Zbulohen emrat e ushtarëve të ISIS që u kthyen në Shqipëri

80

 Të gjithë
frekuentues të xhamisë te Unaza e Re në kryeqytet

Ish-ushtari i
ISIS-it në Siri, Denis Shmilli, i arrestuar për dhunë në familje dhe vepra të
turpshme ndaj fëmijëve të tij, rezulton se është mik i të arrestuarit për
“terrorizëm” Medat Hasani, raporton “ABC News”. Ky i fundit, u prangos tre ditë
para ndeshjes kualifikuese Shqipëri-Izrael bashkë me 3 persona të tjerë, me
dyshimin se po përgatitnin një sulmit terrorist gjatë ndeshjes së futbollit në
“Loro Boriçi”. Media ka siguruar një kopje të listës së personave që kanë
luftuar në Siri për disa muaj, ku me numrin rendor 81 është identifikuar
shtetasi Denis Shmilli. Sipas kësaj liste, thuhet se Shmilli bashkë me Dritan
Kosturin, i lindur në Cërrik dhe banues në Elbasan dhe ish-efektivin e forcave
komando Medat Hasani kanë qëndruar për rreth 137 ditë në frontet e ndryshme në
Siri.

Në dosje thuhet,
se tre shtetasit shqiptarë; Shmilli, Kosturi dhe Hasani i arrestuar pak ditë më
parë për terrorizëm, kanë udhëtuar së bashku nga Shqipëria në drejt të Turqisë
me makinë të vogël. Ata kanë dalë nga territori shqiptar më 28 Korrik 2013
drejt Greqisë, ku më pas mendohet se kanë udhëtuar në drejtim të Turqisë për të
përfunduar në krah të organizatës terroristë Al-Nusra në Siri.

Sipas
verifikimit të sistemit TIMS rezulton, se ata kanë hyrë në territorin shqiptar
më 17 Dhjetor 2013, rreth 4 muaj e gjysmë pas daljes nga Shqipëria. Referuar
këtij materiali, të përpiluar nga agjentët e antiterrorit, thuhet se ata kanë
qëndruar në kampet e Sirisë për stërvitje dhe kanë marrë pjesë edhe në luftime
kundër forcave të Bashar-Al-Asadit. Sa i përket njohjes mes tyre, në dosje
thuhet se ata frekuentonin të njëjtën xhami, atë të Unazës së Re ku predikonte
imami i vetëshpallur Genc Balla, tashmë i dënuar me 17 vite burg nga Gjykata e
Krimeve të Rënda. Pavarësisht këtyre detajeve të dosjes së antiterrorit, Denis
Shmilli tashmë po hetohet për akuzën e dhunës në familje dhe veprave të
turpshme, ndërkohë rezulton i dënuar për mbajtje pa leje të eksplozivëve.
Ndërsa shoku i tij me të cilin ka qenë në Siri, ish-oficer i forcave komando
Medat Hasani po hetohet për terrorizëm së bashku me tre të arrestuarit e tjerë,
Bekim Protopapa, Xhezair Fishti dhe Ergys Faslija. Në mesin e personave të
kthyer nga lufta në Siri, është edhe Ervin Duka, edhe ky tashmë i arrestuar një
ditë para ndeshjes në banesën e tij për mbajtje pa leje të eksplozivëve dhe
armës.