Zbulohet e-maili/ Lu i kërkoi Llallës të mbronte “Bankers Petroleum”

637
Më 24 korrik 2015, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu, i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, një e-mail komprometues, duke i sugjeruar kryeprokurorit që të ndryshonte akuzat ndaj korporatës “Bankers Petroleum”. Kjo korporatë asokohe ishte në epiqendër të hetimeve, pasi disa shpërthime nëntokësore të zhvilluara në zonat hidrokarbure kishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat në Patos-Marinzë. E-mail-i i siguruar ekskluzivisht nga Hashtag.al, zbulon se që në fillim ambasadori Lu bën të qartë se është tepër i shqetësuar mbi fatin e këtyre hetimeve dhe se e kishte personale këtë punë. Shkruan Lu në e-mail: “Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se sa i shqetësuar jam personalisht për pasojën e ndjekjes penale të këtyre punonjësve të Bankers Petroleum nga prokurori i Fierit”. Fill më pas ambasadori bën dhe kërkesën e tij, duke i kërkuar në mënyrë flagrante kryeprokurorit Llalla që të mos ngrinte akuza penale ndaj “Bankers Petroleum”, por të mjaftohej me ca gjoba administrative. Lexoni me vëmendje se si ky ambasador i ka shkruar kryeprokurorit të Shqipërisë, duke u përpjekur ta instruktojë, se çfarë akuzash duheshin shmangur dhe çfarë akuzash duhej të ngrinte prokuroria ndaj Bankers: “Në çdo vend tjetër, do të prisnim të shihnim gjoba dhe penalitete administrative. Akuzat penale janë të pazakonta”, shkruante ambasadori. Më tej në letër ambasadori vijon me tezën se ndëshkimi ligjor i korporatës Bankers Petroleum mund të ndikonte në largimin e investitorëve të huaj që sipas ambasadorit po i gjurmonte për t’i sjellë në Shqipëri ministri Gjiknuri. 

Marrë me shkurtime nga “Hashtag.al”


Sigal