Zbulohet kamioni me 30 kg heroinë në Portin e Durrësit, destinacioni, Italia

485
Sigal

Një sasi prej 30 kg drogë e llojit heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit ditën e djeshme.

Sipas policisë  droga ishte e ndarë në 52 pako dhe ishte fshehur në një kamion me destinacion shtetin fqinj Italinë, ndërsa në pranga është vënë drejtuesi i kamionit Aurel Kryemadhi 45 vjeç, banues në Elbasan

Sipas policisë droga u sekuestrua ndërkohë që kamioni do të ngarkohej në një prej trageteve të linjës Durrës-Bari. Heroina ishte e fshehur në brendësi të kamionit, por u konstatua falë skanerave të doganës dhe informacioneve që policia kishte siguruar në rrugë operative.

Policia informon se: “Më datë 08.12.2016, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në mjetin tip Skania kamion me targa AA 618 JR dhe rimorkio ADR 186,  me drejtues shtetasin A..Kryemadhi shërbimet e Policisë kanë dyshuar se në brendësi të mjetit mund të kishte lëndë narkotike. Menjëhere shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar kamionin për tek Skaneri ku ka rezultuar se në tavanin e  karrocerisë kishte disa  pako. Specialistët e Narkotikëve kanë ushtruar kontroll të imtësishëm ku u gjetën dhe  u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 52 pako me peshë rreth 30 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë.”

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale”Trafikimi i narkotikëve” e mbetur në tentativë parashikuar në nenin  283/a/2 të Kodit Penal.