Zbulohet dokumenti, 40 kërkesat e qeverisë për prokurorinë

575
Këshilli i Ministrave i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm Rekomandimet Prioritare që duhen ndjekur për vitin 2018 në luftën kundër kriminalitetit
Qeveria ka miratuar dhe i ka përcjellë Prokurorit të Përgjithshëm 40 Rekomandimet Prioritare që duhen ndjekur për vitin 2018 në luftën kundër kriminalitetit. Ministri i Drejtësisë, në emër të qeverisë, pritet t’ua bëjë të njohura rekomandimet drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve në një mbledhje të përbashkët. “Këto rekomandime kanë për qëllim dhe synojnë marrjen e masave për të garantuar funksionimin efektiv të shtetit të së drejtës, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të të drejtave të njeriut, rekomandime të cilat jepen në ushtrim të përgjegjësisë shtetërore dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve”, theksohet në dokumentin e miratuar nga qeveria. Aty përmendet se zbatimi i reformës në drejtësi ka filluar të japë rezultatet e para tashmë, pasi vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit garantojnë ecurinë përpara të procesit të vettng-ut, si dhe rikthejnë besimin te qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë. “Në funksion të realizimit të këtij synimi qeveria mbështet dhe kërkon angazhimin maksimal të institucioneve ligjzbatuese, në marrjen e masave për reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, goditjen e krimit të organizuar në të gjitha format e tij, intensifikimin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të individit, barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe angazhimeve të saj ndërkombëtare”, nënvizon dokumenti.

Rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave që duhen ndjekur për vitin 2018 nga organi i prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit do të vijojnë të jenë në drejtimet e mëposhtme:

1 – Garantimi i pavarësisë të prokurorit
Me qëllim forcimin dhe garantimin e pavarësisë së brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm:

I. Angazhimin maksimal të Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit profesional të prokurorëve në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve;
II. Forcimin e kapaciteteve profesionale të strukturës së verifikimit të integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të Prokurorisë së Përgjithshme, në funksion të realizimit sa më efektiv të procesit të dekriminalizimit të funksionarëve publikë;
III. Marrjen e masave për respektimin e standardeve etike dhe profesionale në funksion të forcimit të integritetit të prokurorëve;
IV. Marrjen e masave për rritjen profesionale, me qëllim njohjen dhe zbatimin e drejtë të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, si dhe për specializimin e prokurorëve në funksion të njohjes dhe zbatimit të legjislacionit penal për të miturit, të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur;
V. Marrjen e masave për forcimin e rolit aktiv të prokurorit në hetimin paraprak, në funksion të shtimit të rasteve të hetimeve, të filluara kryesisht nga vetë organi i prokurorisë.
VI. Marrjen e masave për finalizimin e implementimit të sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve edhe në prokuroritë e apeleve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke reflektuar në të edhe ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, në funksion të realizimit të shortit elektronik të ndarjes së çështjeve.
2 – Lufta kundër korrupsionit
Me qëllim forcimin e luftës kundër korrupsionit, Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm:
I. Rritje të hetimeve proaktive dhe teknikave speciale të hetimit;
II. Kryerja e hetimeve sistematike pasurore dhe rritje e numrit të aseteve të sekuestruara që prej fazës fillestare të hetimit dhe konfiskimin e tyre në përfundim;
III. Hetime të shpejta dhe bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese;
IV. Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare sidomos për kryerjen e hetimeve pasurore financiare që lidhen me veprat penale të korrupsionit;
V. Përmirësimi i cilësisë së hetimeve të kryera me qëllim rritjen jo vetëm të personave të dërguar për gjykim por edhe rritje të personave të dënuar me vendim të formës së prerë;
VI. Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit;
VII. Forcim të kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta me agjencitë e zbatimit të ligjit të përfshira në luftën kundër korrupsionit;
VIII. Trajnime të oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët janë një hallkë shumë e rëndësishme e hetimeve;
IX. Rritja e aksesit dhe përdorimit të të dhënave në databazat shtetërore;
X. Rritjen e cilësisë së mbajtjes dhe raportimit të të dhënave statistikore duke rritur profesionalizmin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit.
3 – Lufta kundër krimit të organizuar
Me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm:
I. Forcim të bashkëpunimit me policinë gjyqësore dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim shkëmbimin e informacionit, kryerjen e analizave dhe vlerësimeve të përbashkëta, me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale;
II. Hetime sistematike pasurore dhe rritje të numrit të aseteve të konfiskuara, në zbatim të ligjit 10192/2009, ndryshuar me ligjin 70/2017, specifikisht në drejtim të masave parandaluese;
III. Rritje të numrit dhe cilësisë së hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe atë të pastrimit të parave, në funksion të rritjes së numrit të çështjeve dhe të pandehurve të dërguar për gjykim;
IV. Rritjen e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese rajonale dhe ndërkombëtare në funksion të efektivitetit të hetimeve për grupet e strukturuara kriminale që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, në rastet e emigrimit, veçanërisht për kategori vulnerabël si azilkërkuesit dhe personat e mitur të pashoqëruar;
V. Rritje të numrit dhe të cilësisë së hetimeve duke përdorur teknikat speciale të hetimit;
VI. Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit; 
VII. Forcim të kapaciteteve profesionale të prokurorëve, por edhe të oficerëve të policisë gjyqësore;
VIII. Rritja e aksesit dhe e përdorimit të të dhënave në databazat shtetërore, në funksion të shpejtësisë dhe efektivitetit të së hetimeve;
IX. Rritjen e cilësisë së mbajtjes dhe raportimit të të dhënave statistikore duke rritur profesionalizmin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit.
4 – Të drejtat e njeriut
Me qëllim respektimin e të drejtave të njeriut të subjekteve të procedimit penal, Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm:
I. Zbatimin e kuadrit të ri ligjor lidhur me drejtësinë për të mitur në funksion të garantimit të procesit të rregullt ligjor, aplikimit të masave alternative të shmangies nga ndjekja penale;
II. Hetime të shpejta dhe respektim të të drejtave dhe garancive procedurale si në drejtim të të miturit në konflikt me ligjin, të mitur dëshmitar dhe viktima të veprës penale;
III. Përmirësimi i aftësive profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve të ngarkuar me hetimin e çështjeve që lidhen me drejtësinë penale për të mitur;
IV. Hetime të shpejta, efektive dhe ashpërsim të politikës së dënimit për veprat penale të dhunës në familje;
v) Zbatimin e kuadrit të ri ligjor në funksion të garantimit të procesit të rregullt ligjor për viktimat e veprës penale në përgjithësi dhe në veçanti për viktimat e dhunës në familje;

5 – Bashkëpunimi ndërinstitucional
Me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, Këshilli i Ministrave i rekomandon Prokurorit të Përgjithshëm:
I. Rritjen e bashkëpunimit me policinë e shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në funksion të hetimit të specializuar, të shpejtë dhe të gjithanshëm të grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e krimit të organizuar dhe, kryesisht grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve, krimeve të rënda me ndikim të lartë shoqëror, krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar, sekuestrimin e aseteve kriminale;
II. Forcimin e bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare në funksion të hetimeve proaktive që lidhen me veprat penale në fushën e korrupsionit, pastrimit të parave, pastrimit të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe terrorizmit;
III. Forcimin e bashkëpunimit me oficerët e policive gjyqësore të të gjitha agjencive ligjzbatuese me qëllim udhëheqjen, mbikëqyrjen, kryerjen e analizave periodike për evidentimin e praktikave të mira dhe problematikave, në funksion të rritjes së cilësisë së kryerjes së veprimeve hetimore dhe dokumentimit të tyre;
IV. Rritjen e rasteve të përfshirjes në kryerjen e veprimeve të përbashkëta hetimore të oficerëve të shërbimeve të tjera të policive gjyqësore, sidomos për rastet e referuara në prokurori prej tyre;
V. Trajnime të përbashkëta me oficerët e policive gjyqësore në drejtim të teknikave speciale dhe hetimeve komplekse që kryhen për hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, krimeve financiare, evazionit fiskal dhe veprave penale ushtarake;
VI. Forcim i bashkëpunimit në funksion të hetimeve të shpejta dhe forcimit të masave ndëshkuese nga prokuroria për veprat penale në fushën e mjedisit, me qëllim shmangien e katastrofave mjedisore dhe parandalimin e dëmtimit të mjedisit;
VII. Forcim i bashkëpunimit në funksion të rritjes së efektivitetit të hetimeve ndaj subjekteve që priren të kryejnë evazion fiskal, por edhe nëpunëseve publikë të administratës tatimore.
VIII. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet drejtorive përkatëse të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme me qëllim shkëmbimin në kohë reale të informacionit, përmirësimin e cilësisë së akteve dhe shpejtësisë së kryerjes së veprimeve procedurale, në kuadër të ekzekutimit të ekstradimeve dhe letërporosive, në mënyrë të veçantë për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
IX. Forcim të koordinimit ndërinstitucional për të dhënat statistikore në fushën e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, krimeve financiare, evazionit fiskal.
X. Forcimi i bashkëpunimit me autoritet gjyqësore dhe agjencitë ligjzbatuese të huaja dhe vendëse në drejtim të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sigal