinat prej balte e kanë ruajtur “freskinë” edhe pse kanë kaluar shekuj që nga koha e pranisë së tyre. Qyteti i Durrësit ka disa punishte të tilla me një histori shumë të hershme, e cila lidhet me kohën e sundimit të ilirëve, fakte të cilat tregojnë mbijetesën deri në ditët tona. Amfiteatri do të ketë dy ciceronë gjatë vitit 2014, specialistë të Drejtorisë së Monumenteve të Durrësit.