Zbulohen 567 apartamente të paligjshme, Prokuroria kërkon ndërhyrjen e INUK-ut

463
Sigal

DURRËS- Zbulohen pallate me shkelje flagrante të ligjit dhe kondicioneve urbanistike. Para pak ditëve Kryeprokurori Llalla njoftonte Prokuroritë e rretheve, për rihapjen e hetimeve për çdo dosje të pushuar pa arsye, e cila bëri të mundur rihapjen e hetimeve nga organi i akuzës në qytetin bregdetar. Një burim nga Prokuroria u shpreh se, “shkalla e abuzimit me lejet e ndërtimit dhe abuzimi me kondicionet teknike ka qenë më shumë se skandaloz, duke nisur nga dhënia e lejeve të ndërtimit, procedurat e miratimit të tyre nga KRRT, e duke përfunduar me shtesat e kateve dhe pasojat e tjera urbanistike që e kanë dëmtuar rëndë qytetin bregdetar”. I njëjti burim deklaroi për “Telegraf” lidhur me ecurinë e hetimeve për shkeljet e denoncuara në sektorin e ndërtimeve në zonat bregdetare dhe zonat A të qytetit, se deri tani bëhet fjalë jo për vila apo shtesa, por për pallate”. Hetuesit do të kërkojnë bashkëpunim me INUK pavarësisht se deri sot kontaktet me atë strukturë të shtetit kanë qenë jo në lartësinë e duhur. Në Durrës deri tani nga hetimet paraprake rezultojnë të jenë disa pallate me mungesa të theksuara ligjshmërie dhe që kanë dëmtuar jo vetëm planin urbanistik të qytetit, por edhe vlerat arkeologjike e historike. Shkeljet nisin me rregulloret e Urbanistikës, kushteve të ndërtimit, cilësisë dhe mungesës në dosjes së prezantuar në KRRT. Pra janë mbi 567 apartamente, të cilat u janë shitur klientëve jo vetëm me mangësi ligjore, madje edhe pa u regjistruar në Hipotekë. Si hallka të skandalit janë edhe falsifikimet me firmat dhe vulat e institucioneve, apo duke mos derdhur në arkën e shtetit sipas ligjit, detyrimet financiare. Kjo gjë, duke u toleruar apo duke u bërë palë, ka sjellë zgjerimin e rrjetit i cili ka punuar gjatë dhe ka abuzuar duke dëmtuar rëndë imazhin e institucioneve të shtetit dhe duke futur në xhepa miliona lekë. Skandalet e pallateve nisin nga trojet, hartimi i dokumentacionit, marrja e vërtetimeve ligjore në institucione Kadastra e arkiva, duke futur në lojë edhe gjyqtarë e noterë, për të arritur marrjen e miratimin e lejeve të ndërtimit duke pasur mbështetje nga zyrtarët e institucioneve të shtetit. Hetimet e trojeve kanë nisur qysh në vitin 2012, por nuk dihet sepse asokohe ato u bllokuan. Rihapja e tyre pritet të arrestojnë ish-zyrtarë të lidhur me abuzimin e lejeve të ndërtimit. Prokuroria ka nisur çështjen penale ndaj përgjegjësve të katastrofës urbanistike, duke nisur nga ata që kanë firmosur dhe miratuar lejet e ndërtimit për pallatet të rezultuara si të paligjshëm. Nga ana e tij organi akuzës, ka kërkuar nga institucioni më i lartë i miratimit të lejeve të ndërtimit KRRT e Shqipërisë, ndërhyrjen ligjore për të mundësuar zbatimin e vendimeve të saj . Prej vitesh qyteti i Durrësit ka përjetuar goditjet e vlerave turistike duke nisur nga ato nëntokësore, duke dëmtuar rrjetin e kanalizimeve, dhe vlerat e pallogaritshme që ka pasur qyteti dhe zona bregdetare, e cila sot gjendet totalisht nën pushtetin e hekurit dhe betonit.

Artur Ajazi