Zbulohet drafti/ 140 mijë makinat që do dalin nga qarkullimi. Kush preket

614
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor llogarit rreth 140.644 mjete që nuk kanë paguar taksa ose që kanë paguar si taksë të fundit para ose deri në dhjetor të 2011- s, që do të nxirren nga qarkullimi.
Me draftin e faljes së detyrimeve, që pritet të kalojë së shpejti në qeveri, këtyre mjeteve do t’u fshihen taksat e papaguara, ndërsa mjeti do të çregjistrohet, pra do t’i ndalohet qarkullimi. Nëse pronari i makinës kërkon të mbajë mjetin në qarkullim, është i detyruar të paguajë taksat për periudhën janar 2011 deri në dhjetor 2014, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave.
Efekti financiar në total nga falja për këto mjete e llogaritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor është 11.3 miliardë lekë.

FSHIRJA E TAKSAVE E ÇREGJISTRIMI
Sipas draftit të qeverisë, fshirja e detyrimeve do të bëhet për ato makina që nuk kanë paguar asnjë taksë deri në 31 dhjetor të 2011-s. Për këto makina do të fshihen detyrimet, ndërsa mjeti do të ndalohet të qarkullojë.
Drafti parashikon që pronari i makinës të paraqitet pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor brenda 6 muajsh, pas hyrjes në fuqi të ligjit, për të kryer pa pagesë veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen e tij aktiv.
Në rast se pronari i makinës nuk paraqitet brenda 6 muajve, mjeti do të çregjistrohet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe targa e makinës së çregjistruar i dërgohet Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Transportit, shumica e këtyre mjeteve nuk janë aktive, pra nuk kanë bërë asnjë shërbim pranë Drejtorisë së Transportit, por janë të trashëguara nga regjistrat e Policisë. Këto mjete pritet të çregjistrohen, pra të hiqen nga regjistrimi, pasi nga këto nuk pritet asnjë e ardhur dhe shumica e tyre janë shitur për skrap.

MBAJTJA E MAKINËS NË QARKULLIM
Amnistia parashikon 6 muaj afat që debitorët të shlyejnë taksat e makinave, me qëllim që mjeti të mos çregjistrohet. Sipas draftit të qeverisë, qytetarët që paraqiten në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit, pra kërkohet që ai të mbahet aktiv, u fshihen të gjitha detyrimet tatimore, para dhjetorit të 2010-s, me kushtin që pronari i makinës të paguajë detyrimet e papaguara për periudhën janar 2011 deri në dhjetor 2014.
Nëse ai paguan 100 për qind detyrimet pas dhjetorit të 2010-s deri në 2014-n, atij jo vetëm që i fshihen detyrimet e mëparshme, i falen edhe gjobat e kamatëvonesat e krijuara si rezultat i mospagimit të taksave, por edhe makina nuk i del nga qarkullimi. Bëhet fjalë për pagimin e taksës vjetore të regjistrimit të makinës, taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura dhe taksat e mjeteve luksoze.

NENI PER FALJEN
Neni 12
1.Përveç sa parashikohet në këtë ligj, në përputhje me përcaktimet sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.
2. Në zbatim të pikës 1 të këtij neni, heqja nga qarkullimi e këtyre mjeteve bëhet pasi fshihen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Subjektet/personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.
3. Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen.
4. Nëse brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të tij.
5. Lista e mjeteve me targat përkatëse të çregjistruara sipas këtij ligji i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Sigal